Haradinaj e konsideron qasje të gabuar qëndrimin e Veselit karshi taksës

Kryeministri Ramush Haradinaj ka komentuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për taksën duke thënë se mungesa e unitetit në mes udhëheqësve vendorë karshi taksës e ka dobësuar Kosovën.

Ai ka shprehur vendosmërinë e tij si shef i Qeverisë së Kosovës për të mos hequr dorë nga taksa duke thënë se nuk ia jep tregun një shteti që ia mohon ekzistencën.

Haradinaj: Nuk ia jap tregun shtetit që më mohon dhe rrezikon

“Mendoj se e ka qasjen shumë të gabuar Veseli dhe Thaçi edhe këta që e kanë dobësuar Kosovën në masën sa e kanë dobësuar sa që Serbia sot me të qit kushte ty për të ardhur në tavolinë të dialogut me ty. Kush e ka sjellë gjendjen e Kosovës deri këtu, e ka sjell kush ka udhëhequr me vendin. Këta njerëz e kanë udhëhequr vendin deri sot, është një situatë e re, kanë ardhur logjika të reja që i përfaqësoj unë në këtë rast që nuk pranoj për të më vendosur kushte Serbia për t’u ulur në dialog. Njëkohësisht, nuk e jap tregun shtetit që më mohon dhe rrezikon. Ky është një dallim substancial në qasje nëse këtë dëshirojmë ta shpjegojmë ndryshe se si flasim ne me Amerikën, vërtet ne flasim me Amerikën si me familje, por familjes duhet treguar ku po të dhemb”, tha Haradinaj.

Duke e konsideruar si të padrejtë kërkesën për suspendim të taksës, Haradinaj tha se mungesa e unitetit në mes udhëheqësve të vendit karshi taksës e ka rritur dallimin në mes Kosovës dhe Amerikës për taksën ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Haradinaj: Sikurse Veseli të ishte unik, edhe SHBA do të përkrahte vendimin e taksës

“Është kualifikim i paqëndrueshëm. Nuk kam qasje ose komunikim me Amerikën si me Serbinë, me Serbinë njëherë jam ndarë me luftë e kam qenë krahë për krahë me Amerikën. Kemi dallime në tema me Serbinë të shumta, më pak me Amerikën, kemi dallim në temën për suspendimin e taksës. Sikurse kryetari Veseli dhe të tjerët të kishin qenë unikë, Amerika ndoshta na kishte përkrahur më shumë, por kjo dëshirë me fol ndryshe po na bënë dëme si Kosovë dhe na ka lënë këtu ku jemi”, tha ai.

Teksa e ka pranuar që e ka pasur të vështirë që të mbajë këtë drejtim politik, kryeministri Haradinaj tha se këto qëndrime të udhëheqësve të Kosovës po e bëjnë më të guximshme Serbinë.

Haradinaj: Mungesa e unitetit e bën më të guximshme Serbinë

“Unë e kam pasur shumë të vështirë për të mbajtur këtë drejtim politik në këto kohë, pikërisht për shkak të këtyre fyerjeve se jam ankuar disa herë që nuk kemi qenë unik. Fatkeqësisht, edhe kjo pastaj e bën Serbinë më të guximshme dhe nuk lëshon pe Serbia derisa gjysma jonë i thotë se kemi me e heq taksën. Pse të vijë Serbia në dialog…Është argument i qëndrueshëm taksa nuk i jepet tregu atij që ta mohon ekzistencën. Askund në botë nuk ka kështu “, tha shefi i Qeverisë.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ka folur edhe për koalicionin qeverisës për të cilin tha se nuk është çështja kryesore e vendit, dhe se e rëndësishme është të mbrohet interesi nacional.

Këto deklarata i pari i Qeverisë i bëri pas takimit që pati me kryetarin e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj, të cilin për kontributin e dhënë për lartësimin e vlerave kombëtare e nderoi me dekoratën Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet