Gucati: Specialja mund ta ftojë edhe presidentin Thaçi

Numrit të rreth 250 ftesave për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale pritet t’iu shtohet edhe ajo për presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Kështu thotë për KosovaPress, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, teksa shton se brenda muajit nëntor presin rreth tri aktakuza nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Gjithë këto ftesa, Gucati i cilëson si të papranueshme dhe thekson se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër.

Gucati: Me siguri se do të ftohet edhe presidenti Thaçi

“Gjykata Speciale sipas të gjithave gjasave nuk do të ndalet me këto ftesa. Sa do të shkojë numri nuk e di, por me siguri do të shkojë në një numër bukur të madh…Realisht, tashmë nuk besohet prej Gjykatës Speciale më asgjë, kjo ka filluar prej fundi dhe ka ardhur deri te koka. Me siguri që do ftohet, ne nuk e dimë për presidentin. Por, pasi është këtu edhe ish-kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli dhe gjenerali Rexhep Selimi njëri prej themeluesve të UÇK-së me siguri edhe ai mund të ftohet, por edhe dikush tjetër”, tha Gucati.

Kryetari i veteranëve të luftës, thotë se sipas informacioneve jo zyrtare që posedojnë deri më tash janë rreth 250 ftesa për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale, e sipas tij disa prej tyre në cilësinë e të dyshuarve, por edhe me statusin e dëshmitarëve.

Gucati: Në muajin nëntor mund të ketë tri aktakuza

“Në bazë të informacioneve që posedojmë ne presim aktakuzat e para shumë shpejt, ndodhë tash këtë muajin nëntor, tri aktakuza… Sipas informacioneve jo zyrtare që i kemi deri tash flitet për 250 ftesa. Numri i madh është edhe në cilësinë e dëshmitarëve të ftuar, kemi edhe në numër të dyshuar, sot ftesa e re që ka ardhur është në cilësinë e dëshmitarit. Është një numër bukur i madh edhe në cilësinë e dëshmitarëve që i kanë ftuar”, thotë ai.

Ndërsa, avokati Artan Qerkini thotë se numri i shtuar i ftesave ditëve të fundit tregon se edhe Specialja është vënë para një presioni të atyre që po e sponsorizojnë. Teksa thotë se statusi i një personi gjatë hetimeve nuk është definitiv, pasi sipas tij mund të ndryshojë nga dëshmitari në të dyshuar dhe anasjelltas.

Qerkini: Zyra e Prokurorit të Specializuar është vënë në presion

“Nga kjo pozitë që jemi nuk mund të themi me kompetencë se edhe sa do të zgjatë kjo mënyrë e të ftesave që po dërgohet nga zyra e Prokurorit të Specializuar. Mirëpo, megjithatë, si duket edhe kjo zyrë është vënë në presionin e financuesve, apo të atyre që e sponsorizojnë këtë gjykatë që të marrin veprime konkrete. Mirëpo, ndoshta vetë procedurave është me rëndësi të potencohet që statusi i një personi gjatë hetimeve nuk është definitiv që i bie se një person gjatë hetimeve mund të fillojë me statusin e personit të dyshuar, por gjatë hetimeve statusi i hetimeve mund të ndryshojë prej personit të dyshuar në dëshmitar, por edhe prej dëshmitarit në të dyshuar”, thotë ai.

Ndërkaq sot, Gjykata Speciale ka ftuar edhe një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shefqet Buçaj, i cili ka qenë ushtar në Zonën Operative të Pashtrikut.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet