Historia e rebelimit të një populli në faqet e një reviste

Dekada më parë, kujtuan disa nga të pranishmit, u hap një «dritare», nëpërmjet së cilës një popull që po shtypej, projektoi rrugën drejt lirisë. Kështu mund të parafrazohen ata që e morën fjalën në takimin e djeshëm përkujtues, me rastin e tridhjetë vjetorit të revistës ‘Alternativa’ – shkruan Gazeta e Re.

Dje më 26 qershor, në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë, u përkujtua dalja në dritë e revistës ‘Alternativa’. Konteksti socio-kulturor e veçmas politik, ishte mjaft kritik e i pasigurt, në kohën kur nisi të botohej. Ndërsa asokohe, shqiptarëve të Kosovës po u rrudhej horizonti i lirisë, përditë ngadalë, një grup intelektualësh, duke shfrytëzuar frymën më liberale në Lubjanë të Sllovenisë, çelën një dritare, e cila nuk funksionoi vetëm për informim.

Jugosllavia veç ishte futur në një rrugë qorre, por zëri i shqiptarëve të Kosovës, ende nuk po shquhej aq qartë. Megjithatë sipas Kryeredaktorit të dikurshëm të kësaj reviste Salih Kabashi, «në ‘Alternativa’ që në fillim, zunë vend kryesor artikujt, ku ideja e Kosovës Republikë më nuk shprehej me drojë e as nuk mbështillej, e çpështillej me sloganet e socializmit vetëqeverisës, por thuhej e shkruhej haptas e pa ekuivoke».

Roli i revistës për kohën ishte i jashtëzakonshëm. Veç tjerash, ajo luajti rolin edhe të një ure ndërmjet diasporës dhe shqiptarëve që po izoloheshin përditë. Në retrospektivë, vet kryeredaktori Kabashi atë e cilësoi si antikomuniste, demokratike dhe për më tepër rebele. Qe një gurë më tepër që po tërhiqej nga kështjella e federatës jugosllave, që siç u tha, kishte filluar vallen e shembjes.

Për profesorin Agim Vinca, revista qe «organi i parë i periodikut shqip, që i tha jo censurës. Thënë figurativisht, ishte: dallëndyshja e parë e mendimit alternativ dhe pluralist» – në atë kohë. Shtypi dhe media në përgjithësi në Prishtinë, sikurse institucionet e tjera, po viheshin nën një kontroll të rrebtë të pushtetit të atëhershëm dhe kësisoj në Kosovë sundonte një terr informativ. Por nga ana tjetër, Sllovenia nuk ishte vetëm ekonomikisht më e zhvilluar, por edhe më e emancipuar kulturalisht, andaj, sipas profesor Vicës, ky ishte një kontekst i favorshëm, të cilët intelektualët shqiptarë të kohës, e shfrytëzuan për mrekulli.

«Vetëm në klimën e Sllovenisë, mund të mbinte ‘Alternativa’, por lindja e kësaj reviste, mendoj se do parë edhe në një kontekst më të gjerë» – shtoi më tej profesori, duke e marrë parasysh këtu një kontekst më të gjerë dhe këtu ai tërhoqi paralele me: lëvizjet në ish Bashkimin Sovjetik në kohën e Gërbaçovit (Mikhail Gorbachev), zhvillimet politike në Poloni, rrëzimi i Murit të Berlinit, dhe zhvillime të tjera, që ndihën lindjen e një fryme të re demokratike në shtetet e ish BRSS-së.

Barra e atyre që morën përsipër nxjerrjen në dritë të kësaj reviste, ishte e rëndë. Jo vetëm ata që shkruanin e bashkëpunonin, por madje edhe ata që e shpërndanin e e lexonin, ndiqeshin e torturoheshin nga sistemi i atëhershëm që po merrte tipare hegjemoniste e diktatoriale. Pikërisht kësaj shtypjeje sistematike ndaj shqiptarëve të Kosovës, po i kundërvihej ‘Alternativa’.

Ramazan Bekteshi, një bashkëpunëtor i jashtëm i revistës, foli për rolin e jashtëzakonshëm të saj, në kuptimin e një ure komunikuese ndërmjet popullit shqiptar dhe diasporës shqiptare. Sipas tij, ‘Alternativa’ «ishte e vetmja dritare që botonte atë çka mendonte diaspora» në një kontekst kur çështja shqiptare po fillonte të internacionalizohej.

Por ‘Alternativa’ nuk luajti një rol vetëm në sferën politike, por edhe atë kulturore – vënë në dukje disa nga të pranishmit e tjerë. Ndonëse ajo nuk arriti të botohej më shumë se njëmbëdhjetë numra, aty u artikulua zëri i ndërgjegjes së shqiptarëve të Kosovës, të cilët nëpërmjet gjuhës së intelektualëve të kohës, filluan t’i kërkojnë të drejtat universale që u takonin, siç me të drejtë po i kërkonin edhe popujt e tjerë. Sipas të pranishmëve, historia e ‘Alternativës’, është një histori e rebelimit të një populli, që po i bënte orvatjet e fundit për t’u shkëputur nga një sistem politik që po ia zinte frymën përditë e më shumë./ImerTopanica /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet