Hoti: Kemi filluar procedurat për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin

“Ministrja e Jashtme është në konsultim me Izraelin (me homologun e saj) për të ndjekur procedurat e nevojshme në bazë të ligjeve tona dhe ligjeve të Izraelit në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, theksoi kryeministri Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka filluar procedurat sipas ligjit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit.

Në një konferencë për media, kryeministri Hoti tha se ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, është në konsultim me homologun e saj izraelit për bashkërendimin e veprimeve ligjore të të dyja vendeve.

“Sa i përket Izraelit dje kemi filluar proceduralisht, t’i ndjekim procedurat sipas ligjit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Njohja nga Izraeli është kryer në Shtëpinë e Bardhë, ne tani po punojmë dhe ministrja e Jashtme është në konsultim me Izraelin (me homologun e saj) për të ndjekur procedurat e nevojshme në bazë të ligjeve tona dhe ligjeve të Izraelit në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, tha Hoti.

Për këtë çështje, të martën ministrja Haradinaj-Stublla, shkroi në rrjetet sociale se në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, “në një takim konsultativ me Kryeministrin Hoti mora pëlqimin për dërgimin e propozim dekretit te Presidenti i Republikës së Kosovës për themelimin e misionit diplomatik të Kosovës në Izrael”.

Kujtojmë se më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, u njoftua për njohjen reciproke Kosovë-Izrael.

Nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive

Hoti, në këtë konferencë ka sqaruar edhe shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, më 16 tetor.

Hoti tha se raporti të cilin ia ka dërguar atij ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka vënë në pah se drejtori Qalaj “ka treguar performancë jo të kënaqshme” në udhëheqje, kontroll dhe mbikëqyrje të policisë e gjithashtu edhe në menaxhim dhe shpërndarje të buxhetit të policisë.

“Në raport theksohet se gjatë vitit 2019-2020 dhe kjo besoj është e rëndësishme janë arrestuar 68 pjesëtarë të Policisë së Kosovës për përfshirje në vepra të ndryshme penale. Vetëm në departamentin e policisë kufitare janë arrestuar 39 zyrtarë policorë, e përkundër numrit kaq të madh të arrestimeve brenda departamentit të policisë kufitare nuk është bërë asnjë ndryshim”, theksoi Hoti.

Hoti gjithashtu ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën ka ritheksuar se nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive.

Ndërsa për këtë gjë, ai tha se nuk i nënshtrohet askujt përveç Kushtetutës dhe Kuvendit të Kosovës.

Kjo deklaratë e tij vjen pas kërkesës së fundit të Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, se “s’ka marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, pa formimin e asociacionit”.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet