Ilmi Rexhepi: Rilindësit theksuan aq shumë dashurinë për gjuhën

Ilmi Rexhepi ka tërhequr vëmendjen me përkushtimin e tij në kultivimin e gjuhës. Profili i tij profesional, më saktë, si <<njeri i fesë>>, i ka bërë kureshtarë të gjithë ata që kanë kërkuar përgjigje në pyetjen; nëse mund të ketë harmoni ndërmjet fesë e kombit. Rexhepi, ndërkaq, ka dëshmuar me anë të veprave se binomi i hershëm i rilindësve: atdhe/fe; mund të funksionojë edhe sot në kohën e një tranzicioni të egër kulturor. 

Ai është edhe njohës i arabishtes, përkthyes i disa veprave nga kjo gjuhë, si dhe dhjetëra artikujve. Është paraqitur me kumtesa shkencore edhe në seminare të ndryshme, tryeza e diskutime, ndër to edhe në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën dhe Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, ai u është përgjigjur pyetjeve që kanë të bëjnë pikërisht me trajtimin  e gjuhës nga ana jonë, si një ndër “elementet thelbësore të identitetit tonë kombëtar”. Ai ka reflektuar edhe mbi nevojën e përkthimeve, përkatësisht nevojën e organizimit institucional në këtë drejtim. Për këto dhe shumëçka tjetër, lexojeni intervistën në vijim.

GER: z. Rexhepi, ç’lidhje ka gjuhësia me fenë? Më saktë; prej nga ky pasion për njohjen e fushave të gjuhësisë dhe sa u hyn në punë kjo njohje, leksioneve fetare?

I.Rexhepi: Gjuha shqipe është elementi thelbësor i identitetit tonë kombëtar. Ndjenja kombëtare më si miri kultivohet nëpërmjet dashurisë dhe mësimit të gjuhës shqipe. Dashuria për gjuhën pastaj, me kohë, ndërvepron me kurreshtjen shkencore dhe merr formën e një misioni jetësor. Kjo vlen jo vetëm për një shqiptar që do gjuhën e vet, kjo qëndron edhe nga pikëpamja e historisë së gjuhës shqipe, rilindësit theksuan aq shumë dashurinë për gjuhën, pastaj u sollën kontribute shkencore për gjuhën, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore nga gjuhëtarët tanë eminentë.

Kurse sa i përket lidhjes së gjuhës me fenë, Zoti disa herë e përmend që Kuranin e ka zbritur në gjuhën arabe dhe e lidh këtë me qëllime të kuptimit. Gjuha arabe është gjuhë gramatikore, si shqipja, që i bie se pa i mësuar rregullat, nuk e zotëron dot gjuhën standarde.

Me këtë rast, sa për të argumentuar lidhjen fe-gjuhë, po ndalem të shpjegoj për rëndësinë e njohjes dhe të identifikimit të funksioneve sintaksore për përkthimin e Kuranit.

Për të përkthyer ajete të Kuranit shumë rëndësi ka të dish funksionet sintaksore që kanë fjalët dhe fjalitë e atyre ajeteve, sepse përcaktimi i funksioneve sintaksore është rrjedhojë e përcaktimit të kuptimeve dhe raporteve që synohen ndërmjet fjalëve e fjalive. Pra, përcaktimi i funksioneve sintaksore të fjalëve dhe fjalive të ajeteve të Kuranit është interpretim-tefsir i Kuranit i dhënë me terma gramatikorë.

Për të konkretizuar këtë që thamë me përkthimet në gjuhën shqipe, po marr një shembull, në të cilin dallimet në përkthim janë më të kapshme për lexuesit e rëndomtë sesa në rastet e tjera më të shpeshta, në të cilat dallimet janë më të fshehta.

Le të krahasojmë përkthimin e katër ajeteve të sures “Elbekare”, si janë përkthyer nga Hasan Nahi dhe si kanë dalë ato pas redaktimit nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam:

Përkthimi i Hasan Nahit:

“1.Elif, Lam, Mim.

Ky libër, është i padyshimtë, udhëzues për të gjithë ata që i druajnë dënimit të Perëndisë të cilët u besojnë gjërave të padukshme (në bazë të argumenteve mendore) dhe bëjnë namaz dhe japin nga ajo që ju kemi dhënë; të cilët besojnë që të ka zbritur Ty (Kurani) dhe atyre para Teje (pejgamberëve tjerë) dhe që padyshim i besojnë jetës tjetër”

Kurse përkthimi i tij, pas redaktimit nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, duket kështu:

“1. Elif, Lam, Mim.

  • Ky është libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit,
  • të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne;
  • dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër”

Vërtet, teksti i redaktuar nga Instituti, ndryshe nga teksti i parë, nuk ka gabime gjuhësore dhe duket më i rrjedhshëm për shkak të organizimit të mirë sintaksor, por përkthimet për ajetin katër kanë dallim të ndjeshëm ndërmjet vete kuptimisht.

Ndërsa sipas tekstit të parë, përmbajtja e ajetit katër është shtjellim, sikurse edhe përmbajtja e ajetit tre, i fjalës “elmuttekin” (shprehur sipas analizës gramatikore arabe: fjala “el-ledhine-të cilët” është “matuf” për fjalën “el-ledhine” të ajetit tre, e cila është “përcaktor” i fjalës “elmuttekin”, pra, sipas këtij përkthimi, fjalitë në ajetin katër vazhdojnë të shtjellojnë përmbajtjen e fjalës “elmuttekin”, gjë që është interpretim i mbështetur nga interpretuesit autoritativë të Kuranit); në tekstin e redaktuar nga Instituti Shqiptar për Mendim dhe Qytetërim Islam te ajeti katër përemri dëftor “dhe për ata që” jepet si gjymtyrë homogjene me fjalën “elmuttekin”, pra, sipas tekstit të paraqitur kështu, i bie që Kurani të jetë udhëzim edhe për ata që përmenden në ajetin tre, edhe për ata të tjerët që përmenden në ajetin katër, si dy grupe të veçanta, gjë që përbën interpretim të cilin, sado që kam hulumtuar nëpër tefsire dhe libra që analizojnë gramatikisht Kuranin, nuk e kam gjetur askund.

Sfida më e rëndë e atij që ia mësyn përkthimit të Kuranit, nuk është vetëm si ta japë sa më të plotë kuptimin e origjinalit, por edhe si të pengojë të mos rrjedhin në përkthim kuptime që nuk përmbahen në origjinal, madje shtimi i kuptimeve në krahasim me mosdhënien e plotë ka ndjeshmëri më të madhe fetare.

GER: Si njohës edhe i arabishtes, a keni guxuar të shkelni edhe në fushën e përkthimeve?

I.Rexhepi: Kam përkthyer në vitin 2006 një libër nga shkenca-arti i logjikës “Kritika ndaj logjikës së Aristotelit” të dekanit të fakultetit të filozofisë të Universitetit të Kajros. Kam përkthyer librin “Dhjetë të përgëzuarit për Xhenet” dhe përkthej herë pas here artikuj studimorë.

GER: Besoj që pajtoheni kur themi se, me gjithë numrin e madh të përkthimeve, lexuesi shqiptar ka nevojë ta njohë edhe më mirë civilizimin islam, artin, filozofinë?

I.Rexhepi: Po, gjithsesi. Si myslimanë që jemi, na takon më shumë që në gjuhën tonë të kemi veprat kapitale të autorëve myslimanë të popujve të tjerë, sidomos të arabëve dhe të turqve. Në gjuhën shqipe më shumë janë përkthyer vepra të karakterit didaktik. Për veprat kapitale mendoj se, ose duhet të ketë ndërmarrje institucionale, madje edhe më mirë ndërinstitucionale, në të cilën të bashkëpunonin Prishtina, Tirana dhe Shkupi, ose të vlerësohet se ka interesim nga rreth i madh i lexuesve e të kenë interes shtëpitë botuese private. Ka rëndësi që nisma të ndërmerret nga njerëz të përkushtuar dhe jo të pushtohet ideja e pastaj të mos bëhet gjë.

GER: A ka origjinë paragjykimi ndaj muslimanëve (i të gjitha formave qoftë), i cili haset edhe sot e kësaj dite mjaft dendur në opinionin publik, në këtë – nëse mund ta quajmë, injorancë karshi civilizimit islam?

