Ilirjana Gjoni, pianistja ulqinake që kultivon muzikë klasike në Perëndim

Ndihem shumë krenare që më jepet mundësia që të prezantoj veten time, por edhe popullin tim me të gjitha veçantitë që ka, thotë për Zërin e Turqisë pianistja nga Ulqini, Ilirjana Gjoni, që sot shkallët e suksesit i ngjit në Gjermani.

Unë fillova të luaj piano në moshën nëntëvjeçare si një ndër nxënësit e parë të gjeneratës së parë të shkollës së ulët të muzikës në Ulqin. Ishte një rastësi shumë e mirë që u hap kjo shkollë. Unë kam pasur interes ndaj pianos që në moshë fare të vogël. Kam dashur gjithmonë të luaj piano. Hapja e shkollës së muzikës në Ulqin ishte një mundësi që ëndrra ime të behej realitet. Unë fillova të marr mësimet e para pranë kësaj shkolle. Pas dy tre viteve filluan aktivitetet e mia me pjesëmarrjen në konkurse të ndryshme, më parë republikane, ku fitova çmimet e para, pastaj në ato mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat vazhdimisht sillnin kënaqësi dhe një lloj shpërblimi ndaj punës, e cila ishte shumë e madhe dhe me shumë orë studim në piano. Pianoja ishte një hobi pastaj u bë një pasion për mua, me të cilin kaloja pjesën më të madhe të kohës sime. Rruga ime në piano ka nisur nga Ulqini për të shkuar pastaj në shkollën e mesme të muzikës në Podgoricë, ku jam shpallur edhe nxënësja më e mirë e gjeneratës. Pastaj kam vazhduar në Akademinë e Arteve të Tiranës në e mësuese Nora Çashkut, ku mbarova me notën më të lartë dhe fitova një bursë studimi pranë konservatorit italian “Luisa D’anucio” në Peskara të Italisë. Aty u ndjeva shumë mirë, mirëpo unë kisha dëshirë të shihja edhe disa shtete të tjera perëndimore, kështu që u interesova për shkëmbimet studentore Erasmus që janë shumë të njohur në botën perëndimore dhe në këtë mënyrë unë mbërrita deri ne Gjermani. Aty mbarova dy mastera. Atë për piano dhe muzike dhome me notat më të larta.

Suksese në skenat evropiane. Ilirjana, pedagoge e pianos në shkollat më elitare të Mynihut. 

V. Katana:Është bukur dhe krenari për në që të na prezantojnë të rinj artistë jashtë shtetit siç jeni ju. Si e ndjeni veten në mesin e kolegëve artistë pianistë në Gjermani?

I. Gjoni: Ka dy vite që kam lëvizur drejt Mynihut. Atje jam profesoreshë e pianos në një nga shkollat më ekskluzive atje. E ndjej veten shumë mirë. Mali i Zi është shtet i vogël, ne shqiptarët jemi popull shumë i veçantë, prandaj jam shumë e lumtur që kam mundësi të prezantoj karakterin tonë, sepse normalisht vendet perëndimore janë një lloj udhëkryqi, ku takohen shumë kultura dhe secila nga to ka atë shijen e vet. Njerëzit janë shumë kuriozë që të njohin njerëz sa më të veçantë dhe nga kjo anë nuk i bie shumë shpesh që të njohin një shqiptare nga Mali i Zi. Është diçka tejet interesante. Një person nga një vend kaq i vogël siç është Ulqini të ketë marrë për sipër një rrugë kaq të vështirë dhe t’ia ketë dalë që të punojë me profesorët dhe me pianistët më të mirë të Mynihut. Ndihem shumë krenare që më jepet mundësia që të prezantoj veten time, por edhe popullin tim me të gjitha ato veçantitë tona.

Pianoja një ëndërr fëmijërie që e kam përjetuar ndër vite.

V. Katana:Ilirjana, ju keni pasur mjaft koncerte dhe prezantime në shumë qendra dhe ç’do herë jeni lançuar me çmime. A është vështirë që të arrihet ky sukses?

I. Gjoni: Kur je i vogël dhe kur ke dashurinë e madhe për të njohur muzikën klasike, për të njohur kompozitorët etj. Suksesi vjen shumë thjeshtë. Edhe studimi është shumë i thjeshtë, normalisht orët e punës janë të shumta, por kurioziteti është i madh dhe kur merr çmime të ndryshme vazhdimisht ndjehesh i motivuar për të vazhduar më tej. Për këtë arsye sfidat nuk i kam pasur të vështira. Vërej tek gjeneratat më të reja që kanë nevojë për shtytje nga prindërit e tyre. Tek rasti im ka qenë e kundërta. Unë nuk kam pasur nevojë për nxitje nga prindërit, sepse pianon e kam pasur pasion.

Jeta me pianon që dhuron kënaqësi dhe emocione.

V. Katana: Në ditët e sotme, të paktë janë artistë e sidomos nga vendi i jonë që kanë guximin dhe nisen drejt rrugës së kultivimit të muzikës klasike. Sipas jush cila është arsyeja?

I. Gjoni: Këtë mendim e kemi ne, që gjithmonë perëndimi ose shtetet më të mëdha kanë më shumë interes, por faktikisht edhe në shtetet e mëdha përqindja e njerëzve që merren me art prapë është më e vogël kur krahasohet me profesionet tjera. Arsyet janë të ndryshme. Arsyeja në radhë të parë është se për të bërë këtë punë njeriu duhet të jetë i ftuar nga Zoti. Ta ketë rrugë jetësore sepse kjo është rrugë me shumë vështirësi dhe shumë peripeci dhe një rrugë që tejkalohet vetëm kur njeriu e merr për sipër të punojë me gjithë shpirt dhe me sinqeritet. Nga ana tjetër janë edhe të gjitha këto krizat botërore, të cilat të detyrojnë të mendosh më realisht, sepse kanë ardhur kohëra më të vështira dhe nuk është e thjeshtë që të përballohet jeta as këtu e as jashtë me të ardhurat e një artisti, të cilat në një kuptim material ndoshta nuk janë të larta, por në kuptimin shpirtëror janë me vlera të jashtëzakonshme si për njeriun ashtu edhe për shoqërinë. Dua të them edhe këtë që është shumë e bukur. Unë e njoh Gjermaninë. Ai është vendi ku unë jetoj prej 7 vitesh. Shteti ka marrë përsipër që të paguajë rreth 50% të sigurimeve për artistët, sepse ata janë kritikët e shoqërisë që reagojnë ndaj ç’do gjëje që ndodh në shoqëri, qoftë ajo e bukur apo e keqe në një mënyrë sa më të sinqertë. Me këtë fakt ata katalizojnë ndryshimet duke iu falënderuar artistëve.

V. Katana:Gjermania është ëndërr për të gjithë krijuesit dhe artistët, ndërkaq ju jeni një artiste që kërkoni gjithmonë më tepër dhe më shumë: A vazhdoni me të njëjtin ritëm? 

I.Gjoni: Mynihu është kryeqendër e shumë lëmive, ndër të tjera edhe e artit, andaj jam akoma më kërkuese dhe sfidoj veten çdo orë. Besoj se vetëm në këtë mënyrë artisti i vërtetë mbetet në treg, qoftë si pianist apo si profesor. Duhet vazhdimisht të jemi në një hap me kohën dhe ta vëmë veten gjithmonë në sfidë. Jam e kënaqur me ato që arrij. Për momentin jam në Gjermani e ndoshta në një të ardhme edhe mund të lëviz, nuk i dihet.

Në pritje të ftesës për t’u prezantuar para publikut në Turqi.

V. Katana:Ilirjana, meqë kjo intervistë do të transmetohet ekskluzivisht për dëgjuesit e radios Zëri i Turqisë në gjuhën shqipe, a do të kishit dëshirë që t’i prezantoheni edhe publikut të atjeshëm pra në Turqi?

I. Gjoni: Natyrisht se po. Unë në Turqi kam qenë para disa vitesh. Kam ngelur shumë e mahnitur me kulturën e tyre të jashtëzakonshme. Me gjithë dëshirë po të më jepej mundësia unë do të doja të dilja në ndonjë koncert edhe para publikut turk.

S’ka rëndësi nëse je nga një vend i vogël, me punë dhe përkushtim arrihet ç’do gjë.

V. Katana:Meqë kemi shkelur në vitin 2018-të. Cili do të ishte mesazhi juaj për të gjithë dëgjuesit?

I. Gjoni: Njerëzit duhet të besojnë tek forcat e veta dhe të jenë sa më punëtorë. Me punë realizohet ç’do gjë. Unë do të vazhdoj të punoj dhe uroj që të gjithë të kenë vullnetin, i cili nuk shteret para asnjë lloj sfide. S’ka rëndësi a vjen nga një vend i vogël apo i madh me punë dhe përkushtim arrihet ç’do gjë. Për këtë, unë jam një provë e gjallë.

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet