Institucionet në gatishmëri, megjithatë,entuziazmi i qytetarëve i vogël për këto zgjedhje

Institucionet shtetërore relevante, duke filluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria dhe Policia e Kosovës, i kanë bërë përgatitjet e duhura për të zgjedhjet lokale, që do të mbahen këtë të diele. ‘Dita D’ i ka mobilizuar të gjithë, ndërsa veçanërisht subjektet politike të cilat për një muaj rresht kanë provuar t’ua mbushin mendjen qytetarëve, për të dalë dhe për ta shfrytëzuar sa më tepër të drejtën e tyre për të votuar – shkruan Gazeta e Re.

Përkundër mobilizimit maksimal të subjekteve politike të cilat kanë nxjerrë në garë mbi 200 kandidatë për kryetarë komunash dhe 7000 kandidatë për asambleistë, entuziazmi i qytetarëve duket që është mjaft i ulët për këto zgjedhje. Megjithatë gjithandej po bëhet thirrje për sensibilizim të qytetarëve, në lidhje me rëndësinë për të dalë sa më shumë dhe për ta shfrytëzuar një të drejtë bazike, atë të votimit.

<<Po do të votojë>> – ka thënë për Gazeta e Re qytetarja Besarta Shala, pa shpjeguar më tutje, se a pret dhe a beson në ndryshime. Për sa u përket premtimeve të kandidatëve, ajo ka thënë se nuk u beson edhe aq. <<Kandidatëve për sa u përket premtimeve të dhëna, u besojë deri diku!>> – ka përfunduar ajo.

Krenar Ramadani, një tjetër qytetar ka thënë se të drejtën e votimit, do ta shfrytëzojë por në lidhje me premtimet, është shprehur skeptik.

<<Në lidhje me premtimet e kandidateve, mendoj që  nuk janë edhe aq të besueshme, duke u nisur edhe nga herët e kaluara, kur kemi pasur të njëjtat premtime sikur në këto zgjedhje. Pra, besueshmëria po zvogëlohet me përsëritjen e premtimeve sa herë që po kemi zgjedhje. Duke u bazuar në ato që raportojnë mediat, mendoj se situatë e ngjashme është edhe nëpër komunat tjera.>>

Të dhënat nga observimet që janë bërë nga organizatat dhe mediat vendore, tregojnë se disponimi i qytetarëve është megjithatë i ulët. Kjo tregon se kandidatët nuk kanë arritur që t’i impresionojnë qytetarët dhe se besimi ndaj tyre nuk është ngritur aspak.

Por zbërthyer në përqindje, për Albert Mjekun, kur bëhet fjalë për politikanë lokalë, besueshmëria është e lartë:

<<Në nivelin komunal ju besoj rreth 70 %.>>.

Por ajo bie në mënyrë drastike kur bëhet fjalë për qeverisje qendrore:

<<Ndërsa, në përgjithshëm sa i përket qeverisjes qendrore, nuk mendoj se duhet t’u besohet>>.

Sfidat e Republikës së Kosovës, respektivisht institucioneve të saj për kultivimin e demokracisë, janë ende të mëdha. Ndërsa barrierat kryesore të cilat duhet tejkaluar sipas ekspertëve vendor e ndërkombëtarë, mbeten lufta ndaj korrupsionit, përmirësimi i sistemit arsimor, shëndetësor dhe përgjithësisht mirëqenies qytetare. Në këtë drejtim, institucionet qeverisjet lokale kanë shumë punë për të bërë, prandaj edhe pritshmëria e qytetarëve është e madhe./ImerTopanica/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet