Hoti: Është krijuar një momentum i ri ekonomik në Kosovë

Kryeministri Hoti pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, tha se prezenca e amerikanëve në Kosovë tregon edhe njëherë seriozitetin më të madh të presidentit Trump drejt normalizmit të marrëveshjes finale mes të dyja vendeve.

Një delegacion i agjencive amerikane i kryesuar nga kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-ve (DFC), Adam Boehler, ka nënshkruar marrëveshje me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 4 shtator në SHBA midis Kosovës dhe Serbisë.

Pjesë e delegacionit ka qenë edhe emisari i posaçëm amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, bashkë me 13 zyrtarë të tjerë, të cilët vijnë rreth dy javë pas marrëveshjes së 4 shtatorit për normalizim ekonomik të nënshkruar në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.

Kryeministri Hoti pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, në konferencë për media tha se prezenca e amerikanëve në Kosovë tregon edhe njëherë seriozitetin më të madh të presidentit Trump drejt normalizmit të marrëveshjes finale mes të dyja vendeve.

“Është krijuar një momentum i ri ekonomik në Kosovë dhe në rajon dhe bashkë me këtë momentum besoj se do të lëvizim përpara edhe në pjesën e normalizimit të marrëdhënieve politike. Kjo marrëveshje që kemi arritur do të krijojë mijëra vende të reja pune. Do ta shndërrojë Kosovën dhe rajonin, rajon më të integruar në aspektin e infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik”, tha Hoti.

Emisari Grenell në Qeverinë e Kosovës në fjalën e tij para gazetarëve tha se “ne nuk duam fjalë boshe, por t’i tregojmë popullit të Kosovës që janë aleat i madh yni dhe qëndrojmë krah për krah me ta që të ecim përpara për një përmirësim ekonomik”.

“Ajo që do të thotë kjo marrëveshje për popullin e Kosovës janë, vende pune me paga të mira. Ne shpresojmë zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës do të rritet dhe energjia reale që krijohet me zhvillimin ekonomik do ta ndryshojë peizazhin politik të rajonit”, theksoi Grenell.

Më tej, ai tha se Kosova duhet të bëhet një vend ku të rinjtë të mund të krijojnë familje dhe të qëndrojnë në vendin e tyre dhe të fillojnë të shtynë përpara ndërmarrësinë para gjithë botës.

Grenell paralajmëroi po ashtu se brenda 1 muaji në Kosovë do të vijë edhe një tjetër ekip amerikan për studime fizibiliteti që kanë të bëjnë kryekëput me vende të reja të punës, kështu që “shpresojmë që ju të kërkoni llogari nga ne, në kuptimin që ato fjali që janë shkruar në letër për një periudhë të shkurtër të krijojnë vende pune, ngase ne për këtë kemi ardhur”.

Boehler tha se janë në Kosovë për të shprehur seriozitetin e investimeve.

Ai tha se marrëveshja e nënshkruar sot mes tij dhe kryeministrit Hoti është “përkushtim për të përshpejtuar në masë të madhe investimet në Kosovë”.

Boehler tha se ka një tërësi prej 1 miliard dollarësh me projekte dhe një gamë projektesh për investim në Kosovë.

“Jemi me një delegacion me gjashtë agjenci të ndryshme, që është një delegacion i paprecedentë nga SHBA. Dhe, kemi ardhur këtu që të nënshkruajmë marrëveshje për të investuar në Kosovë dhe për të mbështetur miqtë tanë këtu”, tha Boehler.

Më herët, para konferencës për media presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave të dërguarin special të presidentit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Thaçi ka thënë se po ndan këtë medalje për “kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA-ve për stabilizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ndryshe, me marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së Mini-Schengenit Ballkanik”, që është krijuar më 2019 ndërsa në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë. /AA

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet