Futbolli, kjo industri që po sjell të ardhura të majme

Një ndër sportet më të popullarizuara në glob, qysh nga fundi i shekullit të kaluar, ka filluar të komercializohet skajshëm. Prandaj kanë të drejtë ata që futbollin e cilësojnë si një ndër industritë më profitabile aktualisht. Këtë gjë kanë filluar ta kuptojnë edhe klubet kosovare, të cilat nuk kanë kursyer mjete për ta përmirësuar infrastrukturën dhe jo vetëm, për të qenë në hap me klubet evropiane – shkruan Gazeta e Re.

Vetëm për këtë sezon, të hyrat në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, sipas UEFA-s, do të jenë 3.2 miliardë euro. Nga shpërndarja e këtyre të hyrave do të përfitojnë edhe klubet kosovare. Në fakt FC Prishtina, befasisht u eliminua nga St Joseph’s nga Gjibraltari, një skuadër jo aq e njohur, përkundër entuziazmit të madh që klubin dhe tifozët i kishte përfshirë para ndeshjes. Kështu skuadra me më së shumti traditë dhe trofe në futbollin vendor, dështoi të krijonte shanse që të përfitonte më shumë të hyra, nga programi i UEFA-s, për këto gara.

Nga 3.2 miliardë që janë paraparë për garat në fjalë, 510 milionë do t’u ndahen klubeve pjesëmarrëse në Ligën e Evropës, ndërsa 2.5 për ato të Ligës së Kampionëve. Sistemi i ndarjes parasheh rritjen e vlerës, për sa herë klubet arrijnë ta kapërcejnë ndonjë fazë, deri në finalen e madhe. Kështu, një skuadër në Ligën e Kampionëve mund t’i përfitojë 90 milionë euro vetëm nga ky program. Të drejtat televizive, që përbëjnë një tjetër burim të ardhurash për klube, nuk futen këtu.

Aktualisht KF Feronikeli, i cili është ende në garë dhe ka gjasa që të kalojë tutje në fazat pasuese në Ligën e Kampionëve, sipas një përllogaritjeje, ka arritur një shumë përfitimesh rreth 510 mijë euro, ndërsa kjo mund të dyfishohet për çdo fazë. Pra, praktikisht, nëse e kalon fazën e parë kualifikuese, do t’i vjel edhe 280 mijë të tjera.

Javë më parë kjo skuadër arriti që në minutat e fundit ta nxjerr një rezultat pozitiv në përballje me TNS-në (The New Saints), me rezultat: 2 me 2, edhe pse ishte mysafire në Uells.

Trajneri i skuadrës Zekirija Ramadani pas ndeshjes e ka komentuar rezultatin, duke i lavdëruar lojtarët pas një rikthimi sensacional, meqë ishin duke pësuar me rezultat 2 me 0.

«Ishte ndeshje e jashtëzakonshme, patjetër që jam i kënaqur me rezultatin, por dua që të luajmë më guximshëm që nga minuta e parë e ndeshjes. Treguam se ekipi e di se çka dëshiron edhe para ndeshjes isha i kënaqur me një barazim me gola, por mënyra se si erdhi barazimi e bëri më të veçantë».

Komentet e tij të publikuara në faqen zyrtare të klubit, tregojnë që ai është entuziast, i vendosur por edhe i vetëdijshëm që klubit i mungon eksperienca e duhur në këtë garë:

«Secilën ndeshje po tentojmë çdo herë e më shumë ta jetësojmë filozofinë e lojës sonë, është normale që na mungon eksperienca, por ajo fitohet në duele të tilla. Nga pikat e mira të ndeshjes, dua të veçoj lojën në ajër, ku fituam shumicën prej dueleve, sidomos gjatë fundit të takimit.»

Për ndeshjen e kthimit ai e ka treguar pak a shumë strategjinë që do të donte ta ndiqte, duke thënë se, megjithëqë rezultati është i favorshëm, lojtarët duhet të tregohen të «kujdesshëm, pasi luajmë ndaj një skuadre që ndëshkon çdo gabim. Në ndeshjen e dytë do të doja të shënojmë në fillim, e pastaj të luajmë një lojë të kujdesshme».

Duke e nuhatur suksesin e KF Feronikelit, skuadrat e tjera të Superligës që kanë treguar potencial në vitet e fundit, kanë vendosur të shpenzojnë më shumë, në mënyrë që të jenë më konkurrente në luftën për kreun e tabelës, i cili i çon drejt fazave të para të kualifikimeve në ligat më të forta evropiane. Kështu KF Llapi, një skuadër që ishte në garë bashkë me FC Prishtinën dhe KF Feronikelin, ka shpenzuar mjaft para për t’i sjellë disa lojtarë të rinj, ndërsa pronarët kanë garantuar që nuk do të kursejnë sa herë që bëhet fjalë për ngritjen e cilësisë në klub. Kjo është një tjetër shenjë paralajmëruese që tregon se gara e sivjetme do të jetë edhe më interesante në Superligë. Lufta është bërë më joshëse, pikërisht pasi që fazat kualifikuese në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Evropës, po shpërblehen me para të majme. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreSportVendi

Të ngjajshmet