Haradinaj ia ‘plas’ Mogherinit në fytyrë: Kush flet për kufijtë është armik i vendit tim

Në fjalimin e tij në takimin e MSA-së ndërmjet Kosovës e BE-së kryeministri Ramush Haradinaj ka përdorur gjuhë të fortë ndaj BE-së për ato që i ka parë si mospërmbushje të premtimeve nga institucionet e saj.

Ai ia ka thënë Mogherinit në takim, se e ka humbur kredibilitetin e ndërmjetësueses, kryesisht për shkak të diskutimit për kufijtë.

Për më tepër i ka dërguar mesazh edhe presidentit Hashim Thaçi, kur ka thënë se kushdo që përmend kufijtë është armik i Kosovës.

“Më lejoni të theksoj edhe një herë, unë si Kryeministër dhe Qeveria e Kosovës, kundërshtojmë fuqishëm dhe e refuzojmë këtë ide, e cila do të sjellë vetëm luftëra dhe tragjedi të reja në Ballkan. Kushdo që flet për kufijtë, territorin, apo çfarëdo korrigjimi tjetër për vendin tim, është armiku ynë”, ka thënë Haradinaj në takim, transmeton Gazeta e Re.

Më herët gjatë vitit, në një akademi përkujtimore në Drenicë, kryeministri i tha presidentit se do ta mbronte Kosovën edhe nga ai.

Për shkak të tensioneve në takim, konferenca mes Mogherinit e Haradinajt u anulua.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet