Heshtja e turpshme shqiptare ndaj tri gjenocideve serbe në Kosovë

Nga Salih Kabashi

Në njëqindvjetorin e mbarimit të Luftës së Parë Botërore, as politika, as shteti, as Akademia, as historianët, as inteligjencia, as media nuk e kanë kujtuar genocidin serb mbi shqiptarët.

Gjenocidi i parë në LPB: Serbia dhe Mali i Zi vranë mbi 30 mijë burra, pleq, gra deri dhe fëmijë në djep. E dogjën Kosovën anembanë.

Gjenocidi i dytë ndodhi në fund të Luftës së Dytë Botërore kur Kosovën e pushtuan çetniko-komunistët serbo-malazez. Bilanci: nga 1944 deri më 1948 vriten, piqen e digjen mbi 46 mijë shqiptarë.

Kuislingët shqiptarë kurrë nuk e ngritën zërin për masakrat e gjenocidin mbi popullin e tyre.

Edhe në luftën e fundit Serbia ka pre e ka gri njerëz, ka pjekë e ka djegë njësoj si dy herat e mëparshme.

Gjenocidi i Serbisë mbi shqiptarët përgjatë 100 vjetëve ka qenë politikë e strategji shtetërore. Dëshmitë për veprimtarinë shfarosëse e gjenocidale të saj janë lehtë të provueshme.

Prijësit e Kosovës, të kohës së diktaturës komuniste bashkë me këta banditët e sotëm analfabetë, e injoruan atëherë dhe po e injorojnë edhe sot, në këto kohë pazaresh të turpshme, argumentin më të fuqishëm kundër Serbisë: argumentin e fuqishëm e të pakontestueshëm se ajo, Serbia, bashkë me Malin e Zi, tri herë brenda një shekulli i ishte vënë ndërmarrjeve kriminale të zhdukjes së një populli përmes gjenocidit shtetëror.

Para çfarëdo marrëveshjeje ndërshtetërore, Serbia duhet ta njohë gjenocidin tri herë të përsërituur të saj mbi shqiptarët. Pajtimi me serbët e malazezët do të mund të vinte vetëm atëherë kur shteti serb dhe ai malazez ta kenë njohur e pranuar gjakderdhjen, zhdukjen e gjenocidin e projektuar… Pastaj do të vinin në radhë ato që nënkuptohen pas njohjes së gjenocidit.

Populli në Kosovë duhet ta kuptojë se njësoj siç mbylli sytë e hëngri fjalët e veta kryeministri ynë mburravec, lakmitar e jointeligjent, duke i hapë rrugë faljes së tokës stërgjyshore Malit të Zi, njësoj edhe presidenti i Kosovës po përgatit dhurata edhe më të mëdha territoriale për Serbinë.

Të gjitha këto tradhëti po i ndodhin vendit tonë në 100 vjetorin e mbarimit të LPB, i cili përputhet me njërin nga tre gjenocidet serbe mbi popullin shqiptar.

Udhëheqja e Kosovës, përmes heshtjes, po bën tradhëtinë e pafalshme.

Do të heshtim edhe ne për tradhëtinë siç po e heshtin ata gjenocidin serb!?


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet