Inaugurimi i Biden/ Protesta të armatosura, policia “blindon” SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në prag të inaugurimit të presidentit të ri, Xho Bajden, por situata në vend duket e acaruar.

Paralajmërimet e FBI-së se ardhja e tij në pushtet e do të pritej me protesta të armatosura u konfirmuan që të dielën.

Godinat e legjislativit në Teksas, Floridë, Kaliforni dhe Miçigan rritën prezencën policore pasi përkrahësit e presidentit në ikje, Donald Tramp, tubuan me armë në krah kundër qeverisë.

Disa nga aderuesit e grupit ekstremist antiqeveritar, “Boogaloo Bois”, folën për revolucion.

“Nuk duhet të kemi frikë t’i mbrojmë të drejtat kur na shkelen, kudo dhe sado tiranik të jetë regjimi ku jetojmë. Duhet të çohemi dhe të luftojmë për liri. Këtë bënë edhe paraardhësit tanë.

Mund të trembim nga pamja e jashtme por ne jemi këtu paqësisht. Nuk po i prekim e as po i përdorim armët tona. Jemi këtu thjesht për t’i treguar qeverisë se nuk ia kemi frikën dhe do i qëndrojmë asaj që ne e mendojmë si të drejtë.”

Përballë tyre qëndronin edhe qytetarë të cilët nuk e kuptonin qëllimin e protestës dhe mbështetjen për republikanin Tramp.

“Trampi është një fashist. Jo vetëm kaq, por ai ka përdorur influencën e tij dhe mënyrën se si e përhap opinionin, për t’u shpëlarë trurin simpatizantëve, aq sa ata e shohin si një Zot.”

Më shumë se 25 mijë trupa të Gardës Kombëtare janë duke siguruar edhe Uashingtonin, kryeqytetin ku do të mbahet ceremonia e betimit të Bajdenit paraditen e së mërkurës.

Ekipi i tij u ka kërkuar amerikanëve që ta ndjekin ceremonialin nga televizioni dhe t’i shmangin udhëtimet drejt Kapitolit atë ditë, për shkak edhe të pandemisë së kovidit-19.

Ndërsa Bajdeni pret të marrë zyrtarisht presidencën, ai ende nuk ka marrë urimin e paraardhësit të tij, Tramp, që vazhdon të pretendojë se i fitoi ai zgjedhjet e 3 nëntorit.

Kategoritë
BotaLajme