Infermierja në frontin e luftës me koronavirus

Marigona Haziri, infermiere në Klinikën Infektive në Prishtinë, u detyrua të qëndrojë tre muaj në një banesë me qira larg prindërve me të cilët jeton, nga frika se mund të infektohej me koronavirus dhe mund ta bartë atë tek familja e saj.

Ajo tash ka filluar të udhëtojë për në Vushtrri prej nga vjen, por thotë se frika vazhdon të jetë e pranishme.

“Virusi nuk është gënjeshtër. Po shoh komente në rrjetet sociale që e thonë këtë, por jo, nuk është ashtu. Sikur ata të shohin gjendjen në Klinikën infektive siç ne personeli e shohim, besoj që çdo qytetar do të respektonte masat mbrojtëse dhe do të ruhej nga ky virus”, thotë ajo.

Në një rrëfim për Radion Evropa e Lirë, Haziri spjegon vështirësitë me të cilat po përballet për të shpëtuar jetën e pacientëve të infektuar me virus tani e katër muaj.

Haziri, e cila tre vite më parë ka nisur profesionin e infermieres në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, thotë të mos jenë përballur asnjëherë me një gjendje të tillë çfarë e ka shkaktuar koronavirusi.

“Një ditë e zakonshme në gjendje normale në Klinikën Infektive është më e qetë, por tani në pandemi kemi shumë punë. Në ora 7:00 fillon ndërrimi i ditës deri në ora 19:00. Sot (2 qershor) kam ardhur (në Klinikën Infektive) në ora 7:00 të mëngjesit, tek pacientat kam hyrë në ora 7:30 dhe kam mbetur e veshur me rroba deri në ora 14:00 për shkak të punëve të shumta”.

Numri i madh i pacientëve të hospitalizuar, thotë infermierja Marigona Haziri, bën që puna të bëhet pa pushim.

“Për shkak të mbingarkesës me pacientë të hospitalizuar jemi të detyruar të jemi të veshur me ato rroba që të mbrojnë nga koronavirusi deri në 7 orë, pa ngrënë dhe pa pirë, pra të izoluar ”, thotë ajo.

“Tash ora është 15:00, pak më herët kam ngrënë bukë nga dita e djeshme”, shtoi Haziri.

Mbingarkesa në Klinikën Infektive i ka lodhur infermierët

Rastet e para me koronavirus, Kosova i ka shënuar më 13 mars. Deri më 3 korrik, numri i të prekurve me koronvirus në Kosovë ka arritur në 3.064 dhe 55 persona kanë humbur jetën.

Pas rritjes së numrit të rasteve të reja me koronavirus javëve të fundit, gjendja në Kliniken Infektive në Prishtinë është jashtëzakonisht e rënduar dhe kapacitetet e klinikës janë pothuajse të mbushura. Numri i të hospitalizuarve në Kliniken Infektive ka filluar të rritet që nga fillimi i muajit qershor, kur ka filluar faza e tretë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit.

Më datën 2 korrik, në Klinikën Infektive kanë qenë të hospitalizuar mbi 100 pacientë.

Marigona Haziri thotë se puna në Klinikën Infektive çdo ditë e më shumë po bëhet më e vështirë, por që kjo nuk i ndal infermierët dhe gjithë personelin shëndetësor të luftojnë me virusin.

“Është mjaft e vështirë, por me punë dhe angazhim jo vetëm nga unë, por komplet stafi i Klinikës Infektive kemi angazhim të madh, dhe kemi motiv që të punojmë me këto raste dhe nuk po lodhemi asnjëherë”, thotë ajo.

Pagat e infermierëve në Kosovë në vazhdimësi janë konsideruar të ulëta. Paga e një infermieri në Kosovës është rreth 400 euro në muaj.

Gjatë kohës së pandemisë, Qeveria e Kosovës pati vendosur që gjithë stafit shëndetësor t’i ndajë një shumë prej 300 eurosh për dy muaj (prill – maj), si shpërblim për punën që e kanë bërë.

Kurse numri i punëtorëve shëndetësorë në Kosovë të infektuar me koronavirus, që shkakton sëmundjen Covid-19, deri me datën 30 qershor, ka arritur në 160. Përveç kësaj, 500 punëtorë shëndetësorë janë duke qëndruar në izolim, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë nga Federata Sindikale e Shëndetësisë.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet