Haradinaj me ministra të “hunit e konopit”?

Jo pak politikanë që kanë pozita të larta shtetërore në institucione të Kosovës, kanë pasur ose kanë aktakuza të ngritura nëpër gjykata. As në qeverinë e krijuar para dy ditësh nuk mungojnë të tillët, duke filluar nga zëvendëskryeministri, shkruan Gazeta e Re.

Kryeministri i porsazgjedhur, Ramush Haradinaj bashkë me kolegët e tij të koalicionit PDK-AAK-NISMA, nuk i morën parasysh thirrjet e shumta të ndërkombëtarëve për të mos futur në listat zgjedhore kandidatë me të kaluar kriminale.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj përballet me aktakuzë për korrupsion gjatë periudhës sa ka qenë ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit. Edhe zëvendëskryeministri tjetër nga komuniteti serb, Dalibor Jetvtiq, kishte punë me drejtësinë deri para tri javësh kur gjykata hodhi poshtë aktakuzën për “keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar”.

E Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, përveç për aferën “Pronto”, është nën hetime edhe për “faljen e disa hidrocentraleve publike, konsorciumit “Çalik-Limak”.

Edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka akuzohet për veprën penale “konflikt i interesit”, gjatë kohës sa ishte duke punuar si zyrtar i lartë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Një përbërje e tillë e qeverisë së re, sipas njohësve të çështjeve politike në vend do të jetë një problematikë e thellë.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se besimi i qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë është në nivelin më të ultë të besueshmërisë që nga pas lufta, me vetëm rreth 15 %.

“Shpresa dhe fitimi i besimit jo vetëm të qytetarëve të Kosovës por edhe faktorit ndërkombëtar në Kosovë ka qenë që të kemi një qeveri me duar të pastra, me ministra dhe administratë me integritet. Fatkeqësisht edhe kjo qeveri dhe kjo legjislaturë në mesin e tyre ka njerëz që kanë probleme serioze me ligjin. Andaj, edhe përshtypjet e para nuk janë fare premtuese. Kjo qeveri dhe legjislaturë do ta ketë problem serioz promovimin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit me ministra apo deputetë me të kaluar kriminale”, thotë Miftaraj për Gazeta e Re.

Sipas tij, një qasje e tillë do t’ia vështirësoj edhe faktorit ndërkombëtar për të ofruar ndihmën dhe mbështetjen e saj shtetit të Kosovës qoftë në fushën e njohjeve të reja, procesit të integrimit evropian, liberalizimit të vizave dhe hapjes se investimeve të huaja ne Kosovë.

Ndërkaq Ditar Kabashi, nga këndvështrimi i njohësit të çështjeve juridike, shpjegon se, përfshirja e individëve të cilët janë apo mund të jenë pjesë e hetimeve apo aktakuzave nxjerr në pah nivelin e standardit politik në Kosovë. “Kjo domethënë se pavarësisht se kush e themeloi qeverinë deri më tash që nga paslufta, vazhdon i njëjti avaz i rehatimit të personave të caktuar, pa marrë parasysh nëse përfshirja e disa emrave trondit kredibilitetin e ekzekutivit. Në drejtësi ekziston parimi i prezumimit të pafajësisë deri në momentin e argumentimit të fajësisë së dikujt. Por, jeta politike nuk duhet ndërtuar sipas leximit literal të këtij parimi. Mendoj se duhet ndjekur modelet e vendeve me demokraci të zhvilluar në të cilat transparenca dhe llogaridhënia e politikanëve janë standard i natyrshëm e rrjedhimisht ata nuk qëndrojnë në pozitat shtetërore qysh nga momenti kur kuptojnë se ndaj tyre mund të jetë iniciuar ndonjë procedurë hetimore”, shprehet Kabashi.

Përbërja e re e kabinetit qeveritar, pos që do të sjellë dëme në aspektin e brendshëm, sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare Dashnim Ismajli, do të jetë e kushtueshme edhe për imazhin e Kosovës në botë.

“Mendoj se ky emërim i individëve me veprimtari të dyshimta për të udhëhequr në dikasteret më rëndësishme për vendin, pos që sfidon Kosovën përbrenda në funksionimin e saj, ulë besueshmërinë e qytetarit ndaj vetë institucioneve vendore, i jep edhe njollë të zezë ndërkombëtarisht. Kosovës kurrë më shumë se sa sot nuk i duhen njerëz që gëzojnë një admirim dhe kredenciale të larta si për brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kosova duke emëruar njerëz profesionist dhe kompetent me kredibilitet të lartë i mundëson vetes hapjen e dyerve tek perëndimorët dhe përshpejtimin në rrugën e saj integruese. Kosovës më së paku iu ka dashur një qeveri e tillë në këtë kohë sa të vështirë aq edhe të rëndësishme, për të ecur tutje me demokratizimin e shoqërisë dhe forcim të subjektivitetit të saj ndërkombëtarisht”, potencon Ismajli.

Kujtojmë që jo vetëm nëpër ministri ka persona të cilët kanë aktakuza. Ne nivelin lokal, janë të njohur kryetarët e komunave si ajo e Prizrenit apo Skenderajt, që edhe pse kishin aktakuza apo ishin në hetime, kanë mbajtur postin e të parit.

E për t’i gjetur një zgjidhje luftimit të korrupsionit, IKD ka propozuar krijimin e një Prokurorie dhe Gjykate Speciale për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si institucione vendore me staf vendor por të cilët do të verifikohen dhe rekrutohen nga Ambasada Amerikane dhe Ambasada Britanike.

Ndryshe, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga kushtet kryesore për të fituar liberalizimin e vizave. E për këtë, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova para pak muajsh pati thënë se “politikanët e mbajnë çelësin për liberalizimin e vizave”. /Arbenita Bungu/Gazeta e Re/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet