Hashim Presheva*

Tentativa e Presidentit Hashim Thaçi, për ta futur në agjendën politike shtetërore çështjen e Luginës së Preshevës, po komentohet si një lojë e tij. Asgjë nuk ka serioze në këtë tentativë. Këtu e përmend dhe pas pak kohësh i kujtohet sërish, mbase për ta rifituar vëmendjen e opinionit publik – thonë disa nga njohësit e zhvillimeve politike – shkruan Gazeta e Re.

Një draft-rezolutë, e përgatitur nga presidenca e republikës, po pret në rend për t’u shqyrtuar nga administrata e kuvendit, në mënyrë që të futet në agjendë dhe të votohet. Presidenti Hashim Thaçi, pas dorëzimit të kësaj draft-rezolute, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që ta marrin parasysh dhe për më tepër, ta votojnë. Bëhet fjalë për të drejtën e Luginës së Preshevës, për t’iu bashkuar Kosovës.

« Kjo është draft-rezoluta që ia kam dërguar për shqyrtim dhe miratim Kuvendit të Republikës së Kosovës. U bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos i injorojnë kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ne e kemi obligim që t’i mbështesim në realizimin e kërkesave të tyre!» – ka shkruar Presidenti Thaçi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social facebook, duke e publikuar madje edhe dokumentin në fjalë.

«Duke marrë parasysh kërkesat e vazhdueshme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës, që të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së tyre dhe realizimit të kërkesave të tyre historike.

Në mbështetje të nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 61 të Rregullores së Kuvendit, bashkangjitur me këtë shkresë Ju dërgojmë për shqyrtim dhe miratim në Kuvend Draft Rezoluten për kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës» – thuhet në hyrje të dokumentit.

Parlamenti i Republikës së Kosovës, vetëm një ditë më parë në një seancë të jashtëzakonshme debatoi për gjendjen e rënduar të Luginës. Për një pjesë të opozitës, Hashim Thaçi është një prej përgjegjësve që çështja e saj ka mbetur në margjina të agjendës shtetërore për një kohë kaq të gjatë. Duke qenë një ndër njerëzit më të pushtetshëm këtu e njëzet vite, ai asnjëherë nuk është interesuar për gjendjen atje, ndërsa ky rikthim i beftë i vëmendjes nga Presheva, ndodh kur atij po i  lëkundet primati i pushtetarit, thonë disa nga analistët.

Presidentit iu pre ëndrra në Berlin – për ndryshim kufijsh. Qëndrimi i prerë i administratës së Kancelares Angela Merkel, e pat zmbrapsur nga këto lojëra për disa muaj dhe jo vetëm atë, por edhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili në njëfarë mënyre qe dorëzuar para opinionit publik serb, duke pranuar se ata e kanë humbur pothuajse përgjithmonë shansin për ta rikthyer Kosovën.

«Kjo është situate deri sot kur Presidenti Thaçi, i ftuar në një Samit në Tiranë fton gazetarin e Kazanit të Kazhanit, Metin, dhe i jep intervistë:  ‘Ëndrra ime për të bashkuar edhe Luginën e Preshevës dhe të gjithë shqiptarët kudo në një hapësirë mbarëshqiptare vazhdon e do të vazhdojë gjithmonë’! Kështu i tha Metit. Nuk e shpjegoi  sesi do e realizojë këtë aspiratë shekullore të shqiptarëve. Ndërsa kur Meti e pyeti: “Si e shpjegon deklaratën e Vuçiqit që ai nuk do ta njohë kurrë , deri në vdekje Kosovën”, zoti Thaçi u përgjigj :”Kjo është një deklaratë populiste etj etj…» – shprehet ndër të tjera Ermal Mulosmani, në një opinion të tij, ku ironizon me përpjekjet titanike të Presidentit Thaçi, për t’u kthyer në qendër të vëmendjes, duke i marrë frerët kryesor të shtetit në dorë.

Përtej këtyre orvatjeve presidenciale dhe përtej utopive politike që i projekton koka e tij, disa deputetë, pas vizitës që i bënë Luginës, konsiderojnë që gjendja e shqiptarëve atje, është tejet kritike.

«Shqiptarët këtu në Bujanoc, në Preshevë e Medvegjë, gjenden në kushte të jashtëzakonshme. Janë komuniteti që përballen çdo ditë me shkeljen e të drejtave bazike njerëzore. Qytetarët më të nëpërkëmbur në Evropë» – ka shkruar pas vizitës deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci. Në një mendje me të janë pothuajse që të gjithë, por siç janë për ta mbajtur larg procesit të bisedimeve Presidentin Thaçi, ashtu janë edhe për të mos ia lënë në dorë një çështje kaq të ndjeshme, për të cilën ai ka pasur rast të dëshmohet këtu e dy dekada./Gazetaere.com/

______________

*Është huazuar nga opinioni i Ermal Mulosmanit që mbanë të njëjtin titull, i publikuar muaj më parë në preshevajonë.com dhe disa media të tjera elektronike.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet