“Inatet mes subjekteve politike bëjnë që ato t’i harrojnë parimet e tyre”

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma Ramush Haradinaj, nuk po gjen mbështetje as nga koalicioni LDK-AKR- Alternativa e as nga Lëvizja Vetëvendosje, për të krijuar qeverinë pasi që koalicioni PAN doli i pari nga zgjedhjet e 11 qershorit. Në anën tjetër kandidati për kryeministër i LVV-së Albin Kurti po pret dështimin e Hardinajt, për të themeluar qeverinë e re duke shpresuar në mbështetjen e koalicionin LAA.

Njohësit e çështjeve politike kanë dhënë mendimet e tyre lidhur me një koalicion të mundshëm mes LDK-së dhe LVV-së përkundër refuzimeve mes vete. Disa prej tyre mendojnë se një koalicion i tillë i duhet vendit, ndërsa disa të tjerë thonë se koalicioni mes LDK-së dhe LVV-së nëse veç bëhet do të jetë i pavlerë, shkruan Gazeta e Re.

Analisti Arsim Haziri mendon se LAA në asnjë mënyrë nuk do të jetë pjesë e partneriteti politik me koalicionin PAN, pasi që PDK është pjesë e tij e që sipas Hazirit, koalicioni i vitit 2014 mes PDK-së dhe LDK-së i shkaktoi dëme kësaj të fundit, duke mos lënë hapësirë për bashkëpunime tjera. Përderisa PAN-i nuk i ka numrat për të formuar qeverinë, kjo sipas Hazirit u krijon mundësi për bashkëpunim LVV-së dhe LAA-së.

“Aktualisht, PAN, nuk posedon shumicën parlamentare për t’ia dhënë mundësinë në konstituimin e organeve shtetërore, dhe duke pasur këtë problematikë ky koalicion, krijon hapësirë të konsiderueshme për një bashkëpunim të mundshëm ndërmjet LVV-së dhe LAA-së. LDK-ja, për të rikthyer sadopak elektoratin e humbur pёr shkak të martesës politike me PDK-në, duhet t’i zbus qëndrimet e tyre karshi kërkesave të tyre dhe të pranojë për mandatar kandidatin e LVV-së për kryeministër. Kjo pra është mundësia që LDK, të rikuperojë rrjedhën qytetare, që edhe i listoi si subjekt politik në vendin e tretë. LDK dhe LVV, konsideroj se mund të hartojnë një program harmonizues, ku secila do t’i paraqiste pikat e veta, dhe një dakordim potencial do të ishte e favorshme si për vetë këto dy forca ashtu edhe për zhbllokimin eventual të institucioneve ashtu edhe për orientimin e vendit drejt një progresiviteti të përgjithshëm” potencoi Haziri.

Tutje për Gazetën e Re ai tha se e sheh si të mundshëm një koalicion të tillë përkundër qëndrimeve thuaja të ndryshme që këto subjekte kanë mes vete. Udhëheqja prej një koalicioni LAA me LVV-në sipas Hazirit do të jetë një qeverisje më e fuqishme dhe më stabile.

Pro një koalicioni mes LAA-së dhe LVV-së është edhe njohësi çështjeve politike Islam Krasniqi. Mirëpo, ai thotë se inatet mes subjekteve politike kanë bërë që ato të harrojnë parimet e tyre. Sipas Krasniqit, PAN do të ketë problem ta formojë qeverinë me Haradinajn sepse sipas tij “dëshira shumë e madhe e tyre për pushtet nga të gjithë, dhe koalicionet parazgjedhore thyen të gjitha ato parime, ato vlera të cilat i shpreheshin në mënyra të ndryshme subjektet politike, edhe përkundër respektit ndaj mandatarit, nuk do e përkrahin atë”.

“Lideri i LVV për kryeministër Albin Kurti, po shpreson në dështimin e liderit të AAK-së njëherësh i nominuar edhe nga PAN-në z.Haradinaj, dhe duke shpresuar së do ta ketë përkrahjen e LAA-së, që të ruaj për vete postin e të parit të qeverisë. Mes koalicioneve është ndërtuar një inat politik sa që parimet në të cilat janë thirrur nuk ekzistojnë më, e që do të përkraheshin LVV-ja dhe LAA-ja njëra tjetrën vetë që të dërgojnë në opozitë PAN-in. Një koalicion i tillë mendoj së do të ishte i mirë për të gjithë, sepse shumë gjëra do të ishin pastruar, dhe do të binin në binarë, dhe VV-ja thirret në atë që do ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin gjersa LAA-ja do të përkrahte, e që Kosovën do ta ofronin më ngatë shtëpisë së madhe evropiane”, është shprehur Krasniqi.

Ndryshme mendon analisti Faton Mehmeti, i cili mendon se një koalicion paszgjedhor mes LDK-së dhe LVV-së do të jetë i pavlerë pasi që sipas tij LVV-së nuk do t’i jepet mundësia për ta formuar qeverinë e ardhshme. Për shkak se ligjërisht, formimi i qeverisë i takon subjektit të parë të dal nga zgjedhjet, ai thotë se nëse Haradinaj nuk arrin t’i ketë numrat e nevojshëm për tu bërë kryeministër atëherë sipas Mehmetit, Presidenti Thaçi mund të mos i jap LVV-së mandatin për formimin e qeverisë.

“Edhe nëse z.Haradinaj nuk arrin të mbledh numrin e nevojshëm prej 61 deputetëve për të bërë koalicionin, vakumi ligjor nuk përcakton se kandidati tjetër nga koalicioni apo partia e dytë i takon e drejta për të formuar qeverinë. Dhe kjo hapësirë ligjore i lejon Thaçit që të manipulojë si të dëshiron, duke mos ia dhanë VV mandatin për të formuar qeverinë, nëse koalicioni fitues PAN nuk arrin pra të mbledh numrin e nevojshëm të votave. Në këtë situatë janë të munduara dy opsione, ose Ramushi do i sigurojë 61 vota ose vendi shkon në zgjedhje bashkë me ato lokale. E nëse ndodh kjo e dyta atëherë VV dhe LDK mund të lidhin koalicion parazgjdhor, dhe sigurisht do dal fitues, vetëm atëherë mund të flitet për formulën dhe funksionimin e një koalicioni të mundur VV-LDK, në këtë situatë edhe mund të bëhet një koalicion i tillë por do jetë nul (i pavlerë)”, përfundon Mehmeti.

Kujtojmë që pas përfundimit të zgjedhjeve LVV disa herë i ka bërë ftesë publike LAA-së për një koalicion paszgjedhor me qëllim të dërgimit në opozitë të PDK-së, mirëpo nuk ka marrë ende përgjigje pozitive. Ndërsa, pas certifikimit të rezultateve, Haradinaj ka ftuar për takime LAA-në dhe LVV duke mos specifikuar qëllimin e këtyre takimeve, mirëpo që të dyja këto subjekte refuzuan të merrnin pjesë në një takim të tillë. E Presidenti Thaçi, të cilit i takon të mandatojë fituesin e zgjedhjeve ta formojë qeverinë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma./Yllnorë Shala/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet