Humbja e fondeve për sallë koncertale – dështim i institucioneve

Institucionet lokale e qendrore janë përplasur me njëra-tjetrën nga distanca sa i përket faktit që projekti për sallën koncertale në Prishtinë nuk do të përkrahet sivjet nga Bashkimi Evropian.

Lajmi se milionat e parapara për këtë projekt janë ridestinuar për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”, ka bërë që të reagojë edhe komuniteti artistik, shkruan sot Koha Ditore. Ridestinimin, të enjten, e ka konfirmuar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, pa dhënë arsyetim për një vendim të tillë. Por deri në këtë pikë, sipas Komunës së Prishtinës, ka ardhur shkaku i qëllimeve politike, pasi ka qenë ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ajo që i kishte propozuar BE-së që mjetet të ridestinohen.

Këtë e kishte bërë nëpërmjet një letre dërguar Komisionit Evropian, të cilën të mërkurën e kishte mohuar. Një ditë më pas, ka heshtur për këtë edhe kur i është dërguar një kopje e letrës nënshkruar prej saj, e të cilën e ka siguruar gazeta. Ministria e Integrimeve ka dalë me një sqarim për opinionin e edhe aty mohon letrën me të cilën kishte propozuar ridestinimin e mjeteve. Në sqarim MIE-ja e akuzon kryetarin Shpend Ahmeti se po tenton të shfajësohet e ta hedhë fajin aty ku nuk është.

Por çështja e përdorimit të mjeteve që Komisioni Evropian i kishte zotuar për sallë në kuadër të fondeve IPA për vitin 2019 nuk përfundon me kaq. Ridestinim kishte kërkuar edhe nga Ministria e Kulturës.

Krejt kjo histori nxjerr në pah dështimin e institucioneve vendore, por edhe përplasjet politike për këtë projekt që s’u realizua, e me të cilin qe paraparë që ish-objekti i “Gërmisë”, i cili në ndërkohë u shndërrua në monument, të bëhej sallë koncertale. Komuniteti artistik e cilëson edhe si dështim të vetë artistëve krahas institucioneve.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet