Gojnovci: Foshnja me ‘hiperplasi të gjëndrës mbiveshkore’ mund të shërohet

Në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në QKUK dyshohet se ka lindur një foshnjë me dy gjini.

Lidhur me këtë rast drejtori i Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, në repartin e të cilit po mbahet foshnja në përkujdesje intensive, tha se kjo foshnje është rast i rrallë – i dyti që ndodh brenda këtij viti në Kosovë.

Doktor Gojnovci në një konferencë për media tha se foshnja është lindur para kohe dhe peshon 995 gramë. Ai tha se foshnja është duke u trajtuar dhe janë duke u bërë konsultat e nevojshme.

Gojnovci: Është duke u trajtuar sindroma ‘hiperplasia e gjëndrës- mbiveshkore’

“Është pranuar në kujdesin intensiv të Klinikës Neonatologjike, është duke u trajtuar si sindromë ‘hiperplasia e gjëndrës- mbiveshkore’. Për momentin janë marrë analizat, janë duke u bërë konsullatat e nevojshme me mjekë specialistë nga Klinika e Radiologjisë, Kirurgjisë së fëmijëve, specialistë nga gjenetika dhe specialistë nga Klinika e Pediatrisë”, tha Gojnovci.

Ai tha se kjo sindromë jep ndryshime organeve gjenitale, por mund të shërohet me terapi.

Gojnovci: Sindroma e foshnjës me dy gjini mund të shërohet  

“Ky është rasti i dytë, vetëm në këtë vit, me këtë sindromë e cila jep ndryshime organeve gjenitale. Prandaj, në media ka qarkulluar një lajm që mund të them se nuk është i vërtetuar saktë, por është sindromë hiperplazike e lindur gjëndër-mbiveshkore… Në qoftë se vërtetohet sindroma, me terapi sipas të gjitha gjasave gjithçka do të shkojë mirë”, tha ai.

Sipas tij, këso lloj rastesh kanë ndodhur edhe në vendet e rajonit./kp/

Kategoritë
Shëndetësi

Të ngjajshmet