Hungaria dhe Polonia vendosin veto ndaj marrëveshjes së buxhetit të BE-së

“Ambasadorët e BE-së nuk mundën të arrijnë unanimitetin e nevojshëm për fillimin e procedurës me shkrim për shkak të rezervave të shprehura nga dy vende anëtare”, njoftoi zëdhënës i presidencës gjermane të BE-së

Hungaria dhe Polonia në takimin e ambasadorëve në Bruksel kanë vendosur veto ndaj buxhetit të Bashkimit Evropian (BE) për vitet 2021-2027, për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi një kusht të “sundimit të ligjit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ambasadorët e BE-së nuk mundën të arrijnë unanimitetin e nevojshëm për fillimin e procedurës me shkrim për shkak të rezervave të shprehura nga dy vende anëtare”, shkroi në twitter Sebastian Fischer, zëdhënës i presidencës gjermane të BE-së.

Zyrtarët hungarezë dhe polakë më herët paralajmëruan se do të votojnë kundër klauzolës që lidh qasjen në fondet e BE-së me zbatimin e rregullave ligjore.

BE-së i nevojitet një konsensus i 27 vendeve anëtare për të miratuar paketën financiare që po ashtu mbulon fondin e shërimit nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19).

Më 21 korrik, liderët e BE-së ranë dakord për shpenzimin e 1.82 trilionë eurove për periudhën e viteve 2021-2027, që përfshin instrumentin e rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë evropiane pas krizës COVID-19.

Ligjvënësit po ashtu kërkuan një kushtëzim më të fuqishëm të sundimit të ligjit, që nënkupton se transferimi i buxhetit të BE-së mund të pezullohet ose ndalohet nëse një sistem i një vendi anëtar provon se ka mangësi, të tilla si korrupsion i pa hetuar ose pavarësi e kompromentuar gjyqësore, e cila mund të ndikojë në interesat financiare të bllokut.

Kategoritë
BotaLajme