Goditja e së djathtës ekstreme, një strategji e menduar me kujdes

Evropa po dëshmon gatishmëri për ta luftuar ekstremizmin djathtist. Goditja befasuese ndaj qeverisë austriake, në vigjilje të zgjedhjeve të brendshme në BE, po komentohet si një lëvizje në kuadër të një plani të menduar me shumë kujdes – shkruan Gazeta e Re.

Bilanci i forcave politike brenda në Austri, ka ndryshuar brenda pak orëve – shkruajnë mediat në Evropë. Kancelari austriak Sebastian Kurz (OVP), i ka dhënë fund koalicionit me Partinë e Lirisë FPO, me të cilën ai qeveriste që nga viti 2017. Në këto kushte, austriakët do të detyrohen të shkojnë në zgjedhje të parakohshme në shtator të këtij viti.

Paraprakisht, Kurz do të përpiqet ta fitojë një sfidë, duke kërkuar besimin në parlament për ta vazhduar qeverisjen, por vota e mosbesimit kundër tij, ka më shumë gjasa të ndodh, se sa e kundërta.

Në një intervistë dhënë për këtë medium Thomas Hofer, politikolog i njohur, ka thënë që po qe se Sebastian Kurz nuk do të ketë më përkrahje në parlament: “Atëherë qeveria do rrëzohej. Kështu edhe ministri Kurz nuk do të ishte më kancelar. Presidenti duhet të ngarkojë me krijimin e qeverisë një ekspert ose një zyrtar, i cili do të vazhdojë të kryejë detyrën në këtë post. Ky person do të qëndrojë në post deri në krijimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar, që do të mbahen në muajin shtator. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në Austri dhe do të ishte një skenar krize për sistemin politik. Prandaj tani në sfond është duke u bërë një tërheqje strategjike, janë duke u bërë përpjekje për të ushtruar presion mbi socialdemokratët që të mos e lejojnë heqjen e votëbesimit.”

Megjithatë, sipas një artikulli: “Socialdemokratët e SPÖ do duan të hakmerren për kalimin në opozitë të detyruar nga ÖVP, ku ata ende nuk po rimëkëmben dot edhe me kryetaren e re të partisë, Pamela Rendi-Wagner. Të Gjelbrit pas ndarjes, nga viti 2017 nuk janë më pjesë e parlamentit, dhe shpresojnë të rikthehen. E sigurt është deri më tani një gjë: Balancat e brendshme politike në Austri pas videoskandalit kanë ndryshuar tërësisht.”

Të gjitha këto zhvillime, duket që i kapërcejnë kufijtë e Austrisë, meqë nuk ka të bëjë thjesht me një skandal që ka goditur një qeveri, por një frymë politike në rritje, që ka gjetur shtrirje në tërë kontinentin e vjetër.

“Kundërshtarët e partive të ekstremit të djathtë në Evropë, nuk mund të kishin kërkuar një dhuratë më të mirë se sa kaq. Një javë përpara zgjedhjeve parlamentare evropiane dhe në të njëjtën ditë kur nacionalistët anti- estabilishment nga e gjithë BE-ja u mblodhën në Milano, udhëheqësi i Partisë austriake të Lirisë (FPO), të ekstremit të djathtë, u detyrua të japë dorëheqje një zëvendëskryeministër pas një skandali korruptiv.

Veç 24 orë pas shpërthimit të skandalit, qeveria e koalicionit ndërmjet qendrës së djathtë dhe ekstremit të djathtë, kishte marrë fund. Hajc – Kristian Strahe, u kap në një video filmike të realizuar fshehurazi duke diskutuar mbi donacionet e fshehta për partinë e tij, me një grua që ai mendonte se ishte mbesa e një oligarku të pasur rus.” – shkruan Ben Hall nga Financial Times.

Kohëve të fundit kishte përpjekje për të krijuar një front të përbashkët të së djathtës ekstreme në tërë Evropën. Shtrahe i  cili bashkëpunonte me Mateo Salvinin (zëvendëskryeministrin italian), dhe me Marin Lë Penin në Francë, për të formuar një grup euroskeptikësh brenda Parlamentit Evropian, me këtë skandal – sipas Hall, i ka dhënë një goditje të rëndë projektit – konstaton Hall./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet