Gjilan: Në Klinikën ku trajtohet Coronavirus oksigjeni bartet me dorë pasi mungon sistemi (VIDEO)

Nga një spital normal Spitali i Gjilanit po tenton të shndërrohet në një ambient ku trajtohen pacientët e infektuar me coronavirus.

Me resurse të vogla gjashtë mjekë kujdesën në tre ndërrime për 60 pacientë ndërsa furnizimet dhe pajisjet e spitalit nuk janë konform nevojave për të trajtuar virusin.

“Me këtë numër të infektologëve mund të mbulohen vetëm dy reparte ashtu siç e don puna ndërsa për reparte të tjera shkojmë me konsultime por është e pamundur me menaxhu situatën në mënyrën qysh duhet me gjashtë infektolog tërë Spitalin e Gjilanit”, tregon infektologia Selvete Shurdhani.

Kushtet e punës dhe pajisja e spitalit nuk garanton edhe trajtim adekuat për pacientët. Covid 19 trajtimin kryesor e ka oksigjenin ndërsa disa prej dhomave ku janë pacientët nuk ka rrejt të oksigjenit dhe ai duhet të bartet me bombola.

“Oksigjeni mungon në disa dhoma, kemi oksigjenim qendror, nuk është i mjaftueshëm për të gjithë pacientët, disa pacientë që nuk mund të kyçen në oksigjen qendror, janë të obliguar që të mbushin bocat e oksigjenit të i sjellin me vete ose të blejnë aparate të oksigjenit”, shton ajo.
Përpos oksigjenit spitali nuk është i pajisur me monitor të cilët tregojnë gjendjen e pacientëve përfshirë këtu tensionin e gjakut saturimin me oksigjen apo momentet kur të rrahurat e zemrës janë jashtë normales.

Për 60 pacientë janë vetëm dy monitor ndërsa në mungesë të pajisjes mjekët duhet të kryejnë procedurën manualisht.

“Diçka çka e kish lehtësu punën edhe për pacientë dhe për stafin shëndetësor, janë monitorat.  I kemi vetëm dy monitora. Është e rëndësishme që në çdo dhomë me pas monitorin me e monitoru gjendjen e pacientëve”, thotë ajo.

“Neve na rrezikon mjaft sepse është kontakti shumë i afërt me pacientët e repartit, duke ua mat shtypjen pa monitor pra me pajisje të tjera”, shton ajo.

Gjatë 24 orëve të fundit në spitalin e Gjilanit betejën me Coronavirus e kanë humbur tre qytetarë të prekur nga Covid 19.

Rritja e numrit të rasteve ka ngritur edhe alarmin tek mjekët.

“Fatkeqësisht dje kanë vdek 3 pacientë në Spitalin e Gjilanit, sot për momentin në repartet e Infektivës dhe Pulmologjisë nuk kemi pacientë në gjendje të rëndë, raportohet se raste të rënda ka në repartin e Neurologjisë”, tregon doktoresha Shurdhani.

Shurdhani shton se në Spitalin Rajonal të Gjilanit thuajse janë mbushur të gjitha kapacitetet ndërsa në rast se ka rritje të numrit të pacientëve duhet të hapen edhe reparte të tjera.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet