Ikja nga vendi, zgjidhja e vetme për disa kosovarë

Shkaqet e emigrimit të kosovarëve drejt vendeve perëndimore, ndër të cilat më së shumti synohet Gjermania, pa dyshim ndërlidhen me realitetin e rëndë ekonomik që sundon këtu e sa vite. Si fenomen, emigrimi, ka qenë përherë i pranishëm, ndërsa qytetarët shfrytëzojnë vazhdimisht të dy variantet, atë legal dhe ilegal për të ikur nga vendi. Sipas disa të dhënave, vetëm gjatë qershorit 404 kosovarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së. Qeveria dhe institucionet në përgjithësi, nuk kanë bërë asgjë në përmirësimin dhe ngritjen e standardit të jetesës, ndërsa rënia e vogël e numrit të atyre që orvaten të ikin nga vendi, nuk shënjon asgjë vetëm një qetësi përpara stuhisë  – shkruan Gazeta e Re.

Mungesa e perspektivës, mundësi të vogla punësimi, pagat e ulëta dhe pasiguria ekonomike, bënë që shumica e qytetarëve të mos mendoj zgjidhje tjetër vetëm se emigrimin. EASO, Agjenci Evropiane për Mbështetjen e Azilit, publikoi të dhënat për sa i përket muajit qershor, ndërsa konstatohet se krahasuar me muajin kaluar, ka një rënie të dukshme të kërkesave. Sipas agjencisë, 51300 kërkesa për azil janë paraqitur në qershor, që janë për 1600 më pak se në muajin maj. Në përgjithësi, në gjysmën e parë të këtij viti, në disa nga vendet më të dëshirueshme të BE-së janë paraqitur 301390 aplikime. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kërkesat kanë shënuar rënie për afro 15%.

Me gjithë numrin enorm të kërkesave, refuzimet për azil, janë po aq të larta. Nga 404 aplikacione, 389 janë refuzuar, 27 kanë fituar statusin e azilantëve ndërsa 18 kanë përfituar mbrojtje shtesë.

Sipas të dhënave të viteve të kaluara, mesatarja vjetore ka shënuar 34145 persona. Në vitin 2016-të për shembull,  nga Kosova kanë emigruar 8940 persona. Ndërsa sipas një artikulli të paradokohshëm të DW-së, nga periudha 2012-2016, në total, vlerësohet se kanë emigruar 122.657 persona. Por këtë shifër, nuk e përfshijnë vetëm migrimet legale, por edhe ilegale.

Sipas raportit të fundit të përpiluar nga Ministria e Punëve të Brendshme, për periudhën prill qershor të këtij viti, të dhënat kanë treguar se në pikat kufitare janë kthyer 435 persona të ri-pranuar nga shtetet e ndryshme perëndimore.

<<Prej tyre me forcë 219 (50.3%) dhe vullnetarë të asistuar nga IOM 216 (49.6%)!>> – thuhet ndër të tjera në raport. Se synimi i emigrantëve kosovarë mbetet kryesisht Gjermania, tregon e dhëna se nga të ri-pranuarit, 86 prej tyre vijnë nga ky vend, që pasohet nga Zvicra me 45, Suedia 25, Franca 25, Austria 7 dhe të tjerët nga vende të tjera.

Statistikat nuk kanë ndryshuar shumë me vitet e kaluara, sipas EUROSTAT numri më i madh i kosovarëve ka qenë i koncentruar në Gjermani me 47%, pastaj në Itali me 12%, në Francë me 9%, në Austri 9% dhe në Slloveni me 7%.

Punësimi, edukimi, bashkimet familjare etj, janë disa nga arsyet e emigrantëve, me të cilat justifikojnë lejeqëndrimet në vendet përkatëse. Natyrisht, frika më e madhe e autoriteteve kosovare, sikurse e atyre të BE-së, mbetet te ajo se, mos po përsëritet i ashtuquajturi eksod i viteve 2014 – të, 2015 – të. Eksod për të cilin nuk kishte të dhëna të sakta për numrin e të ikurve, por supozohet të ishte tejet e lartë. I frikshëm ishte fakti që edhe qytetarët e punësuar, me rrogë mbi mesatare (afro 500 euro) dhe madje me kontrata pune, linin gjithçka për të ikur nga vendi. Histeria e ikjes, pat përfshirë një masë të madhe të qytetarëve, diçka që, sipas njohësve të rrethanave, mund të përsëritet edhe nëse liberalizohen vizat. /Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet