Ideologjia si instrument për indoktrinim

Në jetën e përditshme, shpeshherë, madje edhe nga njerëz të zakonshëm dëgjojmë fjalën “ideologji” ose fjalinë “(Ti) i sheh gjërat ideologjikisht”, gjë që zakonisht përdoret në kontekstin perzhorativ, sepse ideologjia perceptohet si diçka që nuk ka të bëjë me objektivitetin, diçka që nuk ka të bëjë me shkencën/vërtetën dhe përgjithësi aludohet në prirjet/gjykimet subjektive të individëve apo grupacioneve. Pra, ideologjia apo të qenurit i “ideologjizuar” shpesh herë perceptohet si antipod i së vërtetës objektive.

Shkruan: Murat M. Aliu

Termi ideologji së pari herë u përdorë në vitin 1796 nga ana e filozofit francez Antoni D. de Tracy, i cili nëpërmjet këtij koncepti mundohej t’u  përgjigjej disa problematikave në sferën sociale dhe politik, pasi që, sipas tij, metafizika dhe psikologjia ishin shkenca të cilët kishin humbur aktualitetin dhe në këtë kuptimin ishin shkenca deorientuese, të cilat nuk mundë t`u përgjigjej problematikave të kohës. Siç vërehet nga vetë aspekti etimologjik i termit “ideologji” (edios  dhe logos), për Tracy, ideologjia paraqet “shkencën e ideve” dhe detyra e saj ishte të shpjegojë cilat fenomene janë të rreme dhe cilat të vërteta. Pra përcaktimi i së vërtetës tani më i takonte ideologjisë.

Ideologjia si një prej koncepteve ndoshta më “problematike” me të cilën janë përballuar shkencat sociale, në periudha të ndryshme historike, dhe në teoritë e shumë mendimtarëve ka pësuar një transformim semantik dhe substancial. Ambiguiteti semantik dhe fluiditeti i këtij koncepti shpërfaqet si pasojë e interpretimve dhe qasjeve të ndryshme filozofike ndaj fenomeneve socio-politike në kohë dhe hapësirë të caktuar. Konkretisht, natyrën fluide të këtij koncepti e mundëson lidhshmëria ose interferencat me mitet dhe raporti me shkencën dhe utopinë. Për shembull antropologu Levi-Strauss, në kritikën mbi paradigmën moderne mendon se, shoqëria moderne nuk ka bërë gjë tjetër veçse mitet si norma të sjellës në shoqëritë tradicionale i ka zëvendësuar më ideologjinë-substanca e së cilës përbëhet nga dimensioni normativ; në kuptimin se mundohet që të na japë hartën e shoqërisë, dhe duke na i përcaktuar mënyrën e të menduari dhe sjelljeve tona na premton një të ardhme ideale. Pra dimensioni normativ dh perfeksionimi përbëjnë dy komponentë strukturorë të ideologjisë. Prandaj ideologjia është një tërësi e normave, besimeve dhe vlerave dhe në të njëjtën kohë ngërthen atë se “si duhet të jetë” dhe premton rregullim socio-politik ideal.

Sado që në fillim ideologjia është konceptuar si “shkenca e ideve” dhe  instrument për të përcaktuar njohjen e vërtetë nga llojet tjera të njohjeve lajthitëse, prapë se prapë ekziston një linjë ndarëse që bën diskrepancën midis saj dhe shkencës. Përderisa shkenca kompleksitetin e së vërtetës mundohet ta shpjegoj duke përdorë një grup të caktuara metodash, siç është metoda empirike  apo analitike, ideologjia nuk ndjen nevojë për diçka të tillë, në vend të tyre përdorë besimin dhe dogmën. Në këtë kuptim vërteta shpesh herë merret si e dhënë. Dhe, ashtu siç nuk mundë mohohet lidhshmëria në mes ideologjisë dhe shkencës, ashtu edhe nuk mundë të njejtësohen këto dy kategori. Ndoshta dallimi më substancial ndërmjet këtyre dy kategorive qëndron në atë se ideologjia ngërthen dimensionin normativ, pra merret me atë se si “duhet të jetë”, ndërsa shkenca me anë të metodave të caktuara hultumton, analizon, dhe rrjedhimisht shpërfaq realitetin e tanishëm dhe është e zhveshur nga dimensioni normativ dhe perfeksionist.

Pikërisht kjo diskrepancë kuptimore bën që shkenca të jetë më e besueshme, rrjedhimisht edhe më objektive, ndërsa ideologjia si e tillë gjithmonë ka qenë dhe akoma është objekt diskutimi dhe kontestimi. Përderisa e “vërteta”e proklamuar nga ideologjia jo domosdoshmërisht duhet të jetë derivuar nga hulumtimet shkencore dhe kjo e vërtetë jo patjetër duhet të jetë e verifikuar, e vërteta shkencore përveç që i nënshtrohet metodave të caktuara shkencore, ajo duhet të jetë verifikuar po nëpërmjet këtyre metodave.

Duke pasur parasysh dimensionin “subjektiv” të koncepti ideologji, Marksi i ngarkoj kuptim negativ. Marksi nëpërmjet konceptit të “vetëdijes së gabuar” vuri në dukje falsitetin e ideologjisë, në kuptimin se është e privuar nga aftësia për të shpërfaqur të vërtetën objektive dhe se ideologjia nuk është gjë tjetër përveç se një koncept realtiv, i lindur në kohë dhe hapsirë të caktuar që reflekton vlerat dhe kulturën e një klase të caktuar shoqërore, në këtë rast klasës borxheze apo kapitaliste. Nëse për një borgjez dhe kapitalist mënyra e prodhimit kapitalist, vlerat dhe kultura e kësaj klase është univerzale, kjo nuk vlen për klasën punëtore. Pra ideologjia nuk është gjë tjetër veçse një mjet dhune të shtetit kapitalist dhe klasës dominante, borxhezisë për të imponuar të vërtetën subjektive, thotë Marksi.

Revizionistët marksist, ndër të cilët edhe Gramsci, ideologjis nuk i ngarkoj as kuptim negativ as pozitiv. Gramsci për dallim nga Marksi, ideologjinë nuk e konceptonte vetëm si një instrument dhune në duart e shtetit kapitalist, por edhe si instrument indoktrinimi dhe mobilizimi të shtresës së subordinuar. Pra, sipas tij, revolucionarët marksist u lajthitën kur menduan se hapësira politike (shteti) për kontrolluar shoqërinë përdorë vetëm dhunën fizike, përtej kësaj, shteti sipas Gramscit, nuk e orienton dhe kontrollon shoqërinë vetëm nëpërmjet aparatit të dhunës fizike, por në të njëjtën kohë përdorë edhe ideologjinë. Dhe kjo, sipas tij paraqet pushtetin kulturorë të hapësirës politike mbi shoqërinë civile. Bazuar në këtë konstatim logjik për të arritur deri të pushteti  politik (që në mendimin marksist paraqet superstrukturën) fillimisht duhet krijuar hegjemonia mbi diskursin kulturorë, ose thënë ndryshe “marrjen e pushtetit kulturorë”.

Më vonë Althusser dhe Foucault në analizat e tyre mbi “ideologjinë”, duke konstatuar dimensionin subjektiv dhe dogmatik vënë në pah edhe inkoherencën kuptimore ndërmjet ideologjisë dhe të vërtetës- e cila sot identifikohet me shkencën. Pra, edhe për Althusser edhe për Foucault ideologjia nuk është gjë tjetër veçse refleksion dhe manifestim ideorë të kulturës politike të një klase të caktuar. Për më tepër kjo kulturë imponohet nëpërmjet metodave të ndryshme të pushtetit dhe në këtë mënyrë shoqëria domosdoshmërisht është e prirur ta përbrendësoj këtë kulturë të klasës dominante.

Nëse ideologjia si e tillë nuk është vetë e vërteta, nëse ajo është e privuar nga aftësia për të shpërfaq të vërtetën, nëse ajo paraqet refleksion i vlerave kulturore të një grupi të caktuar të cilët mbajnë pushtetin në dorë, dhe nëse ne jemi të vetëdijshëm për fatkeqësitë të cilat ia sollën botës ideologjitë moderne, parashtrohet pyetja legjitime, se a ja vlen që akoma shumica prej nesh, raportin me të vërtetën dhe me subjektet tjerë dhe gjykimet tona kundrejt zhvillimeve socio-politike t’i ndërtojmë  mbi postulatet e ndonjë ideologjie të caktuar politike?

Unë nuk mundë te them dhe të mbështes me siguri tezën e protagonistëve kryesorë se jetojmë në epokën post-ideologjike, përkundër kësaj ekzistojnë indikacione të cilat aludojnë se, ndonëse me intensitet më të ulët në krahasim me periudhat të më hershme historike, luftërat ideologjike janë duke vazhduar sot e kësaj ditë. Për mendimin tim, çdo njëri prej nesh, qoftë individ apo grupacion të cilët identifikohen me identitet dhe kulturë elitiste, qoftë individ i zakonshëm, duhet ti shmanget gjykimit dhe krijimit të raporteve me subjektet  tjerë mbi baza ideologjike. Në të kundërtën do të humbasim relacionin parimorë, para së gjithash me të vërtetën dhe të drejtën.  Ndërsa raporti i gabuar me të vërtetën dhe të drejtën dhe përbrendësimi i këtij raporti mbartë potencial  që të gjithë neve të na zhvesh nga të virtytet dhe atributet njerëzore.

 


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet