Ministrja turke e familjes dhe shërbimeve sociale, Mahinur Özdemir Göktaş, ka theksuar se shkalla e natalitetit në Turqi është në rënie të vazhdueshme. Ajo e vlerësoi këtë problem si një çështje të mbijetesës kombëtare, duke theksuar se gjysma e familjeve në vend nuk kanë fëmijë.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare, Göktaş tha se numri i fëmijëve të moshës shkollore fillore do të ulet me 900 mijë gjatë pesë viteve të ardhshme. Sipas saj, sfidat me të cilat përballet vendi lidhen me dobësimin e institucionit të familjes. Ajo mbrojti vendimin e qeverisë për ta shpallur vitin 2025 si “Viti i Familjes”, duke e cilësuar këtë nismë si një fushatë që po përballet me diskreditime dhe dezinformata.
Göktaş kritikoi përpjekjet për ta vënë në kundërshti konceptin e familjes dhe të drejtat e grave, duke thënë se ata që e lartësojnë njërën dhe e minojnë tjetrën në fakt i dëmtojnë të dyja. Ajo vuri në dukje se individualizmi dhe izolimi shoqëror janë në rritje dhe se ulja e popullsisë së Turqisë nuk mund të shpjegohet vetëm me faktorë ekonomikë.
Shkalla e lindshmërisë në Turqi ka rënë në mënyrë të vazhdueshme vitet e fundit. Si rrjedhojë, qeveria ka miratuar masa për ta rritur atë, duke përfshirë mbështetje financiare për prindërit, shkruan gazeta Hürriyet.
















