Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet të zhvillojë një takim gjatë kësaj fundjave me kryetarin e Nisma-s, Fatmir Limaj.
Lajmin e ka konfirmuar deputetja e Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ku tha se ky takim mund të mbahet sot ose nesër.
Ajo u shpreh optimiste rreth rezultateve të mundshme të këtij takimi për daljen nga kriza institucionale që ka përfshirë vendin.
Në lidhje me këtë takim ka folur për “Gazeta Blic” politikani dhe zyrtari i lartë i PDK-së, Xhavit Haliti.
Haliti tha se çdo përpjekje për të arritur marrëveshje politike ndërmjet partive është pozitive.
Ai tha se një marrëveshje e mundshme për kapërcimin e krizës do të ishte e mirëseardhur.
“Çdo përpjekje për të arritur marrëveshje politike në mes partive është pozitive. Marrëveshja e mundëshme për kapërcimin e krizes politike do ishte e mirëseardhur po ashtu edhe krijimi i qeverisë është domosdoshmëri” tha Haliti.
Haliti tha se nga informatat që po dëgjohen mund të arrihet një marrëveshje dy ose tre palëshe gjatë javës së ardhshme“Tani kush me kënd do bëj kualicion, unë nuk e kam parasysh, por nga informatat që po dëgjohen kuluareve, mund të arrihet një marrëveshje dy ose trepalëshe gjatë javës së ardhshme. Nëse jo atëherë është koha e duhur që të provohen palët në pritje” tha Haliti në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.