Haradinaj: Po punojmë për rritjen e pagave për punëtorët e KEK-ut, Sindikalistët presin realizimin e premtimit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se janë duke punuar dhe janë duke e trajtuar seriozisht premtimin e dhënë punëtorëve të KEK-ut, se që nga janari do të marrin pagën nga 100 euro më shumë.

Haradinaj gjatë një vizite në KEK, ka thënë sot se janë afruar shumë, por që nuk ka pohuar apo mohuar, nëse punëtorët e KEK-ut pagën e janarit do ta marrin me rritje.

 

“Jemi afruar shumë, e diskutuam edhe këtë temë, pra me gjet një zgjidhje edhe për këtë. Ta shohim njëherë, nuk po them ose po ose jo, por jemi duke punuar që me trajtuar këtë temë seriozisht. Mund të ndodh edhe ta mbërrijmë në kohë”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Rafet Osmani tha për KosovaPress se beson shumë që kryeministri do ta mbajë premtimin e dhënë dhe se të gjithë punëtorët e KEK-ut pagën e janarit do ta marrin me 100 euro më shumë.

“Shpresoj shumë, që ka me ndodh me pagë të janarit, se ju tha ne duhet të përgatitemi edhe të zotohemi, që premtimin që ju kemi dhënë punëtorëve, se është motiv shtesë për punëmarrësit që punojnë në Korporatën Energjetike të Kosovës. Si dhe është premtim i ndërsjellët, sepse tani këtë dinamikë të punës çfarë është dhënë nga menaxhmenti për shkak që e kanë humbur hapin në prodhim, është problem për me përballua punëtorët në prodhim. Mirëpo, nëse rritja e pagave do të ndodh, qysh ka thënë kryeministri, atëherë edhe punëtorët do të jenë të motivuar dhe me siguri që deri kah marsi do ta nxajnë hapin, apo prodhimi i cili ka humbur për shkak të ndalesës së ekskavatorëve në djerrinë do ta zëjnë dhe do të ketë punë normale prej marsit e andej”, tha ai.

Madje, ai tha se edhe gjatë takimit, kryeministri ka thënë se duhet të përgatiten që premtimin që ju kanë dhënë punëtorëve të mbahet.

 

“Ndër të tjera gjatë vizitës së kryeministrit Ramush Haradinaj, në këtë takim me menaxhmentin e KEK-ut, është biseduar edhe rreth premtimit për rritjen e pagave të punëmarrësve të Korporatës Energjetike të Kosovës, e cila u është premtuar sindikatës së re të KEK-ut që nga 2 qershori i vitit të kaluar. Edhe kryeministri u zotua edhe në bisedë me menaxhmentin ju tha që duhet me bë çmos për me arrit premtimin që ‘ju kemi dhënë punëtorëve të KEK-ut, se është një motiv shtesë për punë’. Edhe duke e ditur që puna e punëtorëve të KEK-ut është shumë e rëndë, ata ju ekspozohen kushteve atmosferike, pastaj gazrave helmuese, pluhurit, zhurmës, dridhjes dhe rrezikut permanent nga pajisja që punojnë aty”, tha ai.

Osmani tha se nëse ky premtim për rritje të pagës së punëtorëve të KEK-ut nuk realizohet, ata do të protestojnë, si dhe nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë që të futen në grevë, raporton KosovaPress./

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet