Gruevski është arratisur edhe nga Hungaria, destinacioni Rusia ose…

Arratisja e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski është kthyer në kryefjalën e mediave të rajonit, që kanë zbuluar ditët e fundit skenarin se si ish-lideri i VMRO-DPMNE la vendin me dokumenta false madje duke përdorur Shqipërinë si vendkalim.

E teksa Gruevski ka kërkuar azil në Hungari dhe zyrtarë nga qeveria e Viktor Orban janë shprehur se e kanë marrë në shqyrtim kërkesën, të shtunën mediat bullgare kanë raportuar se ish-kryeministri maqedonas është larguar nga Budapesti.

Media bullgare “Fokus” shkruan se Gruevski ka ndërruar vendndodhje dhe citon një funksionar të lartë në ish partinë e drejtuar nga ai, VMRO-DPMNE.

Sipas “Fokus” dhe medias maqedonase “Portalb.mk”, Gruevski është arratisur sërish dhe destinacioni mund të jetë Turqia ose Rusia. Lajmi është raportuar edhe nga mediat hungareze, të cilat theksojnë se Gruevski është arratisur të mërkurën, me aeroplanin e një oligarku të afërt me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

Ndërkohë, qeveria hungareze i ka hedhur poshtë aludimet e mediave, se kanë ndihmuar ish-kryeministrin për tu arratisur nga Maqedonia.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet