Gjykata Kushtetuese shpall të pavlefshëm Ligjin për Pagat në sektorin publik

Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme ka vendosur ta shpallë të pavlefshëm Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik të ish- Qeverisë së drejrtuar nga Ramush Haradinaj.

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 30 qershor 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KO 203/19 dhe 2. KO 219/19.

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, Gjykata, vendosi: (i) njëzëri që kërkesa është e pranueshme për shqyrtim në merita; (ii) me shumicë që Ligji i kontestuar, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri nenet 4, 7, 102, 103, 108, 109, 110 të Kapitullit VII, nenin 115 të Kapitullit VIII Kushtetutës; si dhe me nenet 132, 136, 139 dhe 141 të Kapitullit XII të Kushtetutës; (iii) të konstatojë që, nuk është e nevojshme të shqyrtohen pretendimet e tjera të parashtruesit të kërkesës pas shpalljes së Ligjit të kontestuar në tërësinë e tij si kundërkushtetues në aspekt të cenimit të parimeve të “ndarjes së pushteteve” dhe “sigurisë juridike”; (iv) që të shfuqizohet masa e përkohshme.

Çështja kushtetuese që ngërthente Aktgjykimi në fjalë ishte përputhshmëria me Kushtetutën e Ligjit të kontestuar të votuar nga Kuvendi, përkatësisht vlerësimi nëse i njëjti është në pajtueshmëri me parimin e “ndarjes së pushteteve” dhe atë të “sigurisë juridike” të garantuar me nenet e lartcekura të Kushtetutës.

Gjykata arriti në përfundimin se Ligji i kontestuar përmbante një mori problemesh serioze të nivelit kushtetues e që do të mund të përmblidheshin me sa vijon:

(i) Ligji i kontestuar kundërshton vet qëllimin e tij për “harmonizim” të pagave në nivel të të gjithë sektorit publik – duke bërë përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, ndër të tjera Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës, dhe vet Kuvendin;

(ii) Ligji i kontestuar përjashton në tërësi pavarësinë e pushtetit Gjyqësor duke mos i lënë asnjë kompetencë vetërregulluese për çështje që ndërlidhen me jetësimin e pavarësisë “funksionale, organizative dhe buxhetore”;

(iii) Ligji i kontestuar, ndonëse thekson se pagat rregullohen me këtë Ligj, e ka zbritur rregullimin ligjor për shumë çështje në nivel të akteve nënligjore, duke i dhënë mundësi rregullimi nënligjor vetëm Ekzekutivit dhe Legjislativit;

(iv) nga gjithsej tetëmbëdhjetë (18) kompetenca për të nxjerrë akte nënligjore, gjashtëmbëdhjetë (16) janë për Qeverinë dhe dy (2) për Kuvendin, ndërkaq asnjë kompetencë vetërregulluese për Gjyqësorin ose Institucionet e Pavarura;

(v) pushtetit Gjyqësor dhe Institucioneve të Pavarura nuk iu është mundësuar asnjë kompetencë vetërregulluese përmes së cilës ato do të mund të gëzonin pavarësinë e tyre “institucionale, organizative, strukturore dhe buxhetore” në raport me organizimin e brendshëm dhe stafin e tyre;

(vi) është miratuar vetëm një (1) nga tetëmbëdhjetë (18) aktet nënligjore që është dashur të miratohen brenda periudhës së nëntë (9) mujore të vacatio legis, respektivisht deri më 1 dhjetor 2019;

(vii) siç konfirmohet nga të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, për rreth 42% të pozitave nuk është e mundur të deshifrohet paga ngase e njëjta përfundimisht do të përcaktohet përmes klasifikimeve përkatëse me akte nënligjore të Qeverisë;

(viii) siç konfirmohet nga të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Transfereve “kostoja buxhetore shtesë” e Ligjit të kontestuar “nuk është pjesë e projeksioneve buxhetore 2019-2021”;

(ix) siç konfirmohet nga të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, edhe po të hynte sot në fuqi Ligji i kontestuar, i njëjti nuk do të mund të zbatohej në tërësi në mungesë të akteve nënligjore.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet