Dje u organizua ceremonia e tërheqjes së shortit për numrat e partive nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ). Një ditë më parë, ndërkaq, është marrë vendimi që ata të jenë nga 111 e lartë. Nga ana tjetër, edhe institucionet e tjera relevante, thonë që janë të gatshme për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit – shkruan Gazeta e Re.
Nga ceremonia e organizuar nga KQZ, 25 subjekte politike të cilat janë në garë, mësuan numrat e tyre, përkatësisht renditjen në fletëvotimet e 6 tetorit. Partitë i kanë bërë të qarta listat, në të cilat nga 110 kandidatë për deputetë, 30 janë gra.
Pas shortit, partitë e mëdha kanë filluar që t’i reklamojnë menjëherë numrat, duke i cilësuar si numra fituesish. Në ceremoni kanë marrë pjesë anëtarët e partive të certifikuara.
Deri më tani, çdo gjë duket që po shkon siç duhet. Sipas KQZ-së:
«Bazuar në udhëzimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të datës 09.09.2019, nr. 965/2019, për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe Këshillat e Vendvotimeve për Identifikimin e Votuesve në Vendvotim për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës me 6 tetor 2019.
Për të votuar, mjafton të keni njërin prej këtyre dokumenteve të identifikimit të vlefshme siç janë:
- Letërnjoftim i vlefshëm;
- Pasaportë e vlefshme;
- Dokument i vlefshëm i udhëtimit; dhe
- Leje e vozitjes e vlefshme.
Dokument i vlefshëm i votimit konsiderohen të gjitha dokumentet e lëshuara nga Republika e Kosovës siç i parasheh neni 90 i Ligjit nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme.»
Nga ana tjetër Paneli për Ankesa dhe Parashtresa i ka paralajmëruar partitë se kodi të cilin e kanë nënshkruar (për garë fer në zgjedhje), nuk duhet assesi të shkilet.
E sipas Mul Deskut, Kryesues i Sekretariatit në PZAP, nuk do të tolerojë asnjë parti politike apo individ në rast se bën shkelje para dhe gjatë procesit të votimit. Për REL ai ka thënë se: «Ndër shkeljet më të shpeshta që kanë ndodhur kanë qenë, përdorimi i fëmijëve në fushatë, vendosja e posterëve në hapësira publike, vendosja e posterëve në objektet private, vendosja e tavolinave në vendet e ndryshme me posterë të ndryshëm. Pra, këto kanë qenë shkeljet më të shpeshta në zgjedhjet e kaluara».
Të gjitha përgatitjet duhet të përfundojnë përpara 4 tetorit, kur edhe zyrtarisht përfundon fushata zgjedhore. Me 5 tetor do të kemi heshtje zgjedhore, ndërsa më 6 ditën e zgjedhjeve./Gazetaere.com/