Haradinaj ultimatum Vuqiçit: Ose me njoftë Kosovën, ose bashkohemi me Shqipërinë

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar qytetin e Ferizajt, prej nga i ka dërguar një mesazh presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, që të njoh sa më parë shtetin e Kosovës pasi në të kundërtën i humb kohë veç vetes dhe popullit të vet.

Haradinaj para simpatizantëve të AAK-së në Ferizaj, ka paralajmëruar Vuçiqin se në rast se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, do të dëmtojë veç veten, meqenëse Kosova do të vazhdojë rrugën e saj për bashkim me Shqipërinë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka kandidatë për kryeministër, pasi Haradinaj synon vetëm postin e presidentit.

I bindur se do të arrijë të zgjedhet president, ai para qytetarëve në Ferizaj, tha se si i pari i vendit do të angazhohet që maksimalisht në planin ndërkombëtar edhe me Serbinë, në mënyrë që çdo qytetarë i Kosovës të jetë krenarë dhe ta dojë vendin e vet.

Haradinaj tha se duke u bërë të gjithë së bashku, do të jetë më e lehtë mposhtja e Serbisë, e sipas tij, kjo arrihet gjithherë me punë të mira për vendin.

Haradinaj: O me e njoftë Kosovën, o bashkohemi me Shqipërinë

 “Kur të bëhem president vendi, me ndihmën e Zotit dhe me ndihmën e juaj, unë i bëj të fala Vuçiqit: ‘o me e njoftë Kosovën, mos na vono më, se nuk kemi kohë me të pritë, se qysh kemi kriju ushtri, e pavarësim energjetike, na i grahim rrugës tonë, bashkohemi me Shqipërinë’. ‘Nuk ke kah ia mbanë, mos e vono veten, mos e merr veten në qafë, popullin tënd, se na i kryejmë punët tona’”, tha ai.

Bartësi i listës së AAK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit, i cili synon postin e presidentit ka kërkuar nga qytetarët e Ferizajt që të votojnë numrin 135, në mënyrë që të sigurojnë ringjalljen ekonomike të vendit.

Haradinaj: Votoni AAK-në që të ringjallim ekonominë

 

“Me të 14-in kur të votoni, ua kërkoj votën, për një program që e ngjallë ekonominë, për njerëz që i keni këtu, ndër ta 13 doktorë shkence, ka ekonomistë, juristë, arkitektë, inxhinierë, veteranë të lirisë, sipërmarrës të zot, të ri e të reja që studiojnë jashtë, janë të mirë. Ua kërkoj votën për presidentin e vendit që po don me i kry punët e Kosovës, në planin ndërkombëtar edhe me Serbinë, që me qenë çdo qytetarë i këtij vendi krenarë dhe me e dashtë vendin e vet”, ka shtuar ai.

Rritja e pagës minimale dhe forcimi i ushtrisë, ishin dy premtimet e tij në Ferizaj.

Në këtë tubim elektoral në qytetin e Ferizajt u prezantuan edhe kandidatët për deputetë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës: Xhavit Zariqi, Rrezofata Azemi dhe Ismet Shamolli.

Kategoritë
LajmeVendi