I.Rexhepi: Paragjykimi ndaj Islamit te ne është me origjinë të huaj. Megjithatë, nëse e vështrojmë si frikë nga ajo që do të sjellë shoqëria gjithnjë e më fetarizuar, dalloj disa paragjykime. 1. Ai me origjinë të huaj që e sjellin kryesisht mediet dhe i cili nuk gjen pranueshmëri jashtëmediale. 2. Ai burimor, i cili qëndron në frikën se mos fetarizimi i shoqërisë po na i humb vlerat tona dhe ekuilibrat e shoqërisë shqiptare. Paragjykimi i parë nuk meriton vëmendje, kurse me këtë të dytin duhet të ndërveprohet. Kurrikulat e institucioneve arsimore fetare vazhdimisht duhet të përtërihen duke kërkuar mësimet më të arrira dhe metodat më të përshtatshme për të mbjellë dhe për të kultivuar ndjenjat dhe vlerat fetare dhe ato kombëtare.

Fatmirësisht, ne kemi institucion të njësuar të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe që drejtohet nga njerëz me kontribut të veçantë për çlirimin e vendit dhe që vijnë nga familje fisnike, të dëshmuara për kauzën shqiptare edhe në historinë më të largët. Kjo përbën kapital të madh moral të vendit tonë dhe është garanci për zhvillimin institucional burimor dhe për mbajtjen e ekuilibrave të shoqërisë shqiptare.

Feja jonë nuk është vetëm dogmatike siç e pandehin ata që nuk e marrin mundimin për ta vështruar, të paktën, me objektivitet.

Në ajetin 110 të kaptinës Ali Imran, Zoti thotë:

“Jeni ymeti më i mirë nga njerëzit, sa kohë që urdhëroni të veprohet e mbara e të mos veprohet e mbrapshta dhe i besoni Allahut…”

Sikur feja islame të ishte e tillë (vetëm e vetëm dogmatike), në të cilën të ketë interesim vetëm për dogmën dhe jo edhe për humanizmin, vlerat…, nuk do ta renditte Zoti besimin në Të të fundit në këtë ajet, pasi që ka lavdëruar më parë bashkësinë e Muhamedit a.s. që thërrasin të tjerët të bëjnë vepra të mbara e të mos bëjnë vepra të mbrapshta.

Madje, dijetari Esh-Sharavi, në këtë renditje ka vërejtur pohim kuranor që ka dhe do të ketë edhe nga ata që nuk janë myslimanë që anojnë dhe thërrasin për vepra të mbara e kundër të mbrapshtave.

Ndërkaq, është e vërtetë që shumë myslimanë, nga mënyra si e kuptojnë e si e performojnë fenë në raport me vlerat e përbashkëta humane e me të tjerët, të lënë përshtypjen se feja e tyre qenka vërtet “puro” dogmatike.

Dijetari Muhamed esh-Sharavi duke vërejtur se në këtë ajet Zoti, duke lëvduar një kategori njerëzish, më parë u përmend që urdhërojnë për bërje të veprave të mbara e për mosbërje të punëve të mbrapshta e tek pastaj ua përmend besimin (Jeni ymeti më i mirë nga njerëzit, sa kohë që urdhëroni të veprohet e mbara e të mos veprohet e mbrapshta dhe i besoni Allahut…), thotë që Zoti është shprehur me këtë renditje për të lënë të kuptohet se do të ketë edhe të tjerë, që nuk janë ymet i Muhamedit a.s., që do të anojnë nga e mbara dhe që do të thërrasin për të mbarën.

Lëvdata në këtë ajet për ymetin e Muhamedit a.s. se janë ymeti më i mirë, jepet e kushtëzuar: jeni ymeti më i mirë nëse/sa kohë që urdhëroni të veprohet e mbara e të mos veprohet e mbrapshta…

Ky kushtëzim nuk shprehet me fjalë të pavaruara, por përftohet nga lloji i lidhjes sintaksore të fjalive: nga mungesa e një fjale shërbyese nëpërmjet së cilës do të lidheshin fjalitë, në gjuhën kuranore përftohet kuptimi i kushtit si raport ndërmjet kuptimeve të fjalisë kryesore dhe të asaj të varur (jeni kështu, nëse ruani këtë karakteristikë).

Prandaj, kur ky ajet përkthehet në gjuhë të tjera, si në gjuhën shqipe, për ta dhënë dhe këtë kuptim të kushtit që përmbahet në ajet; idenë e raportit kushtor ndërmjet kuptimeve të fjalive duhet ta japim me fjalë – me mjete lidhëse: jeni ymeti më i mirë nga njerëzit nëse/sa kohë që urdhëroni të veprohet e mbara e të mos veprohet e mbrapshta.

GER: Tashmë jemi në mes të Ramazanit, muaj i veçuar ky, sipas kalendarit islamik. Si besimtar, ç’mësime duhet të nxjerrim nga kjo përvojë?

