Gazeta prestigjioze gjermane paralajmëron rreth “strukturës së errët” të FETO-s

Avokati gjerman Christian Rumpf e ka cilësuar organizatën terroriste FETO si një aleancë e fshehte.

Një lajm në gazetën prestigjioze gjermane Süddeutsche Zeitung paralajmëroi për “strukturën e errët” të organizatës terroriste FETO, e cila ka filluar të rrënjoset dhe të bëhet e rrezikshme në Gjermani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Avokati gjerman Christian Rumpf, një ekspert i ligjit turk, mendimi i të cilit për FETO-n është shpalosur në lajmin e gazetës, tha se FETO ishte më e rrezikshme se grupi Illuminati.

Duke deklaruar se FETO është një aleancë e fshehtë, Rumpf tha: “Përkrahësit e Gülen-it kanë arritur një strukturë bashkësie me harmoni të fortë dhe lidhje besnike në të gjitha fushat e shoqërisë. Është një aleancë pothuajse sekrete me fuqi më të madhe se Illuminati legjendar”, ka thënë Rumpf.

975 mijë euro mbështetje nga administrata shtetërore

Në lajm, në të cilin FETO përshkruhet si “lëvizja Gülen”, thuhet se shteti i Bavarisë mbështet shoqatën arsimore të organizatës të quajtur Frohsinn (Lumturi) me 975 mijë euro në vit.

Gazeta thekson faktin që organizata ka lëshuar rrënjë në shtetin gjerman të Bavarisë.

“Një tipar i lëvizjes është se nuk është transparente. Ky rrjet ka funksionuar gjithashtu në Augsburg për 30 vjet, shpesh pa u vënë re. Shoqata Frohsinn themeloi një shkollë të mesme private me konvikt dhe shkollë të mesme për vajza me shoqata simotra nga Mynihu, Ingolstadt, Neu-Ulm dhe Ravensburg në vitin 2009. Sipas të dhënave të Ministrisë bavareze të Kulturës, 164 vajza janë duke ndjekur arsimin dhe shteti i Bavarisë kontribuon me 975.000 euro në vit për të. Rreth 90 për qind e nxënësve janë me origjinë turke. Shkolla pranon studentë nga Lihtenshtajni, Austria dhe Zvicra”, thuhet më tej.

Ndërkohë, Matthias Garte, ish-zyrtar i integrimit në qytetin e Augsburgut, i cili u citua nga gazeta, ka deklaruar se ekziston një “mister” mbi shoqatën me emrin Frohsinn.

“Ne dyshonim se kishte një rrjet pas saj”, ka thënë Garte.

Në lajmin e gazetës së famshme rikujtohet se FETO ka pasur qindra mijëra ndjekës në burokraci, gjyqësor, ushtri dhe polici në Turqi.

Kategoritë
BotaLajme