Hatri i partisë dhe për inati të partisë, emërohen e shkarkohen zyrtarët

Qeveria e Xi Jinping Haradinajt

18 shtatori ndryshe njihet edhe si: Dita e Respektit! Por në vendin tonë, puna dhe mundi i disave, duket që nuk respektohet fare, madje edhe prej atyre që e kanë për obligim. Që nga rënia e Qeverisë së Ramush Haradinajt e deri më sot, zyrtarët e lartë të institucioneve që janë vetëm ushtrues detyre deri në zgjedhjet e reja, po i shfrytëzojnë ato për punësime militantësh, por edhe për shkarkime – për inati të partive – shkruan Gazeta e Re.

Vakuumi që është krijuar prej dorëheqjes së Qeverisë Haradinaj, ua ka lënë duart e lira disa zyrtarëve për të vepruar ashtu siç u do qejfi. Disa nga analistët i interpretojnë këto si mundësi për ta rritur numrin e votuesve, ndërsa ata të cilët nuk u përshtaten, thjesht i përjashtojnë. Thënë shkurt, shumë punë këto ditë po bëhen hatri i partisë dhe shumë të tjera për inati të partive të tjera.

Por një rast i ngjashëm ka ndodhur me Flamur Malokun, studiues dhe kritik letrar, i cili është shkarkuar nga një detyrë, sapo është anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje. Ministri i Kulturës (tashmë i dorëhequr), Kujtim Gashi, e ka shkarkuar nga detyra e anëtarit të Këshillit të Librit, pozicion në të cilin ai ishte prej vitesh. Ministri në dorëheqje Gashi, këtë rast ai përciptazi e ka përmendur edhe mbrëmë në emisionin Rubikon:

«Shumica e bordeve kanë qenë 90% të politizuara nga njerëz dhe veprimtarë të LDK-së… Sot të gjitha bordet janë të depolitizuara me njerëz profesionist në të gjitha institucionet e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Pra është e vërtetë që ditë më parë e kam shkarkuar një për shkak që është bërë anëtar i një subjekti politik…».

Pra ky akt, sipas tij, është bërë në emër të depolitizimit të këshillit. Megjithatë, për Gazeta e Re Maloku e ka demantuar ministrin, duke thënë që shkarkimi nuk ka lidhje me depolitizim.

«Mbrëmë, në televizionin KTV, në emisionin ‘Rubikon’, ministri në detyrë i Kulturës Kujtim Gashi, kalimthi përmendi shkarkimin tim nga detyra e anëtarit të Këshillit të Librit. Sipas tij, po jo edhe bindjeve të tij, ai më ka shkarkuar sepse ai është aktiv në politikë. Ma gjej një dokument që një anëtar i ndonjë këshilli shkarkohet pasi anëtarësohet në një parti politike, pa marrë asnjë detyrë? Po meqë ministri nuk i kupton detyrat e aktivizimit në politikë, e shkarkimet i bën për inate dhe selame të tjetërkujt, duhet t’ia bëj me dije se unë nuk jam aktiv në politikë, nuk kam asnjë detyrë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe nuk jam as në listën për deputetë të Kuvendit të Kosovës. Vetëm i jam bashkëngjitur kësaj partie, me mendje dhe zemër, për t’i meremetuar të gjitha dëmet që ministri Gashi, prej marrjes së detyrës e deri më sot, ua ka bërë institucioneve të kulturës.»

Maloku madje është i hapur për të debatuar publikisht duke shtuar se: «…për detyrat e Këshillit, edhe për punën time aty gjatë dy vjetëve, edhe për shumë të tjera të ndodhura në MKRS, jam i gatshëm për debat televiziv me të dhe me cilindo tjetër. Po pres një ftesë të tillë.»

Por Maloku nuk është e vetmja “viktimë” e ndryshimeve dhe pozicionimeve politike. Muaj më parë është raportuar që Ferit Idrizi është pezulluar nga puna nga një pozitë në një departament në Ministrinë e Arsimit, pasi që i njëjti kishte refuzuar ta nënshkruante një opinion ligjor, të cilin ai vet e cilësonte si të jashtëligjshëm. Idrizi, sipas burimeve të gazetës Koha, është rikthyer në pozitën e dikurshme. Vendimin për rikthimin e tij, e ka marrë Komisioni Disiplinor i MASHT-it, në të cilën nuk figurohet asnjë masë tjetër disiplinore ndaj tij.

Nga ana tjetër, në disa ministri, është vënë re aktivitet i shtuar rreth emërimeve të reja të zyrtarëve, emërime të cilat janë kritikuar për shkak se po bëhen në prag të zgjedhjeve të parakohshme. Siç raportuan gati të gjitha mediat, akte të tilla janë marrë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për të cilat askush nuk ka dhënë ndonjë shpjegim./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet