Haradinaj ia kthen sërish Hotit, ia rikujton reagimin e Gjermanisë për shuarjen e Task-Forcës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vazhduar replikat me kryeministrin Avdullah Hoti lidhur me shuarjen e Task-Forcës Anti-Korrupsion.

I pari i AAK-së ia ka rikujtuar Hotit qëndrimin e Gjermanisë, si kryesuese e Bashkimit Evropian, rrjedhimisht edhe vendimmarrëse për procesin e liberalizimit të vizave

“Bashkpartiakët tuaj edhe mund t’ju tolerojnë, por, ky është qëndrimi i shtetit aleat që është vendimmarrës për liberalizim të vizave:
“Fatkeqësisht vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion, ngrit shqetësime të mëdha për vullnetin politik për trajtimin efektiv të çështjeve korruptive””, thuhet në reagimin e Haradinajt.

Në reagimin paraprak, shefi i Qeverisë, Avdullah Hoti, i tha kryesuesit të partisë në koalicionin qeverisës se “shuarja e Task-Forcës anti-korrupsion nuk e zbehë luftën ndaj korrupsionit”.

“Puna e zyrtarëve që kanë qenë në kuadër të Task Forcës në Policinë e Kosovës vazhdon pa asnjë ndryshim në trajtimin e lëndëve të krimit dhe korrupsionit, sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale.

Të gjithë ata zyrtarë vazhdojnë të kryejnë obligimet e tyre ligjore sipas organizimit të brendshëm të Policisë së Kosovës pa asnjë ndërhyrje nga askush.

Kushdo që ka dyshime për këtë, le të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar mbikëqyrje dhe sqarime për punën e secilit”, u tha në reagimin paraprak të Hotit.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet