“Heshtja” diplomatike e zyrtarëve të Kosovës, përball propagandës serbe

Republika e Kosovës ka një kohë të gjatë që nuk ka arritur ta shtojë numrin e shteteve të reja që e njohin. Për më shumë, sipas zyrtarëve serbë, shumë shtete i kanë tërhequr njohjet ndaj Kosovës. Në këtë pikë shteti serb ka zhvilluar një propagandë të vazhdueshme e intensive kundër vendit tonë – shkruan Gazeta e Re.

Sipas Ministrit të Jashtëm Ivica Daçiq «Togo është vendi i 15-të që e ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës». Këtë deklaratë ministri serb e ka dhënë mbrëmë në televizionin Pink. Daçiq është shprehur i sigurt që procesi i tërheqjes së njohjeve ka shkuar ashtu siç edhe pritej, përkundër vërejtjeve ndërkombëtare të cilat i ka marrë Serbia për propagandën anti-Kosovë.

Daçiq ka konfirmuar se dokumenti për tërheqjen e njohjes ka ardhur më 28 qershor, duke u shprehur se përkundër kritikave dhe vërejtjeve për qasjen drestruktive të palës serbe ndaj çështjes së Kosovës, ata thjeshtë «po e bëjnë punën e tyre».

Qëllimi është, sipas tij, që numri të bie nën gjysmën e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, e që është nën 97 sosh. Pasi të arrihet kjo, atëherë  kosovarët «nuk mund të veprojnë ashtu si dëshirojnë». Sipas tij Serbia medoemos duhet t’i ketë «shumicën e anëtarëve të KB në anën e saj» – raporton portali Blic.Rs.

Sipas zyrtarëve serbë  Tango është tashmë pjesë e listës së 15 vendeve që kanë tërhequr njohjen ndaj Republikës së Kosovës. Kjo listë përbëhet, sipas tyre, nga Republika Qendrore e Afrikës, Ishujt Solomon,  Papa Guinea e Re, Madagaskari e vende të tjera.

Pikërisht duke dashur që t’u kundërvihej deklaratave të Daçiqit, kryediplomati Kosovar Behxhet Pacolli nga qeveria në ikje, pat deklaruar  që Kosova është duke bërë përpjekje për të kundërtën:

«Praktikisht ne jemi duke punuar, të shtrirë në të gjitha anët e botë, në të gjitha kontinentet. Jemi duke punuar pandërprerë me gjithë potencialin që posedojmë. Besoj se rezultatet nuk do të mungojnë. Ne tani kemi pasur dy njohje këtë vit dhe besojmë se deri në fund të muajit do të kemi edhe një njohje tjetër. Njohjet nga shtetet e mëdha ku jemi duke punuar, nuk mund të them se mund të vijnë brenda një apo dy muajve, por janë shënjestrime të cilat duhet të ndodhin këtë vit».

Nga ky deklarim, i cili është dhënë vitin e kaluar për REL, kanë kaluar më shumë se një vit, ndërsa diplomacia kosovare që atëherë, ka mbetur e heshtur. Njohje të reja nuk ka pasur ndërsa vazhdimisht është propaganduar që shtetet të cilat e kanë njohur sovranitetin e republikës, e kanë tërhequr njohjen.

Aktualisht, për shkak të rrethanave të krijuara, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, është pak e besueshme që ndonjë “repart” diplomatik të tregohet rezistent ndaj sulmeve vulgare diplomatike serbe. Për më shumë, qeveria në ikje dhe sektori për diplomaci, sipas shumë ekspertëve të çështjeve diplomatike, ka qenë larg realizimit të premtimeve në këtë drejtim. Ua kujtojmë që zotimet e vet kryediplomatit në ikje – Behxhet Pacollit, ishin të mëdha përpara se ta fitonte mandatin, por rezultatet kanë qenë përgjithësisht të varfra./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet