Gjermania, destinacioni të cilin e ëndërrojnë kosovarët

Indikacionet janë të qarta, shumica e të rinjve do t’ia mësyjnë Gjermanisë, sapo të bëhet liberalizimi i vizave. Të shumtët e kanë këtë si cak. Interesimi për ta përvetësuar gjermanishten, është një tregues në vetvete, ndërsa prej kohësh qarkullojnë oferta për të interesuari për këtë gjë, të cilat e kanë vërshuar internetin – shkruan Gazeta e Re.

Një marrëveshje ndërmjet MPMS-së (Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale) dhe GIZ-it gjerman (Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtarë), do t’ua ofrojë mundësinë 100 të rinjve kosovarë nga mosha 18 deri në 25 vjeç, për të filluar arsimimin dhe aftësimin profesional në Gjermani. Kjo u bë e ditur nga vet ministri Skender Reçica, i cili ndër të tjera është shprehur se institucioni që ai drejton, mbetet i përkushtuar në zgjerimin e mundësive për punësim e socializim të të rinjve kosovarë.

“Arsimi dhe aftësimi sipas standardeve ndërkombëtare i shërben zbutjes së papunësisë në vend, sidomos në mesin e të rinjve”, ka shtuar ai.

Gjermania, nuk është destinacioni përfundimtar vetëm i kosovarëve, por edhe i shumë emigrantëve të tjerë nëpër botë. Ajo çka e bënë atraktive këtë vend, është niveli i ulët i papunësisë. Sipas disa të dhënave, vetëm 10% e të rinjve atje, nuk janë të punësuar, duke e renditur kështu këtë vend në krye të listës së shteteve me nivelin më të ulët në botë të papunësisë për të rinjtë.

Përllogaritjet thonë që nëse vendet e tjera do t’i plotësonin standardet sikurse Gjermania, në botë, do të kishte 1.1 trilionë më shumë të ardhura. Që të rinjtë ta gjejnë veten në tregun gjerman, shteti ka planifikuar programe të aftësimit profesional, ndërsa ky është një motiv më shumë për të gjithë të rinjtë ambiciozë. Të ardhurat e një të punësuari atje, janë nga 40 deri në 50% më të larta se sa ato që mund t’i fitojë një i ri në vendin tonë.

Por kohëve të fundit, ofertat për aftësime profesionale dhe programe të këtij lloji, janë promovuar nga vet institucionet zyrtare në vend. Ndërsa ato për përvetësimin e gjuhës, veç e kanë vërshuar internetin. Goethe Institut, ka oferta për kurset e nivelit më të ulët, deri te ai më i lartë. Çmimet sillen nga 75/55 euro deri në 145/95.

Nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e të interesuarve, por fluksi i atyre që u nënshtrohen testeve nëpër institutet e gjuhës, të certifikuara nga ambasada gjermane, është i lartë. Indikacionet janë të qarta, shumica e të rinjve për destinacion të fundit do ta kenë Gjermaninë. Ata vetëm janë në pritje të heqjes së regjimit të vizave./Gazetaere.com/

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet