Gjermania dhe dialogu Kosovë – Serbi

A u riinkarnua shpirti i Sllobodan Millosheviqit në trupin e Aleksandër Vuçiqit? Secili që e ka dëgjuar fjalimin e tij me tone patetike e nacionaliste të mbajtur në veriun e Mitrovicës, e ka vënë në dyshim këtë. Madje ekspertja nga DW për Ballkanin, së fundi e vuri në dyshim tërë procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili dukej sikur po kulmonte me një marrëveshje përfundimtare, për t’u dhënë kahje të re raporteve ndërfqinjësore. Por fjalimi i presidentit serb, paralajmëroi që akti final që do të kulmonte me një marrëveshje, është larg me kilometra. Prandaj, si kurrë më parë, për t’i vënë gjërat në binar, duhet një dorë e fortë… në këtë kontekst të ndjeshëm, cili është pozicioni i Gjermanisë? – shkruan Gazeta e Re.

Shtypi gjerman duke reflektuar mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë këtu edhe  vizitën e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, e cilësoi këtë të fundit si një “fitil-ndezës”, i cili me fjalimin e tij e riktheu në diskursin politik, retorikën e vjetër nacionaliste serbe.   Sipas DW, versioni shqip, pothuajse të gjitha gazetat kryesore gjermane, fjalimin e Vuçiqit e kanë parë si një hezitim të palës serbe, për t’i shkuar deri në fund procesit.

“Për fat të keq të ngjallet dyshimi, se dëshira për një zgjidhje me ujdi përmes bisedimeve direkte, nuk ishte aq e pjekur. Sepse problemi i përfolur i madh i së premtes në bisedimet e Brukselit, se Kosova nuk do ta lejonte vizitën e Vuçiqit në Gazivodë u mënjanua përmes presionit ndërkombëtarë. Edhe frika e kosovarëve se Serbia me Veriun e Kosovës kërkon të krijojë një tip Republika Srpska do të mund të ishte sqaruar përmes negociatave të mirë-moderuara nga ndërkombëtarët” – citohet të ketë thënë Adelheid Feilcke, Drejtoreshë e Departamentit për Evropën në Deutsche Welle. Për më tepër zonja Feilcke vë në dyshim aftësitë e dy krerëve të të dy shteteve, për ta përfaqësuar idenë e një pajtimi ndërmjet etnik dhe ndërmjet shtetëror. Presidenti i Serbisë është vet nacionalist dhe e ka të vështirë të shkëputet nga miti serb për Kosovën, ndërsa Presidenti i Kosovës është në konflikt të vazhdueshëm me parlamentin, përkatësisht opozitën, për ta rifituar në rend të parë besimin e përfaqësimit të Kosovës në këtë proces të ndërlikuar të dialogut.

Por Gjermania zyrtare, fillimisht qe e qartë në pozicionin e saj karshi konfliktit të vjetër ballkanas. Kancelarja Gjermane Angela Merkel, me një ton të prerë i paralajmëroi zyrtarët nga Prishtina e Beogradi që Gjermania nuk pajtohet me idenë e ndarjes, shkëmbimit apo ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Duke e komentuar pozicionin e shtetit gjerman karshi çështjes së bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohësi i zhvillimeve politike Shkodran Ramadani, për Gazeta e Re tha që:

“Gjermania është shteti që më së shumti u kushton vëmendje politikave të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Sidomos, që nga dalja e Britanisë së Madhe së madhe, Gjermania ka demonstruar një përkushtim aktiv drejt perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor. Manifestim konkret i kësaj është lansimi i “Procesit të Berlinit” më 2014. E megjithatë, përkrahja për zgjerim mbështetet me një kushtëzim strikt të anëtarësimit. Ky kushtëzim vendoset mbi problemet e brendshme dhe të jashtme të shteteve të interesuara për anëtarësim”.

Sipas Ramadanit Gjermania përherë ka qenë përkrahëse e ideve të “normalizimit të marrëdhënieve” dhe “fqinjësisë së mirë”, në ujërat e të cilave ka kohë që përpiqet të notojë edhe politika, përkatësisht diplomacia kosovare:

“Kosova ndërkohë është e kyçur në një proces të zgjidhjes së kontesteve bilaterale. Për problemet e jashtme BE-ja ka operuar përmes paradigmës së “normalizimit të marrëdhënieve”. Kjo paradigmë është mbështetur nga një tjetër qasje, e njohur si “fqinjësia e mirë”. Këto formula janë aplikuar në Ballkanin Perëndimor dhe përkundër faktit që BE-ja ka respektuar veçantitë e secilit shtet veç e veç, në sfond ka dominuar një paradigmë që menaxhon tensionet e gjithë Ballkanit Perëndimor. Konkretisht, kur BE-ja ofron një zgjidhje për Kosovën ose Maqedoninë, ajo mendon edhe për pasojat që ajo zgjidhje ka tek fqinjët. Gjermania ka qenë përkrahësja më e madhe e kësaj qasjeje dhe nuk pritet të ndërrojë kurs as në çështjen e ndryshimit potencial të kufijve.”

Por pse Gjermania ruan një qëndrim të tillë? Ç’pasoja sheh te këto lëvizje të mundshme?

“Sipas Gjermanisë ndryshimi i kufijve është goditje e rëndë për modelin shumë-etnik dhe ka frikë se lufta kundër këtij modeli mund të përçohet në intensitet më të lartë edhe në vendet tjera fqinje. Një marrëveshje e tillë ndoshta “normalizon” Kosovën, por jo edhe klimën rajonale, që është synimi madhor i Gjermanisë. Një gjë e tillë ndoshta mundëson “fqinjësi të mirë” mes Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe për fqinjët tjerë. Gjermania mendon se një hap i tillë ndryshkë vlerat fundamentale të BE-së dhe mbetet e vendosur që ta kundërshtojë atë. Motoja “Së bashku në diversitet” do të lëkundej seriozisht me këtë rast. Gjermania nuk është entuziaste që BE-së multi-etnike t’ia bashkojë një rajon ku urrehet multi-etniciteti. E kushtëzimi strikt i Gjermanisë nuk ka synim veç të stabilizojë dhe reformojë Ballkanin Perëndimor, por edhe të kënaq skepticizmin e publikut përballë zgjerimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor.”

Ai gjithashtu mendon që në përgjithësi, në gjithë Evropën ka dyshime rreth gatishmërisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, për ta arritur një marrëveshje që do të sillte një qetësi afatgjate, përveç integrimit rajonal, si parakusht për hapin e madh drejt integrimit në BE:

“Në përgjithësi në Evropë ka dyshime të mëdha për gatishmërinë e Ballkanit Perëndimor për integrim. Ballkani ende shihet si një konteiner i madh i krimit të organizuar dhe korrupsionit, edhe nëse përcepcioni tejkalon parametrat realë në terren. Gjermania edhe për këtë arsye kultivon një qasje rigoroze dhe një gjë e tillë pritet të persistojë edhe më tej. Kjo për shkak të kompetencave të mëdha të Parlamentit Federal, të fituara përmes Amendamenteve në Aktin mbi Bashkëpunimin me BE-në. Këto kompetenca, mes tjerash, përfshijnë Bundestagun në hapjen e negociatave për anëtarësim. Një rrjet i dendur institucional dhe llogaridhënës ndaj publikut është garanci se paradigmat e adoptuara institucionalisht në platformat për Ballkanin Perëndimor do të vazhdojnë të kenë fjalën kryesore në Gjermani. Kur merren parasysh të gjitha këto që përmendëm, gati të gjitha shenjat tregojnë se Gjermania nuk do ta përkrahë shkëmbimin e territoreve.”

Këtë frymë të skepticizmit perëndimor karshi zhvillimeve politike në Ballkanin problematik, e përshkruan edhe e përditshmja tjetër gjermane “Märkische Oderzeitung”, e cila ndër të tjera shkruan se rajoni është kthyer në një teatër, dhe se Ballkani Perëndimor “i mbetet besnik vetes – një rajon i tensionuar, që të jep pak shpresa për progres.” Ndonëse vendet si stacion të fundit e shohin BE-në, ato ruajnë elemente të papajtueshme ndërmjet vete, gjë e cila jep pak shpres për një pajtim ndërmjet palëve./ImerTopanica/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet