Garant për sigurinë e qytetarëve në Kosovë është Serbia apo Kosova? Gjuriqi e di përgjigjën por jo edhe Qeveria

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq, ka vizituar dje Leposaviqin. Ai gjatë këtij takimi me përfaqësuesit lokalë të Listës Srpska, u ka dhënë mbështetje atyre, duke thënë se “askush nuk duhet frikësuar nga huliganët dhe se shteti i Serbisë është garant për sigurinë e qytetarëve në Kosovë”. Vizitat e këtij të fundit janë bërë të shpeshta në vend të përcjella me fjalime provokuese që një shtet funksional nuk do t’i lejonte asnjëherë – shkruan Gazeta e Re.

Mirëpo, çfarë duhet të bëjë Qeveria e Kosovës që ta ndalojë në tërësi ardhjen e tij në Kosovë? Ekspertët dyshojnë se autoritetet mund t’ia ndalojnë hyrjet Gjuriqit në Kosovë e aq më pak t’ia ndalojnë që ai të flasë në Republikën e Kosovës duke e quajtur atë “Kosova e Metohija”.

Njohësi i çështjeve politike në vend Bajrush Morina, theksoi se të gjitha qeveritë e deritashme të Kosovës e posaçërisht kjo qeveri, nuk ka “kaçik” që ta ndalojë hyrjen e Gjuriqit në Kosovë.

“Kjo për faktin se Gjuriq nuk është i vetmi qeveritar serb në Kosovë. Ai këtu ka edhe gjuriqët e tjerë të cilët marrin rroga nga buxheti i Kosovës por punojnë për rrënimin e Pavarësisë së Kosovës dhe lobojnë për forcimin e identitetit dhe etnitetit serb në Kosovë. Gjuriq vjen në Leposaviq dhe mos e thashtë Zoti se vjen edhe midis Prishtine dhe thotë se “Kosova e Metohija janë pjesë e Serbisë!” Mos të harrojmë se fati i kësaj qeverie është në duart e Listës serbe ndërkaq Lista serbe është “strukturë paralele” politike e Serbisë në shtetin e Kosovës”, pohon Morina.

Ndryshe, dhe më i rezervuar shprehet njohësi i rrethanave politike në vend Fadil Lepaja, i cili tha se, Qeveria e Kosovës, është në një proces bisedimesh me Serbinë, dhe z.Gjuriq, është një nga zyrtarët e saj. Nëse e ndalon hyrjen e tij duhet ta bëjë atë në kufi.

“Por, unë mendoj se nuk duhet të ngutet me veprime të tilla, por duhet të kërkojë nga Qeveria serbe dhe Presidenti Vuqiç, që të mos lejojnë veprime që dëmtojnë bisedimet. Edhe në Serbi ka personalitete dhe struktura që nuk duan normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, Kosova nuk duhet të provokohet nga fjalët, dhe duhet të bëjë përpjekje të sinqerta në rrugën e saj euro-atlantike”, shprehet Lepaja.

Ndalesa në tërësi duhet të lëshohet nga organet kompetent për ndalesën e Gjuriqit. Mirëpo, hyrja normale e me leje përkatëse nga institucionet e Republikës së Kosovës ai mund të hyjë dhe të regjistrohet, ku pastaj institucionet e sigurisë së Kosovës dhe organet kompetente e vlerësojnë se bënë apo nuk bënë të hyjë, ka thënë për Gazeta e Re eksperti i sigurisë Avni Islami.

Ai vijon duke thënë se, “nëse vërtet Qeveria e Kosovës dëshiron që t’ia ndalojë hyrjen në tërësi, atëherë është çështje ekskluzivisht e organeve të sigurisë, dhe atyre që dhanë urdhër për ndalesën që Marko Gjuriq, të mos hyjë në Kosovë. Por, a do ta bëjë këtë Qeveria e Kosovës apo jo, është çështje e saj. Sa i përket hyrjeve të zyrtarëve të lartë në Serbi në territorin e Kosovës mendoj se deri më sot kanë hyr edhe ilegalisht e që ata të cilët hyn ilegalisht e në rastin konkret nëse pretendojnë nëse Marko Gjuriq ka hyrë në mënyrë ilegale ai duhet të eksoficio të arrestohet nga organet e sigurisë së Kosovës”./Fahrije Bajrami/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet