Haradinaj: Qeveria ime sfidohet edhe nga vet përbërja e saj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, edhe publikisht ka pranuar se qeveria që ai e drejton, sfidohet edhe nga vet përbërja e saj. Koalicioni i gjerë me të cilin ai qeverisë, është konsideruar qysh në krye si më i gjeri në historinë e shkurtër të Republikës së Kosovës – shkruan Gazeta e Re.

Ramush Haradinaj, Kryeministër i Republikës së Kosovës, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës.

“Qeverisja në vendin tonë është e sfiduar shumë, e udhëheqi një qeveri të koalicionit me disa parti dhe si e tillë është një qeveri e sfiduar edhe nga përbërja e vet. Ajo çka e ka sfidu më shumë është disa prej temave që i kam gjet në tavolinë”, ka thënë ndër të tjera kryeministri.

Ai është shprehur se që në krye të herës ka qenë i vendosur, që bashkë me kabinetin e tij të bëjë diçka më shumë dhe të “mos ankohen për ato që i kanë gjet” nga qeveria e mëhershme.

“Ka tema të mira të lezetshme por edhe problematike ju kam thënë të mos e fshehin asnjë temë. Ligji për Prishtinën ka qenë temë që është diskutu gjatë. Krejt temat e Kosovës të të gjitha natyrave të mundshme kemi fillu të merremi me to. Kështu kemi mbrri në disa tema që janë kardinale si te ligji i ushtrisë, ju e patë përfaqësuesin e amerikës i cili dje në OKB tha se e mbështet krijimin e ushtrisë së Kosovës”, ka vijuar ai.

Kryeministri pranoi që anëtarësimi në Interpol dhe liberalizimi i vizave, janë çështje me të cilat aktualisht preokupohet kabineti i tij qeverisës. Ai ka sqaruar që anëtarësimi në rrjetin më të madh botëror anti-kriminal, hë për hë është çështje politike, por në qoftë se ndodh anëtarësimi, atëherë  do të jetë çështje krejt teknike, në kuptimin se sa do të jetë e aftë Kosova të kontribuojë në luftimin e krimit. Për sa i përket liberalizimit të vizave, ai tha që është një punë me të cilën janë duke u marrë, ndërsa ka pranuar që më pak vëmendje i kanë kushtuar arsimit.

“Te arsimi nuk kem arrit mjaftueshëm arsyet janë se në tavolinë kam gjet tema të mbi një dekade”.

Kryeministri ka folur edhe për raportet Kosovë vs Serbi, respektivisht nga nevoja që kjo e fundit ta njeh statusin e republikës sonë. Sipas tij, njohja nga Serbia është në interes të Kosovës dhe për këtë edhe duhet të negociohet, por pa e prekur atë që është krijuar. Me këtë rast, kryeministri ka treguar edhe njëherë pozicionin e tij të paluhatshëm:

“Nëse ndodhë e kundërta atëherë është e rrezikshme për vendin. Nëse nuk dimë më rujt atë që e kemi arrit, s’mund të ruajmë diçka të re”.

Për shkak të numrit të madh të subjekteve që e përbëjnë koalicionin si dhe qëndrimeve aspak unike për disa çështje brenda këtij koalicioni, të gjithë janë skeptikë për sa i përket jetëgjatësisë së qeverisë së Haradinajt. Ai duket që është i vetëdijshëm për këtë.

Opozita mjaft shpesh e ka shigjetuar me kërcënime për rrëzim të parakohshëm nga qeveria, por koalicioni i ka mbijetuar disi kësaj. Së fundi Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, nuk i mohoi zërat që partia e tij është duke kërkuar vota të mjaftueshme për rrëzimin e qeverisë aktuale. Madje as ata që thanë se Mustafa është duke kërkuar mbështetjen edhe të Listës Serbe.

“Ne kemi kërkuar nga partitë opozitare që të na përkrahin, po ashtu ne do bëjmë përpjekje që qeveria të rrëzohet me marrëveshje politike. Ne nuk do e përjashtojmë asnjë që i bashkangjitet kësaj kërkese të LDK-së” – ka sqaruar ai, duke ia kujtuar mazhorancës që ka qenë pikërisht vota e Listës Serbe e cila e ka rrëzuar qeverinë e tij paraprake./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet