Haliti: Dorëheqja e Haradinajt nuk ka qenë e nevojshme

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se Ramush Haradinaj nuk ka pasur nevojë të japë dorëheqje nga pozita e kryeministrit për një ftesë nga Gjykata Speciale.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se Haradinaj është dashur të shkojë në Hagë dhe të kthehet për ta vazhduar punën.

“Mendoj se ai ka mundur të shkojë në Hagë të deklarohet për atë që e kanë ftuar dhe të kthehet prapë në detyrë. Sa kam dëgjuar, nuk ka pasur ftesë për t’u arrestuar, sepse nuk ka pasur aktakuzë. Mendoj se për këtë arsye nuk ka pasur nevojë që të japë dorëheqje”, ka thënë Haliti.

Sipas tij, kryeministri dhe ish-pjesëtarët e tjerë të UÇK-së po paraqiten para një gjykate të Kosovës e jo para një gjykate të huaj siç po deklarohen.

“Së dyti, ai nuk ka shkuar në një gjykatë të huaj, por në një gjykatë të Kosovës. Mendoj se po bën lapsus ai kur po thotë se po shkon në një gjykatë të huaj dhe nuk po do ta çojë kryeministrin e Kosovës në një gjykatë të huaj. Ajo është një gjykatë e Kosovës, pra është Gjykatë e Dhomave të Veçanta dhe vepron e funksionon në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, është shprehur Haliti.

Deputeti i PDK-së është shprehur i bindur se kjo parti do të dalë fituese në zgjedhjet e parakohshme.

Sipas tij, pavarësisht nëse PDK-ja do të shkojë në koalicion parazgjedhor apo jo, kandidat për kryeministër do të jetë Kadri Veseli.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet