Idlib, civilët e ikur nga sulmet e Asadit vuajnë nga bora dhe acari në tenda

Shumë tenda ku janë të vendosur civilët janë mbuluar me të bardhë, ndërsa disa të tjera janë rrënuar nga bora. Civilët, të cilët po kalojnë një periudhë të vështirë nën kushte të rënda, kërkojnë mënyra për t’u ngrohur.

Reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta në veri të Sirisë po vështirësojnë jetën e civilëve të cilët kanë mbetur pa shtëpi si pasojë e agresionit të regjimit të Bashar al-Asadit dhe aleatëve të tij, ndërkohë që shumë familje presin ndihma me të cilat shpresojnë t’i ngrohin tendat ku po qëndrojnë dhe fëmijët e tyre.

Qyteza Khirbat al-Jawz, e cila ka pritur rreth 30 mijë civilë të zhvendosur si pasojë e sulmeve të regjimit sirian dhe mbështetësve të tij, është përfshirë nga një mot i ftohtë dhe reshje të dëborës.

Shumë tenda ku janë të vendosur civilët janë mbuluar me të bardhë, ndërsa disa të tjera janë rrënuar nga bora. Civilët, të cilët po kalojnë një periudhë të vështirë nën kushte të rënda, kërkojnë mënyra për t’u ngrohur.

Familjet që qëndrojnë në tenda, duke dashur të sigurojnë sado pak ngrohje për fëmijët e tyre, kanë gjetur zgjidhje duke i djegur rrobat që i kanë sjellë me vete.

Musa Abu Rashit, një nga banorët e kampit në Khirbat al-Jawz, tha për Anadolu Agency (AA) se rajoni ku janë strehuar aktualisht po vuan nga temperaturat e acarta dhe reshjet e denudra të borës.

“Disa nga tendat u shkatërruan për shkak të borës së madhe, rrugët janë ndërprerë. Ata që duan të plotësojnë nevojat e tyre nuk mund të dalin nga tendat e tyre. Fëmijët nuk mund të shkojnë në shkolla. Në fakt, problemi më i madh është se njerëzit këtu nuk i kanë materialet e nevojshme për t’u ngrohur. Kushtet e rënda të dimrit po rrisin vuajtjet e familjeve”, tha Abu Rashit.

Ai tha se para reshjeve të borës, familjet ngroheshin me drunjtë që i mblidhnin.

“Tani nuk kemi drunj. Edhe çmimet e karburantit janë të larta. Lusim Allahun që kjo vuajtje e këtyre njerëzve të marrë fund sa më parë”, shtoi Abu Rashit.

“Fëmijët sëmuren nga i ftohti dhe stuhia e borës”

Firas Abu Muhammed, një tjetër banor i kampit, theksoi se nuk kanë karburant ose mjete të tjera me të cilat do të mund të ngroheshin.

Ai tha se disa tenda janë dëmtuar dhe kërkoi nga organizatat relevante që të veprojnë në lidhje me këtë situatë.

Ai thekson se dëshira e tyre e vetme është që tendat ku po qëndrojnë të jenë të ngrohta.

“Fëmijët janë sëmurë si pasojë e të ftohtit të madh dhe stuhisë së borës”, tha Abu Muhammed.

Ndryshe, Idlibi, bastioni i fundit i opozitës siriane dhe shtëpi e katër milionë njerëzve, është përballur me sulme nga ana e regjimit sirian dhe aleatëve të tij.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, forcat e regjimit sirian të mbështetura nga Rusia kanë intensifikuar sulmet ndaj rajonit të Idlibit në Sirinë veriperëndimore.

Në shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia ranë dakord ta kthejnë Idlibin në një zonë deeskalimi, në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara.

Megjithatë, më shumë se 1.800 civilë janë vrarë nga sulmet e regjimit dhe aleatëve që nga ajo kohë, duke shkelur armëpushimin e vitit 2018 dhe atë që filloi më 12 janar.

Më shumë se 1,7 milion sirianë kanë ikur afër kufirit turk për shkak të sulmeve që nga fillimi i vitit të kaluar.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet