I mbijetuari i masakrës së Blackwater në Irak: Falja e vrasësve nga Trump është e turpshme

Abdurrahim Emir, i cili u plagos në këmbën e majtë në masakrën në Sheshin Nisour në Bagdad në vitin 2007, rrëfeu për Anadolu Agency masakrën e kompanisë amerikane të sigurisë Blackwater.

Falja e presidenti amerikan Donald Trump për katër mercenarë të kompaninë e sigurisë Balckwater që vrau civilë në Bagdad, kryeqytetin e Irakut, në vitin 2007, ka shkaktuar reagime te të plagosurit dhe familjarët e të vrarëve.

Abdurrahim Emir, i cili u plagos në këmbën e majtë në masakrën në Sheshin Nisour në Bagdad në vitin 2007, rrëfeu për Anadolu Agency (AA) ato që ndodhën më 16 shtator 2007.

“Ndërsa isha në furgon pasagjerësh për të shkuar në shtëpi, ne filluam të presim në trafik në Sheshin Nisour. Në atë kohë, një zjarr i rëndë joselektiv u hap ndaj automjeteve që prisnin në trafik”, tha Emir, duke shtuar se ai u plagos në këmbë me tre plumba dhe se dëmtimi i tij do të zgjasë tërë jetën.

“Ngjarja zgjati më shumë se 40 minuta”

Duke theksuar se incidenti zgjati më shumë se 40 minuta, Emir kritikoi qëndrimin e qeverisë që Nouri al-Maliki e drejtonte në atë kohë ndaj vrasjes.

“Qëndrimi i qeverisë ishte si njeriu në krye të saj dhe madje edhe më i pasuksesshëm dhe i turpshëm”, u shpreh Emir.

“Rreth një orë pas masakrës, ambulancat erdhën dhe na dërguan në spitale. Ne mësuam se kush ishin autorët e incidentit vetëm pasi pamë lajmet në shtyp disa ditë më vonë. Nuk kishte asnjë arsye bindëse që të ndodhte vrasja. Atë kohë pretendohej se kishte një sulm ndaj autokolonës ushtarake amerikane afër vendit të ngjarjes dhe se incidenti në Nisour përkoi me të. Të gjithë të vdekurit dhe të plagosurit ishin civilë. Pas një kohe të gjatë në spitale, erdhi një ekip inspektimi nga SHBA-ja dhe mori deklaratat tona. Ne u çuam në SHBA për këtë. Po ashtu, jemi dërguar në Turqi për trajtim në koordinim me Ambasadën e SHBA-së në Bagdad”, rrëfen Emir.

“Vendimi i Trump-it ishte zhgënjyes”

Duke e cilësuar si të turpshëm vendimin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të falur katër mercenarët e firmës Blackwater, përgjegjës për masakrën e vitit 2007 në Bagdad, Emir tha:

“Vendimi për falje nuk ishte i habitshëm. Trump u përpoq të krijonte kaos kudo gjatë qeverisjes së tij dhe shiti Kudsin. Unë u shqetësova, jam i pakënaqur dhe i zhgënjyer me vendimin. Më shumë se gjysma e botës u solidarizuan me ne. Incidenti që përjetuam ishte një tragjedi në kuptimin e plotë të fjalës. Kishte fatkeqësi si vdekja e një mjeke me djalin e saj dhe vrasja e një nëne që po përpiqej ta hiqte djalin e saj nga toka para syve të mi. Ende mbaj pasojat e rënda psikologjike të masakrës, kam mpirje në pjesën e majtë të kokës për shkak të bombardimeve të forta dhe zvarritjes përtokë. Unë nuk do të heq dorë nga rasti dhe do t’i provoj rrugët gjyqësore pas ardhjes në detyrë të Joe Biden-it dhe jam shpresues”.

Ndryshe, punonjësit e Blackwater Security Consulting, tani e njohur si Academi, qëlluan mbi civilët irakianë, duke vrarë 17 dhe duke plagosur 20 të tjerë në Sheshin Nisour të Bagdadit më 16 shtator të vitit 2007 ndërsa po shoqëronin një autokolonë të ambasadës amerikane.

Incidenti ngriti pesë hetime. FBI zbuloi se të paktën 14 nga 17 irakianët e vrarë u qëlluan pa ndonjë shkak, përfshirë fëmijë të moshës 9 dhe 11 vjeç.

Tridhjetë dëshmitarë nga Iraku, grupi më i madh i dëshmitarëve të huaj, udhëtuan në SHBA për gjykimin penal, ku në gjykatë përshkruan se katër burrat amerikanë pa asnjë provokim filluan të shtënat ndaj civilëve irakianë me armë të rënda dhe granatahedhës.

Në gjyqin e vitit 2014, Nicholas Slatten nga shteti Tennessee, një snajperist, u shpall fajtor për vrasje të shkallës së parë pasi prokurorët kishin thënë se ai e filloi incidentin duke hapur zjarr.

Paul Slough nga Teksasi u shpall fajtor për 13 akuza të vrasjes vullnetare dhe 17 akuza për vrasje në tentativë. Evan Liberty nga New Hampshire u shpall fajtor për tetë akuza të vrasjes vullnetare dhe 12 akuza për vrasje në tentativë.

Ndërsa, Dustin Heard nga Tennessee u shpall fajtor për gjashtë akuza për vrasje vullnetare dhe 11 akuza për vrasje në tentativë.

Një akuzë për vrasje parashikon dënim të detyrueshëm me burgim të përjetshëm, secila akuzë e vrasjes vullnetare parashikon dënim maksimal prej 15 vjetësh, kurse akuzat për vrasje në tentativë parashikojnë dënime maksimale shtatë vjet burg.

“Shtatë vjet më parë, këta kontraktorë të Blackwater hapën zjarr të fuqishëm nga snajperët, mitralozët dhe granatahedhësit mbi burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm”, kishte thënë Ronald Machen, prokurori i SHBA-së për Distriktin e Kolumbisë, në deklaratën e tij të vitit 2014.

Blackwater kishte një kontratë qeveritare prej 1 miliard dollarësh për të mbrojtur diplomatët amerikanë gjatë luftës në Irak. Në një seancë dëgjimore të Kongresit në vitin 2007 për sjelljen e pahijshme të Blackwater, pronari i atëhershëm Erik Prince refuzoi që punonjësit e tij të përcaktoheshin si “mercenarë” dhe nuk ndau informacione për kompaninë e tij “private”.

Blackwater u riemërua si “Xe Services” në vitin 2009 dhe u bë e njohur si Academi që nga viti 2011 pasi u ble nga një grup investitorësh privatë për rreth 200 milionë dollarë.

Kategoritë
BotaLajme