I.Rexhepi: Ramazani është koha kur më së shumti gjen shprehje mëshira e Zotit dhe prandaj vërejmë se shumë njerëz ndriçohen e drejtohen pikërisht në Ramazan. Kur ka përmendur Zoti Ramazanin, njëherë  ka folur për vlerën e tij duke na treguar se në të ka zbritur Kurani e pastaj na ka dhënë urdhrin që ta agjërojmë. Edhe librat e tjerë të Zotit, siç na ka treguar i Dërguari a.s., kanë zbritur në Ramazan: Suhufet e Ibrahimit a.s. në natën e parë të Ramazanit, Tevrati në natën e gjashtë të Ramazanit, Zeburi në natën e dymbëdhjetë të Ramazanit dhe Inxhili në natën e tetëmbëdhjetë të Ramazanit.

Etja e uria janë si retë, kur etet e uritet robi, si qielli shi, zemra i lëshon urtësi. Ramazani është rasti më i mirë të lutemi për tanët që Zoti t’i falë, t’i mëshirojë, të lutemi edhe për veten tonë në këtë botë dhe në tjetrën. Forcohet karakteri duke agjëruar, ndihmohen njerëzit më shumë…, besoj se secili, sipas nevojave të veta, e gjen Ramazanin ndihmëtar të madh.

Agjërimi ka në vete filozofi të thellë. Kuran na mëson se me agjërim ishin të obliguara edhe ymetet e tjera.

Fakti që nuk hamë e nuk pimë, dy veprime këto që janë shkaqe gjallërie për jetën njerëzore, dhe as bëjmë marrëdhënie intime, veprim ky që është shkak i riprodhimit-shtimit njerëzor; na e lë mesazhin se ne, kur po mundkemi të bëjmë pa këto, atëherë e kemi shumë më të lehtë të tërhiqemi nga veset, huqet e robërimet shpirtërore e fizike të tjera e të cilat nuk na janë as shkaqe gjallërie e as shkak riprodhimi-shtimi njerëzor.
Pastaj, kur na vjen iftari dhe hamë e pimë, trupi na e kërkon pushimin, kurse ne pikërisht atëherë nisemi për xhami që të bëjmë pas sijamit-agjërimit kijamin-faljen e teravive, edhe një herë kështu ia prishim nevojës trupore, duke edukuar shpirtin e trupin, sa pas një kohe na vjen krejt tamam falë këtyre adhurimeve-ibadeteve të projektuara për ne nga Allahu me urtësitë e Tij.

Vërtet pa Ramazanin, edhe njerëzit më fetarë, do të mundeshin nga robërimet e dynjasë dhe s’do të kishin si të çliroheshin nga robërimet e nefsit e të trupit , mbase kjo është e synuara me fjalën e Allahut që e thotë qëllimin e Tij pse na ka obliguar agjërimin e Ramazanit (…që të bëheni të devotshëm).

GER: Krejt për fund, duket që me po aq pasion ndonjëherë ju vjen ta kultivoni edhe poezinë, kryesisht me tematikë fetare por edhe atdhetare, si funksionon kjo dikotomi (atdhe/fe), sipas jush? 

I.Rexhepi: Po, shkruaj letërsi, edhe në prozë edhe në poezi. Në vitin 2015 kam botuar përmbledhjen “Pyet zemrën tënde – Njerëzi, fetari, shqiptari”.

Para se të merresha me teoritë, letërsinë e kam konceptuar si një të ardhur për të shprehur në mënyrë artistike një realitet të mundshëm dhe këtë koncept nuk di ku ma kanë ndryshuar në thelb teoritë e lexuara.

Me këtë rast po rikujtoj që letërsia, si veprimtari me qëllime të mbara, është e çmuar nga feja, gjithashtu edhe leximi i saj.

Kurani, në suren “Esh-shuara” lëvdon ata që shkruajnë letërsinë për qëllime të mbara.

Sikur që ka sevape, siç ka thënë i Dërguari a.s., një njeri që paramendon se, sikur të kishte pasuri si filani, do të jepte për bamirësi aty e këtu; ashtu ka sevape edhe ai që duke lexuar letërsi, solidarizohet me personazhet pozitive e u mban anën drejtësisë, të dobëtit. Pastaj, duke lexuar letërsi, mëson nga gjuha, përfiton forma të të shprehurit, mëson nga përvojat jetësore të personazheve… /Gazetaere.com/

 

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet