Gazetari sirian që u përball me dhunën policore në Paris: Më kujtuan përjetimet në Siri

“Policia më goditi me shkop gome në fytyrë. U rrëzova. U frikësova se mund të bllokohesha këtu. Të gjithë po vraponin”, tha gazetari sirian, Al Halbi.

Gazetari Ameer Al Halbi, i ardhur në Francë i cili ishte larguar nga regjimi i Bashar Al-Asadit në Siri e ka cilësuar si rikujtim të përjetimeve në Siri ngjarjen ku ai u përball me dhunën policore gjatë protestës që u mbajt javën e kaluar në Paris kundër projektligjit të sigurisë.

Dhuna që policia franceze ushtron mbi protestuesit dhe gazetarët kohët e fundit kryesisht që nga protestat e “jelekëve të verdhë” e deri tani ka shkaktuar reagime të mëdha. Në protestat e “jelekëve të verdhë” janë plagosur rreth një mijë persona prej të cilëve 127 janë gazetarë.

Po ashtu shumë gazetarë janë plagosur nga policia në protestat e mbajtura kundër projektligjit të sigurisë i cili është objektiv i kritikave për arsye se mund të shkelë lirinë e shtypit dhe të jetës private dhe se mund të rrisë dhunën policore.

Gazetari Ameer Al Halbi, i ardhur në kryeqytetin Paris të Francës i cili është larguar 3.5 vite më parë nga regjimi i Asadit është një prej viktimave të dhunës policore gjatë protestave të mbajtura në Paris javën e kaluar kundër projektligjit.

Në vitin 2017 Al Halbi, me fotografinë e cila reflekton shkatërrimin në qytetin e Halepit u rendit i dyti në kategorinë “fotografi lajm” të Çmimeve të Fondacionit World Press Photograph. Ai po ashtu u nderua me çmimin Bayeux Calvados për gazetarët e luftës me një tjetër fotografi që e ka shkrepur sërish në Halep në vitin 2017.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Al Halbi tha se javën e kaluar kur ishte duke ndjekur protestën në Paris policia po ndiqte protestuesit teksa marshonin nga sheshi “Republika” në sheshin “Bastille”.

Ai vuri në dukje se këtu filluan ngjarjet e dhunës dhe kuptoi se protestat filluan të bëheshin të rrezikshme. “Në atë moment mendova pak. Unë jam këtu për të shkrepur fotografi dhe vendosa se duhet të vazhdoj. Gjatë kësaj nuk e prisja dhe policia më goditi me shkop gome në fytyrë. U rrëzova. U frikësova se mund të bllokohesha këtu. Të gjithë po vraponin”, tha Al Halbi.

Gazetari sirian tha se nuk e kuptoi pse policia e goditi me shkop gome. “Në atë moment nuk i kuptova mirë ato që ndodhën. Mendova të vazhdoj të fotografoj. Pasi përparova pak pata vështirësi në shikim. Dhe më pas vërejta se aparati fotografik ishte mbuluar me gjak. Pikërisht këtu kuptova se ato që po ndodhnin nuk ishin normale. U shokova”, tha Al Halbi duke shtuar se më pas erdhi ambulanca dhe u dërgua në spital.

Ndër të tjera Al Halbi tha: “Për mua ishte shumë e vështirë. Ato që më ndodhën me rikujtuan përjetimet në Siri. Siria është vendi më i keq që kam parë”.

Duke bërë të ditur se pas ngjarjes ka pasur vështirësi për të fjetur dhe se kishte nevojë të qetësohej, Al Halbi vuri në dukje se i është thyer hunda si pasojë e goditjes së policisë me shkop gome.

Gjithashtu Al Halbi theksin se kjo është shumë e vështirë për atë. Ai shpjegoi se në Paris ka ardhur para 3.5 vitesh pasi ishte larguar nga regjimi i Asadit dhe pas mbërritjes në Francë ka marrë trajnime në fushën e fotografisë.

Al Halbi informoi se në prill 2021 do të publikohet edhe dokumentari që ka bërë aktualisht për “Polka Magazine”.

Gazetari sirian tha se agjencia franceze e lajmeve AFP, “Polka Magazine” dhe Organizata “Gazetarët pa Kufij” janë duke e ndjekur procesin lidhur me ngjarjen.

Prokuroria e Parisit më 30 nëntor hapi një hetim për të “hetuar arsyen e plagosjes” së Al Halbi. Është njoftuar se hetimi do të zhvillohet nga Njësia e hetimit kombëtar të policisë.

Kategoritë
BotaLajme