Goran Milliq: Kosova po përjeton ndryshimet më të shpejta sesa shumica e republikave jugosllave që u bënë shtete të pavarura

Goran Milliq (Goran Milić), gazetar i mirënjohur kroat, thotë se përgjatë jetës së tij 71 vjeçare, nuk ka as edhe një qejf që nuk ia ka plotësuar vetvetes. Beson se ka bërë jetë më të mirë se sa Tito. Karrierën e vet prej gazetari e ka filluar në të ’70-tat në Radio Televizionin e Beogradit. Për këtë shtëpi mediale ka raportuar nga Nju Jorku prej 1980-të deri 1985-stë. Më  pas angazhohet si profesor gazetarie në Universitetin e Beogradit. Ishte Kryetar i Komisionit për Informim pran Universitetit të Zagrebit. Gjatë mbajtjes së samitit të Lëvizjes së Shteteve të Pa-Inkuadruara me 1989, ishte i angazhuar si zëdhënës për medie i samitit. Me 1992, Milliq bëhet drejtor i qendrës së gazetarëve në Qeverinë e Bosnje dhe Hercegovinës, e më pastaj edhe Zëdhënës i Ekipit Olimpik i këtij vendi. Nga viti 1997 fillon punën në Radio Televizionin e Kroacisë si redaktor i emisionit informativ.

Gazetari: Goran Milliq

Ai ka ndjekur edhe samitin e Ligës Arabe me 1973, më pastaj ka raportuar edhe nga konflikti i Qipros i vitit 1974. Është poliglot (i flet gjuhët: anglisht, frëngjisht, spanjisht, italisht, rusisht si dhe gjuhën portugeze), dhe ka vizituar shumë vende si në Evropë, Amerikën Latine, SHBA, Azi, Australi, Rusi, duke përgatitur një mori dokumentarësh për popuj e vende të ndryshme. Milliq është autor i më shumë se 120 emisioneve dokumentare e udhëpërshkruese.

Ai është laureat i shumë çmimeve sikurse ai më i hershmi Svetozar Markoviq në vitin 1984 në Serbi, pastaj Çmimi i Gjashtë Prillit i Qytetit të Sarajevës më 1992 dhe ai i vitit 2007 kur u shpall gazetari më i mirë në Kroaci.

Aktualisht drejton emisionin “Alkimia e Ballkanit” në të cilin prezanton shtetet dhe popujt e vendeve të Ballkanit në televizionin Al Jazzera.

Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re Milliq flet ndër të tjera edhe për dallimin e Kosovës së sotme dhe atë të  viteve të 80-ta. Kjo intervistë vije fill pas mbarimit të episodeve të serisë dokumentare ‘Alkimia e Ballkanit’, seri kjo në të cilën ishte përfshirë edhe Kosova. Ai nuk lë pa përmendur edhe mundësit e anëtarësimit të Kosovës në BE, bashkimin me Shqipërinë dhe çështje të tjera.

Ndër të tjera Milliq thotë “Në vazhdimësi do të keni dilema në lidhje me investimet e huaja. Nga njëra anë do t’i dëshironi ato, për shkak të krijimit të vendeve të reja të punës, të punësimit të fëmijëve të tuaj. E në të njëjtën kohë do të provoni t’i rezistoni “shitjes së Kosovës ndaj të huajve” – duke shtuar se: “Para vetës e keni një rrugë të gjatë deri te anëtarësimi në BE”.

GeR: Z. Milliq, juve ju njohin jo vetëm si yll medial, por për më shumë edhe si person pozitiv. A thua ky pozitivizëm ka depërtuar edhe në emisionin tuaj “Alkimia e Ballkanit”, ku gjithmonë shfaqen anë pozitive nga të gjitha vendet e përfshira?

Gazetari Milliq në intervistë me ish-presidentin e SHBA-ve, George H.W. Bush

Milliq:  Një qasje pozitive ndaj jetës vjen me stërvitje mendore, por shumë varet edhe nga mjedisi në të cilin jetoni. Në Ballkan ekziston një kulturë e vajtimit dhe zisë. Muzika jonë, këngët tona i dedikohen nënës e cila ka vdekur, lidhjes me vajzën që na la, miqve që na tradhtuan. Dhe më pastaj njerëzit me këto kënaqën.

Unë kam jetuar pesë vite në SHBA, kam punuar si reporter televiziv nga Nju Jorku. Dhe atje kam parë se si njerëzit janë në kërkim të anës pozitive të jetës. As në Amerikë jeta nuk është e lehtë dhe e thjeshtë, por ata ende kanë më shumë buzëqeshje sesa shqetësime. Shihni fotot e tyre familjare. Të gjithë qeshin, të gjithëve ju shndrisin dhëmbët, ndërsa tek ne fotografia familjare duket si foto funeralesh. Fotografi kot thërret të buzëqeshim, ne prapë dalim të ngrysur e serioz.

Si gazetar, për mua janë interesant njerëzit e suksesshëm e optimist. Të preferuar i kam ata që kanë filluar nga zero e që me punë dhe dituri, natyrisht edhe me nder, kanë korrur suksese në jetë. Dhe nuk jam xheloz në qoftë se ata kanë arritur sukses më shumë sesa unë, sepse e di sa shumë kanë punuar.

Tek të varfëritë, më interesojnë ata të cilët nuk janë fajtor për varfërinë e tyre. Mos të ju duket e çuditshme, por unë nuk kam shumë simpati për ata që nuk kanë mësuar në shkollë, ndërkohë kanë pasur sjellje kopukësh, i janë ngjitur alkoolit dhe cigareve që nga mosha 15 vjeçare, pak ose aspak nuk kanë punuar, kanë krijuar një familje për të cilën nuk kujdesën e më pastaj e sulmojnë shtetin “se nuk po u jep asgjë”. Përveç kësaj, më bukur e përjetoj të shoh një autostradë të re se sa një rrugë fshati që nuk është shtruar as për 100 vjet.

GeR: Ditë më parë u shfaqën episodet e “Alkimia e Ballkanit” rreth Kosovës. A na tregoni me ç’mendime për Kosovën keni udhëtuar drejt saj?

Milliq: Për herë të parë në Kosovë kam qenë në vitin 1989, do të thotë para se të vija, vjeshtën e kaluar, kur ne ishim për të filmuar “Alkiminë e Ballkanit”. Atë kohë kisha përgatitur disa reportazhe për TV Beogradin dhe për disa qendra të tjera televizive në Jugosllavi. Jam shumë krenar që kam qenë gazetari i parë i cili hyri në minierën e Stantërgut, duke ju falënderuar miqësisë me familjen Abrashi.

Në atë kohë, prej rreth 20 të intervistuarve në lidhje me tema të ndryshme në Kosovë, ishte vetëm një femër, gazetarja Linda Abrashi (tani Shala). Dhe kam gabuar që kam menduar se prapë do të kem vetëm meshkuj të intervistuar.

Nuk ishte futur ende në modë pirja e kafeve nëpër kafene. Shqiptarët konsumonin çaj, serbët raki. Pak më kujtohet, ishte një ushqim aspak i shijshëm në odat e shtëpive shqiptare. Vetura të këqija. WC të pista. Shqiptar që flisnin gjuhën serbe mjaft dobët, e tjetër veç gjuhës shqipe nuk dinin. Të rinjtë ishin të tërhequr, në dyshime, me pak njohuri dhe interes për botën rreth tyre. Intelektualët, megjithatë, ishin interesant. Maksut Shehu, Agim Mala, Veton Surroi, dhe të tjerët kishin një qasje më të gjerë rreth ngjarjeve politike.

GeR: E pas përfundimit të emisionit, kur u larguat nga Kosova, me ç’përshtypje u ndatë?

Gazetari Milliq në Prishtinë

Milliq: I gjithë ekipi ishte këndshëm i befasuar. Prishtina shumë ka ndryshuar. Ajo është bërë një vend i madh ndërtimi. Pothuajse të gjithë ata që janë më të rinj se 30 vjeç flasin anglisht, disa edhe gjermanisht e italisht. Femrat janë bërë anëtare të barabarta të shoqërisë. Ato i kanë punët e tyre, kompanitë e tyre, jetojnë ndaras nga prindërit e tyre edhe kur ato nuk janë të martuara. Vetura ka ndoshta pesë herë më shumë se sa që kishte në Prishtinë në vitin 1989. Ka modele luksoze, që të tilla që nuk vozitën as në Suedi. Ka përplot kafene, restorante me ushqime e shërbime shumë të mira. Interneti i Valës është gjerësisht në dispozicion dhe pa pagesë. Lagje të tilla si Marigona ju nuk do të gjeni as në Evropën Perëndimore. Gjithandej ka qendra inovative.

Kam ndjesinë se të rinjtë atje seriozisht mendojnë për të ardhmen e tyre. Përveç atyre që kanë studiuar juridik, ekonomik dhe gazetari. Të tillë ndoshta ka shumë dhe punojnë  si shoferë të taksive apo kamerierë. Me shaka më pyesnin: “A e dini pse në Prishtinë është express-o më e mira në Evropë? Menjëherë përgjigjeshin: “Sepse janë të përgatitura dhe të shërbyera nga magjistrat të papunë të ekonomisë dhe sociologjisë!”.

GeR: Ju jeni takuar me njerëz të ndryshëm të përkatësive etnike, besimi e shtrese sociale. Cili është mendimi juaj, çfarë kanë dhe çfarë nuk kanë të përbashkët mes vete ata që i keni takuar?

Milliq: Sigurisht, ka dallime, historike, gjuhësore, fetare, etnike. Por, unë mendoj se të gjithë kanë një kod të ngjashëm të etikës. Më shumë jetojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre se sa për të vetën. Ndoshta familja te shqiptarët, për disa nuanca, është më e lidhur se sa tek të tjerët.

Ndoshta shqiptarët e Kosovës janë duke pritur një perspektivë më të madhe se të tjerët. Por, nuk ka dallime të mëdha. Sido që të jetë, unë gjithmonë mendoj se njerëzit janë të ndryshëm. Janë shumë të ndryshëm norvegjezët dhe maqedonasit, japonezët dhe kroatët. Danezët dhe të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Megjithatë, nuk ka popuj më të mirë e më të këqij. Gjithmonë janë të ndryshëm për ndonjë arsye.

Mendoj se në Kosovë, tek të gjithë etnitë të cilët jetojnë atje, dallimin më i madh është ndërmjet të rinjve dhe të vjetërve. Të vjetrit shpesh jetojnë në të kaluarën, korrigjojnë disa padrejtësi të së kaluarës. Të rinjtë dinë dhe mendojnë në anglisht. Dhe sistemi i tyre i të vlerësuarit është krejtësisht tjetër.

GeR: Nga se ju keni përgatitur edhe seri tjera rreth vendeve të Ballkanit, a kanë dallime, për shembull të rinjtë, artistët, studentët, sportistët etj, ndërmjet qytetarëve të tjerë të Ballkanit dhe atyre të Kosovës?

Milliq: Kosova ishte vendi më i prapambetur në ish-Jugosllavi. Me më së paku të punësuar, më së paku e zhvilluar, me varfëri, të paarsimuar, pa përvojë në qeverisjen e territorit të vet. Sot, Kosova po përjeton ndryshimet më të shpejta sesa shumica e republikave jugosllave që u bënë shtete të pavarura.

Marrim shembullin e rregullit të ndalimit të duhanit. Në Kroaci është shkelur shumë shpesh. Në Bosnje nuk është duke u aplikuar ende. Në Mal të Zi, gjithmonë ka të privilegjuar që pinë duhan në restorante, në zyre. Në Kosovë dhe në Maqedoni, rregulli i ndalimit të duhanit, pothuajse 100% respektohet.

Edhe arsimi është përmirësuar. Prindërit janë të gatshëm të paguajnë për fëmijët e tyre që të mësojnë në shkolla më të mira. Por, pagesa ngre përgjegjësinë tek fëmijët, dhe ata nuk studiojnë më me nga 8-9 vjet.

GeR: Siç e keni parë gjatë qëndrimit tuaj në Kosovë, ajo me shumë vështirësi po provon ta ndërtojë të ardhmen e vet. Cili është perceptimi juaj, ku është Kosova tani dhe kah po shkon ajo?

Milliq: Të ardhmen nuk do ta keni të lehtë. Para vetës e keni një rrugë të gjatë deri te anëtarësimi në BE. Evropa është krijuar mbi rregullore dhe ju e keni fituar shtetit me luftë kundër rregullave të cilat i keni konsideruar të padrejta.

Në vazhdimësi do të keni dilema në lidhje me investimet e huaja. Nga njëra anë do t’i dëshironi ato për shkak të krijimit të vendeve të reja të punës dhe punësimit të fëmijëve të tuaj. E në të njëjtën kohë do të provoni t’i rezistoni “shitjes së Kosovës ndaj të huajve”.

Do të jetë një marrëdhënie e komplikuar me Shqipërinë. Nga dëshira e kuptueshme për bashkëpunim në mes të dy pjesëve të të njëjtit komb, deri të rreziku që mbartë thirrja për bashkim me Shqipërinë dhe ndryshimin e kufijve. Por, unë besoj se në racionalitetin gjeneratës së brezit tuaj të ri. Sigurisht, në qoftë se patriotizmi i tyre shndërrohet në ideologji, në formën e interesit, kjo nuk do të jetë e mirë për ekonominë e Kosovës. Kudo që politika, feja, historia, është lëvizës i brezit të ri, investitorët largohen prej aty.

GeR: Ajo për të cilën flitet gjithmonë kur janë në pyetje mediet është propaganda dhe devijimet rreth realitetit e të vërtetës nga ana e tyre. Ku gjenden mediet në Ballkan kur është në pyetje paraqitja e palës tjetër?

Milliq: Mediet në këtë rajon edhe më tej janë në funksion të propagandës e politikës nacionaliste. Gjithherë viktimat tona janë më të mëdha, ne kurrë nuk jemi fajtor në disa mosmarrëveshje dypalëshe ose rajonale. E pra, nuk është e keqe të jesh patriot, ky është edhe një borxh i yni për publikun tonë, megjithatë ekziston një teprim në këtë. Është më mirë se sa që ishte në periudhën para-luftës dhe gjatë luftës, mirëpo ende faktet modelohen, ka ende tifo ekstreme “për tanët” dhe kjo nuk është e mirë.

GeR: Të ashtu quajturat vende të Ballkanit Perëndimor po vazhdojnë të jenë jashtë Bashkimit Evropian. A do të mund të bëhen ndonjëherë ato anëtare të BE-së ?

Milliq: Disa politikanë evropianë, të cilët janë bërë euro-skeptikë, thonë se vendet e Evropës Juglindore, me përjashtim, ndoshta, të Malit të Zi, edhe 30 vite nuk do të mund ta kenë anëtarësimin e plotë në BE. Të tjerët janë më optimistë, dhe, parashikojnë një periudhë shumë më të shkurtër.

Është e vështirë të parashikohet, dhe kjo nga se në lojë janë elemente të panumërta. Politikanët me cilësi të larta shtetërore e dinë shumë mirë se cili është interesi i BE-së që t’i anëtarësojë vendet e Evropës juglindore. E, ato janë interesa gjeo-strategjike, politike dhe ekonomike. Por, demokracia është një sistem i komplikuar.

Kur shpërthejnë krizat, njerëzit mbyllen, bëhen ksenofobikë, nuk i duan të tjerët në bashkësinë e tyre. E, në Evropë, qytetarët i zgjedhin politikanë e tyre dhe frikësohen nga reagimet e tyre në zgjerimin e anëtarësisë.

GeR: Dhe për fund, çka do të thotë “Alkimia e Ballkanit” për ju?

Milliq: Ky është një projekt i bukur i 82 emisioneve të cilat shpresoj të kenë ndihmuar që popujt të cilët janë pavarësuar dhe kanë krijuar shtetet e tyre, ta njohin njëri-tjetrin.  Pa gjak të prishur, pa fjalë të rënda, pa thirrje të mëdha për gjëra negative nga e kaluara e afërt. Dhe, të tregojmë që në këtë situatë, të cilën shumë e quajnë të keqe dhe dëshpëruese, ekzistojnë njerëz dhe grupe që arrijnë të punojnë e të krijojnë, për vete dhe për shoqërinë e tyre./Gazetaere.com

Kategoritë
INTERVISTALajmet Kryesore

Të ngjajshmet