Greqi, drejtuesit e Agimit të Artë dënohen me nga 13 vite burgim

– Giorgos Roupakias, i cili vrau muzikantin majtist Pavlos Fyssas në vitin 2013, u shpall fajtor për të gjitha akuzat në lidhje me vrasjen dhe u dënua me burgim të përjetshëm dhe me 10 vjet shtesë për anëtarësimin e tij në parti

Gjykata në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, dënoi drejtuesit e grupit politik neo-nazist “Agimi i Artë” me nga 13 vite burgim, raporton Anadolu Agency (AA).

Nikos Michaloliakos, udhëheqësi i Agimit të Artë, u dënua nga Gjykata e Apelit e Athinës për krijimin dhe drejtimin e një organizate kriminale nën pretekstin e një partie politike, së bashku me anëtarët e tjerë të lartë të grupit, Christos Pappas, Ilias Kasidiaris, Ioannis Lagos, Giorgos Germenis dhe Ilias Panagiotaros.

Anëtarët e tjerë të Agimit të Artë u dënuan me dënime më të ulëta nga pesë deri në shtatë vjet, të akuzuar vetëm për anëtarësim në një organizatë kriminale.

Giorgos Roupakias, i cili vrau muzikantin majtist Pavlos Fyssas në vitin 2013, u shpall fajtor për të gjitha akuzat në lidhje me vrasjen dhe u dënua me burgim të përjetshëm dhe me 10 vjet shtesë për anëtarësimin e tij në parti.

Javën e kaluar Gjykata e Apelit e Athinës shpalli fajtor udhëheqjen e partisë së ekstremit të djathtë Agimi i Artë për akuzat e formimit të një organizate kriminale.

Gjyqi i gjatë kundër partisë politike neo-naziste përfundoi sot me shpalljen e dënimeve, pas mbi 450 seancash që nga viti 2015, kur filloi gjykimi.

Grupi u akuzua për goditjen fatale me thikë të Fyssas dhe sulmet ndaj aktivistëve të lidhur me grupe të majta, si dhe peshkatarëve egjiptianë.

Më shumë se 20.000 njerëz u mblodhën jashtë gjykatës së Athinës, ku do të shpallej vendimi. Rreth 2.000 oficerë policie rrethuan zonën.

– Reagimet

Vendimi u përshëndet nga partitë politike të përfaqësuara në parlament, si dhe presidentja Katerina Sakellaropoulou.

“Në traditën e gjatë demokratike të vendit tonë, fenomenet e dhunës ekstreme politike kanë qenë gjithmonë të huaja”, tha Sakellaropoulou, duke shtuar se vendimi i gjykatës ishte një “konfirmim që demokracia dhe institucionet e saj gjithmonë kanë aftësinë për të penguar çdo përpjekje për t’i minuar ato”.

“Demokracia ka fituar sot. Varet nga të gjithë ne që ajo të fitojë çdo ditë”, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një deklaratë tjetër.

Nga ana tjetër, Alexis Tsipras nga partia opozitare kryesore SYRIZA, tha se “Sot është një ditë e madhe për demokracinë tonë”.

“Ata kurrë nuk ishin të pafajshëm. Ata e dinin këtë dhe po ashtu edhe ne. Sot, drejtësia greke e konfirmoi këtë në një vendim historik”, shtoi ish-kryeministri grek.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet