Ibn Khalduni dhe kontributi historik i civilizimit islam në shkencën politike perëndimore

Ky artikull shqyrton teoritë politike të Ibn Khaldunit dhe kontributin historik të civilizimit islam në shkencën dhe mendimin politik perëndimor.

Historia e shkencave politike moderne është e paplotë pa shqyrtuar kontributet e mendimtarëve muslimanë, veprat akademike të të cilëve janë parë si kthesë në fushat e tyre përkatëse gjatë kohës në të cilën kanë jetuar. Ky artikull shqyrton teorinë politike të Ibn Khaldunit dhe mënyrën se si kjo teori formësoi mendimin politik perëndimor. Ndërsa përshkon veprat e tij, lexuesi kujtohet për veprat e baballarëve të mendimit politik perëndimor, Ruso dhe Locke, edhe pse Ibn Khalduni ka jetuar shumë kohë para tyre, në shekullin XIV.

Ndërsa studiojmë historinë, ne jemi mësuar se për shkak të ndryshimeve socio-ekonomike në Europën e shekullit XIX, shtetet-kombet moderne u gdhendën mbi përpjekjen për të zhdukur pushtetin mbretërorë e për të ndërtuar themelet e demokracisë. Sidoqoftë, kjo lloj analize historike është e paplotë pasi injoron faktin se 800 vjet sundim musliman në Spanjë ndikuan shumë në pjesën tjetër të Europës. Në fakt, Ibn Khalduni, familja e të cilit ishte me origjinë nga Sevilja e Spanjës, udhëtoi ndërmjet Europës dhe Afrikës së Veriut duke ofruar detyrat e tij qeverisëse dhe duke shënuar mbresat e tij në shkrimet e tij. Ai sugjeroi në shkrimet e tij se perandoritë fuqizohen, arrijnë kulmin, e më pas bien. Kjo ide u shqyrtua në shkrimet e tij në shekullin XIV, rreth 400 vjet para se perandoritë të binin në pjesën tjetër të Europës, përfshirë Spanjën. Parashikimet e tij u vërtetuan gjatë historisë, pasi zotërijntë feudalët europianë humbën pushtetin dhe nuk ishin në gjendje ti mbanin’ taksat e larta dhe shfrytëzonin njerëzit e thjeshtë, çka çoi në një rënie të perandorive dhe në revolta të fshatarëve.

Sot, mesatarisht çdo qytetar modern e pohon besnikërinë ndaj shtet-kombit të tij. Kjo besnikëri është mbase më e dukshme gjatë ngjarjeve sportive të cilat nxisin ndjenjën e patriotizmit edhe nga një individ në dukje jo dhe aq patriot. Valëvitja e flamujve, brohoritja e sloganëve dhe nderimi i himnit kombëtar nga lojtarët dhe audienca njëkohësisht tregojnë për një fenomen historik dhe sociologjik me rrënjë të thella tek njerëzit, të cilin Ibn Khalduni e quan ‘asabiyyah’ (fq. 121 Idetë sociale dhe politike të ibn Khaldun, Kadir, 1941). Kjo mund të përkthehet përafërsisht me kuptimin e “besnikërisë së grupit”. Ai shpjegon se kjo ndjenjë buron nga lidhjet e gjakut, por ajo ndryshon me kalimin e kohës derisa rritet në një ndjenjë që lidhet me përkatësinë e atij individi si pjesë e një grupi më të madh dhe se ky grup është rrjedhimisht pjesë e këtij individi. Ai më tej shpjegon se besnikëria ndaj një shteti është e dobishme si për individin ashtu edhe për shtetin, pasi i siguron shtetit përfitime ekonomike dhe individit siguri kundër kërcënimeve të mundshme nga armiqtë.

Modeli i shtetit që është projektuar në Muqaddimah-n e Ibn Khaldunit është ai lloj sistemi që lexuesit mund t’ia kujtojë shembullin e Britanisë së Madhe të ditëve të sotme. Një shtet që funksionon falë taksave, siguron strehim dhe të ardhura për anëtarët më të rrezikuar të shtetit (të moshuarit, fëmijët etj.), dhe që siguron lirinë fetare të minoriteteve.

Modeli i shtetit të Ibn Khaldunit nuk është ai lloj shteti që ka një kulturë monolite, por përkundrazi është model ku përziehen kulturat dhe prejardhjet të cilat i bashkon besnikëria ndaj autoritetit kryesor. Modeli në fjalë, është shumë i ngjashëm me shtetet moderne multikulturore që shohim sot, ku njerëz të ndryshëm historikisht pretendojnë besnikëri ndaj një kombësie ndërsa ruajnë rrënjët e tyre etnike. Ndoshta kjo mund të jetë shokuese për lexuesit pasi një shtet i qeverisur nga Islami shpesh imagjinohet si një shoqëri jotolerante, monolite, ku qeveria lejon vetëm shprehjen e një besimi të vetëm fetar në jetën publike. Këta lloj lexuesish harrojnë se Islami lejon një larmi pikëpamjesh dhe shprehjen e tyre, për sa kohë që nuk ka asnjë dëm kolektiv. Ligjet janë për të qeverisur gjuhën e urrejtjes dhe çdo qarkullim të pikëpamjeve që mund të çojë në humbjen e jetës ose sigurisë (siç është rasti në Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu).

Nisur nga tensionet e fundit të situatës së sotme politike me çështjen e Brexit-it, shoqëruar me rritjen e populizmit dhe sulmeve ndaj komuniteteve muslimane; ka ardhur koha që muslimanët në Britaninë e Madhe të përpiqen urgjentisht të rizbulojnë trashëgimin e tyre. Veçanërisht duke marrë parasysh historinë koloniale të Britanisë së Madhe dhe pasurinë e diversitetit që buron nga kontributet e qytetarëve të saj, pavarësisht nga llojet e kufijve dhe zhvillimet legjislative që krijuesit e ligjit westminster miratojnë në fund të këtij procesi, muslimanët britanikë dhe të gjitha grupet e pakicave duhet të jenë të sigurtë në të drejtat e tyre brenda një shoqërie multikulturore për respekt, barazi dhe qasje në liritë themelore.

Shkenca politike tradicionale islame është e pasur me mendimtarë politikë muslimanë, të cilët propozuan idenë e bashkëjetesës, të predikuara mbi besnikërinë ndaj atdheut dhe tolerancën ndaj kombësive, besimeve dhe kulturave të tjera.

Në një kohë përçarjesh politike, ku pakicat etnike, fetare dhe gjuhësore janë në qendër të retorikës politike të mbushura me urrejtje, është thelbësore që politikanët të promovojnë një mesazh universal dhe unifikues, siç bëri Ibn Khalduni në kohën e tij.

Për më tepër, duke marrë parasysh mungesën e vetëdijës për kontributet e mendimit musliman në zhvillimin e shoqërisë sonë, politikëbërësit duhet të angazhohen për të mbështetur liritë akademike dhe nismat për dekolonimin e arsimit, ndërsa i duhet dhënë theks më të madh brenda kurrikulës kombëtare historive të përbashkëta dhe kontributet e pakicave në ndërtimin e shoqërisë sonë. / Observer.al


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet