Ideja e Pacollit qëllimmirë, por e pa mundshme

“Kur liderët e partive politike do ta venë në rend të parë interesin e Kosovës…..!?”. Kështu nis një shkrim i liderit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i cili në rreshtat e mëtutjeshëm paraqet një  propozim për formimin e qeverisë së re të Kosovës – shkruan Gazeta e Re. 

“Marrëveshja Historike” sipas Pacollit, do të kurorëzohej me një bashkim të të gjitha partive në Kosovë për të formuar një plan të veprimit njëvjeçar të qeverisë, e cila përveç administrimit të përditshëm që do të përfshinte edhe temat më të rëndësishme për vendin.

Sipas tij, kjo qeveri me afat njëvjeçar do të merrej me temat si: demarkacioni, asociacioni, lëvizjen e lirë pa viza, ligjin e ri zgjedhor, zgjedhjen e presidentit nga populli, themelimi i ushtrisë, marrëdhëniet konstruktive me Gjykatën speciale, ndryshimet kushtetuese etj.

Mirëpo, një propozim të tillë e kanë kundërshtuar publikisht zyrtarë të Vetëvendosjes dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Parisit Nezir Kraki, vlerëson se në rrethanat aktuale në të cilat gjendet Kosova, propozimi i ish-presidentit nuk mund të gjejë zbatim.

“Mendoj që ideja e zotit Pacolli është dhënë më qëllim të mirë dhe mund të konsiderohet me seriozitet. Megjithatë, rrethanat politike dhe antagonizmat në qasje janë të papërshtatshme që ajo të konkretizohet. Për më tepër, nuk është aspak e sigurt se bashkimi i partive në një qeveri uniteti do jepte menjëherë zgjidhje për çështjet e mbetura pezull si demarkacioni, ushtria apo asociacioni. Pikëpamjet janë tepër të ndryshme sa i përket sidomos asociacionit dhe demarkacionit pa e llogaritur këtu shantazhin që do vinte nga Beogradi përmes serbëve të Kosovës. Nga ky këndvështrim, jam i mendimit së Kosovës i duhet një qeveri me bazë të gjerë, dmth me shumicë solide pa përfshirjen e të gjitha partive. Nëse qeveria e ardhshme varet ekskluzivisht nga ulëset e pakicave, atëherë ajo qeveri nuk pritet të ketë jetë të gjatë dhe as të kryej punë të mëdha siç janë temat e më sipërme”, thotë Kraki për Gazeta e Re.

E sipas njohësit të çështjeve politike Haki Abazi,  propozimet për të dalur nga situata që është krijuar duhet të mirëpriten, ngase nuk ka formë të lehtë e të qëndrueshme të krijimit të një qeverie të fortë dhe stabile.

“Përveç një qeverie të unitetit nacional që do të përfshinte LDK-në, VV-në, AAK-në dhe NISMA-n do të jetë e pamundur që në mënyrë të efektshme dhe me sukses të plotë të përmbyllen çështjet dhe temat e vështira siç janë demarkacioni asociacioni, liberalizimi i vizave, krijimi ushtrisë, dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Unë kam propozuar qeveri të unitetit nacional për tri arsye: 1. Të mos varet qeveria dhe institucionet e Kosovës nga Lista Srpska, 2. Që të depërtohet izolimi dhe margjinalizimi ndërkombëtar që ka ardhur si pasojë e mosseriozitetit dhe 3. Për të korrektuar gabimet bëra nga e kaluara dhe dështimet nga dialogu, investimet e gabuara dhe kapja e shtetit”, thotë Abazi.

Por, krejt ndryshe mendon politologu Gurakuç Kuçi. Sipas tij, ky veprim i Behgjet Pacollit është “për t’u dukur tek bashkësia ndërkombëtare”, për të cilët Kuçi nuk beson se përkrahin një ide të tillë.

“Pacolli dëshiron që nga ndërkombëtaret të shihet si mundësi që t’i kërkojnë të lërë koalicionin me LDK-në dhe ky do ishte një satisfaksion për z. Pacolli ndaj partnerit të koalicionit për të kaluar PAN në emër të zgjidhjes së ngërçit politik”, thotë Kuçi duke shtuar se një propozim si ky i Pacollit nuk do të pranohej as nga Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi.

“Ramush Haradinaj, PDK-ja dhe presidenti Hashim Thaçi, nuk janë të gatshëm të shkojnë në opozitë, pasi PDK-ja në opozitë do shembte shtyllën e kapjes së shtetit që rrezikon edhe presidentin, e opozitë për ta është edhe qeveria gjithëpërfshirëse. VV-ja dhe LDK-ja më shumë janë të gatshëm ta dërgojnë vendin në zgjedhje prapë me 22 tetor se sa të lejonin që këto tema t’u iknin nga duart pa përfshirjen e tyre si prijatar në qeverisje, e sidomos tani kur humbja do thellohej për PDK-në me vetëdijesimin e popullit që nuk ka të pathyeshëm. Pra, një propozim i tillë nga z. Pacolli është për të fituar poenë politik dhe ndonjë satisfaksion për t’iu bashkangjitur PAN-it. Sepse ai ka arritur synimin e tij që të ketë katër deputetë dhe me ta të bëjë obstruksione politike për përfitime tjera”, shprehet Kuçi.

Po ashtu, ai vë në pah  se krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse aspak nuk garanton sukses në arritjen e disa qëllimeve, ngase sipas tij, nuk është në pyetje numri i deputetëve për krijimin e ushtrisë, por diplomacia dhe partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare si dhe sigurimi i shumicës së dyfishtë dhe kjo nuk bëhet pa strategji.

Ndryshe, në zgjedhjet e 11 qershorit të këtij viti asnjëra nga partitë në vend nuk arriti të marrë mbi 50% të votave çka do t’i garantonte formimin e qeverisë. Sipas Kushtetutës së Kosovës, formimi i qeverisë i takon partisë së parë që ka më së shumti vota, në këtë rast koalicionit PDK-AAK-NISMA. Por, meqë as  ky koalicion nuk e ka arritur 50%, këta të fundit do të mundohen të sigurojnë mbështetjen edhe të deputetëve tjerë. Në rast se partia e parë dështon të formojë qeverinë e re, mandati për këtë i kalon partisë së dytë me më së shumti vota, e që në këtë rast është Vetëvendosje./Arbenita Bungu/Gazetaere.com

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet