“Gjermania duhet të rishikojë paralajmërimin për udhëtim në Turqi”

Çavuşoğlu tha se Turqia është e gatshme dhe ka marrë të gjitha masat që t’i presë mysafirët nga Gjermania dhe vendet tjera në një ambient të sigurtë dhe të shëndetshëm.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, deklaroi se Gjermania ka nevojë që të rishikojë paralajmërimin për udhëtim që zbaton ndaj Turqisë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) në kuadër të kritereve objektive, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu në kuadër të vizitës së punës në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, u takua me homologun e tij Heiko Maas, pas së cilës zhvilluan një konferencë të përbashkët për media.

Shefi i diplomacisë turke i cili u shoqërua nga ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy dhe Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Emine Alp Meşe, gjatë fjalimit të tij theksoi se në takimet e tyre kanë trajtuar edhe çështjen e turizmit.

Çavuşoğlu tha se Turqia është e gatshme dhe ka marrë të gjitha masat që t’i presë mysafirët nga Gjermania dhe vendet tjera në një ambient të sigurtë dhe të shëndetshëm.

“Është e rëndësishme që Gjermania këtë paralajmërim të udhëtimit ta rishikojë. Në kuadër të të dhënave objektive duhet ta rishikojë. Edhe miqtë tanë gjermanë duan të vijnë në pushime në Turqi”, u shpreh ai duke shtuar se turistët dalëngadalë kanë nisur të vizitojnë Turqinë.

Kryediplomati turk potencoi se kjo çështje jo vetëm për sektorin turk por edhe për sektorin gjerman të turizmit ka rëndësi.

– “Turistët do t’i presim në qetësi dhe shëndet në vendin tonë”

Çavuşoğlu potencoi se edhe Bashkimi Evropian (BE) duhet të caktojë listën në kuadër të kritereve objektive.

“Janë disa vende të cilat nuk kanë asnjë të dhënë, nuk kanë transparencë. Turqia nuk është. Këtu shohim që vendimi është marrë me motive politike”, tha Çavuşoğlu duke treguar se vitin e kaluar kanë pritur mbi 5 milionë turistë gjermanë, të cilët janë kthyer të kënaqur në vendet e tyre.

“Turistët nga Gjermania dhe vendet tjera do t’i presim në qetësi dhe shëndet në vendin tonë”, shtoi ai.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet