Futbolli

Albinot Maloku

Përpjekja titanike e dhjetëra brezave për ta mbajtur gjallë frymën e futbollit në Kosovë, erdhi në shprehje, vetëm pas pranimit të Kosovës në dy asociacionet më të mëdha ndërkombëtare UEFA dhe FIFA. Vitet e çmendura, kur çdo gjë u ishte mohuar shqiptarëve në mënyrë sistematike, nga duart e hekurta të hegjemonisë jugosllave, përkatësisht serbe, ishin lënë prapa. Për herë të parë të rinjtë, dashamirës të futbollit dhe vet futbollistët, po u besonin ëndrrave të tyre. Për herë të parë po u hapej horizonti i shpresës i mohuar padrejtësisht për dekada me radhë. Kjo padyshim ishte, një fitore e madhe.

Por mundësia e krijuar, që futbolli i Kosovës të kishte një përfaqësuese me të cilën do të bënte gara në nivelet më të larta të këtij sporti, duket që nuk është shfrytëzuar mjaftueshëm. Hapat në rrugën për në botërorin  “Rusia 2018-të”, nuk janë hedhur si duhet. Rezultati i rrugëtimit të përfaqësueses së Kosovës për në këto kualifikime, me gjashtë ndeshje të zhvilluara deri më tani, e me vetëm një pikë të fituar, assesi nuk është në pajtim me shpresën e krijuar pas anëtarësimit në asociacionet e mirënjohura.

Menjëherë pasi përfundoi lufta e madhe diplomatike në instancat ndërkombëtare të sportit, të cilën e fitoi Kosova, dolën në pah sfida të reja. Gjendja reale e përfaqësueses dhe klubeve në vend, doli të jetë e mjerueshme. Pikërisht atëherë u kuptua që 18 vitet e pasluftës, nuk ishin shfrytëzuar për asgjë tjetër, përpos që të zhvateshin fondet e caktuara për futbollin, u kuptua sa vonë kemi mbetur. Mungesa e një infrastrukture të mirëfilltë, e dëshmoi më së miri këtë. Por edhe vitet e çuara dëm, kanë mbetur prapa. Tash është koha të mendojmë seriozisht se ku ndodhemi.

Ja po e zëmë, humbjet e njëpasnjëshme të ndeshjeve, politikat e dobëta të menaxhimit të klubeve, duhet rimendohen me kujdes. Bindja se Kosova ka të talentuar në këtë sport, që u kanë lakmi shumë përfaqësuese ndërkombëtare, sikur ka mbetur në nivel të një hipoteze. Fajin për këtë, gjithsesi, nuk e kanë lojtarët, por pa dyshim mungesa e politikave të mira për sportin. Konsekuencat e dobësisë së hallkave të shtetit që merren me këtë sport, (që nga ministria, federata, e deri te ekipi që drejtohet nga selektori), po dalin me qenë fatale.

Kur e shoh këtë gjendje, nga mungesa e njohurive, pyes, a ka profesionistë të sportit e të futbollit në vendin tonë? Njohësit e sportit thonë se ka. Por unë pyes sërish, po në histerinë e gëzimit që na shpërtheu pas FIFA-s dhe UEFA-s, ç’do të ndodhë? Sportdashësit thonë, me siguri profesionisti ndërkombëtar do të kishte mundur të na nxirrte nga situata, duke e shfrytëzuar potencialin ekzistues në një mënyrë më të mençur dhe së këndejmi, ta justifikonte at histeri. Gjithsesi, nuk kënaqem me këtë mendim se profesionistët ndërkombëtarë do të mund ta bëjnë ndryshimin, duke qenë i bindur e me vullnet se nxjerrja e profesionistëve vendor në pah do të ishte më e mirë.

Politikat e menaxhimit të mirë të sportit, të cilat, do të ndikonin që ne të jepnim maksimumin dhe që përfaqësuesja e Kosovës por edhe klubet e vendit të kenë suksese, do të duhej të ishin prioritet kryesor i qeverisë së ardhshme. Lojtarët me nga tre muaj pa paga, stërvitjet jo të rregullta, transporti i pa siguruar, infrastruktura tjetër e nevojshme, të gjitha, të gjitha, çfarëdo çka na mungon, duhet plotësuar sa më parë.

Potenciali bazë që ekziston, a brumi, siç do të mund ta quanim, duhet të gatuhet me kujdes. Kosova është vend i vogël, pa ekonomi stabile dhe me një arenë politike që nuk do të mund ta marr veten për një kohë të gjatë, por që sporti dhe sidomos futbolli, mund t’u paraprijë shumë punëve të mira në vend. Pra, t’i përvjelim mëngët, t’i ndërtojmë stadiumet (qeverisë sonë i janë ofruar të paktën dy oferta serioze, nga Turqia dhe Hungaria, për ndërtimin e stadiumeve me standarde botërore dhe kjo nuk mund ta justifikojë asnjë zyrtarë kur thotë se: Nuk kemi pasur para!), të hapim shkolla futbolli, t’ua çelim perspektivën të rinjve dhe t’i bëjmë ata që t’i prekin ëndrrat me duar.

Kategoritë
ANALIZA JAVORELajmet Kryesore

Të ngjajshmet