Gaza, palestinezët në grevë të përgjithshme për të përkujtuar Nakba-n

Palestinezët në Rripin e Gazës kanë organizuar një grevë të përgjithshme për të shënuar Ditën e Nakba-s, e cila përkujton dëbimin e vitit 1948 të qindra mijëra palestinezëve nga shtëpitë e tyre në Palestinën historike.

Institucionet qeveritare dhe dyqanet komerciale mbyllën dyert e tyre në pajtim me thirrjen e Autoritetit Kombëtar për Ndërprerjen e Rrethimit, i përbërë nga disa fraksione të rezistencës në Gaza, për një greve të përgjithshme, raporton AA.

Autoriteti po ashtu u bëri thirrje palestinezëve të shënojnë rastin duke marrë pjesë në protesta të planifikuara në Gaza, si pjesë e protestave anti-pushtuese të cilat filluan vitin e kaluar.

Po ashtu paralajmëroi “armikun izraelit” kundër “kryerjes së marrëzive kundër protestuesve paqësorë”.

Nakba që në gjuhën arabe do të thotë “Katastrofa”, është një term i përdorur nga palestinezët për t’iu referuar dëbimeve të vitit 1948, të cilat u kryen me pushtimin e forcave sioniste.

Konflikti palestinezo-izraelit daton që nga viti 1917 kur qeveria britanike në Deklaratën e Balfour-it bëri thirrje për “krijimin në Palestinë të një shtëpie kombëtare për popullin hebre”.

Që nga marsi i vitit të kaluar, palestinezët mbajnë tubime javore përgjatë ‘tampon zonës’ ndërmjet Gazës dhe Izraelit për të kërkuar të drejtën e refugjatëve palestinezë që të kthehen në shtëpitë e tyre në Palestinën historike nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugë shtetit të ri të Izraelit.

Ata po ashtu kërkojnë fundin e bllokadës 12-vjeçare izraelite të Rripit të Gazës, që ka shkatërruar ekonominë e enklavës bregdetare dhe ka privuar rreth 2 milionë banorë të saj nga shumë mallra bazë.

Që kur filluan protestat një vit më parë, pothuajse 270 protestues palestinezë janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga trupat izraelite të vendosura pranë ‘tampon zonës’.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet