Fushata e parakohshme zgjedhore po kalon, së shpejti në ditët zyrtare të saj

Bisedimet me Serbinë, liberalizimi i vizave dhe integrimet në BE janë togfjalësha që nuk janë përfshirë në diskursin e përditshëm të politikanëve kosovarë. Madje as kandidatët për kryeministra nuk u kanë kushtuar vëmendje këtyre çështjeve. Mbase kjo është ajo që e karakterizon më shumë fushatën e parakohshme zgjedhore – shkruan Gazeta e Re.

Në debatet televizive, por edhe në takimet me qytetarë, vëmendje u është kushtuar premtimeve rreth zhvillimit ekonomik si dhe luftës ndaj korrupsionit. Në fakt diskursi ka qenë mjaft i kontaminuar edhe me akuza të ndërsjella, veçanërisht ndaj ish partnerëve nga koalicioni qeverisës. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, së fundi e ka tallur edhe me thirrjen e Kadri Veslit për luftën ndaj korrupsionit: «Kadria po thotë e luftoj korrupsionin. Po m’doket sikur 1 prilli!»

Me gjithë që këto kritika ndaj ish partnerit, nuk është se i bëjnë ‘hajr’ sipas njohësve të zhvillimeve, Haradinaj më shumë se kurrë po bënë përpjekje që të hakmerret ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kreu i së cilës, Kadri Veseli, e pat cilësuar si një kryeministër të lëshuar me «qira».

Mbeten edhe dy ditë për të hyrë zyrtarisht në fushatë zgjedhore e ndërsa këto komente po shihen si një paralajmërim për një luftë edhe më të ashpër politike ndërmjet kandidatëve.

Shikuar nga perspektiva e rrjeteve sociale, më i suksesshëm se secilido nga kandidatët, del me qenë Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje! Sipas një analize të cilën e ka bërë zeri.info në dhjetë freskimet e fundit ai ka grumbulluar pothuajse 40 mijë pëlqime.

«Më më së shumti pëlqime, qëndron Albin Kurti, i cili është aktiv në rrjetet sociale. Ai në dhjetë postimet e fundit ka grumbulluar gjithsej 35.900 pëlqime. Postimi i tij më i pëlqyer është videoja e cila është shpërndarë rreth aktiviteteve partiake në Porozhan. Në këtë video, ai ka marrë 5.900 pëlqime, 303 zemra, 14 simbole me të qeshura, 8 simbole që tregojnë habinë, ndërsa 3 simbole që tregojnë nervozizëm.

E dyta në listë qëndron kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo në dhjetë postimet e fundit ka arritur të grumbullojë 13.200 pëlqime. Nga dhjetë postimet e fundit, më i pëlqyeri është ai rreth vizitës së saj në komunën e Gjilanit. Në këtë postim, Osmani numëron 3.500 pëlqime, 72 zemra, 24 simbole që tregojnë habinë dhe 3 simbole me të qeshura.»

Të tjerët, sipas kësaj analize, mbeten edhe më prapa.

Por pëlqimet nuk janë vota, andaj e rëndësishme është ajo çka do të ndodhë më 6 tetor. Sipas njohësve të zhvillimeve politike, variacionet e qeverisë së re, përkatësisht koalicioneve zgjedhore mund të jenë të ndryshme por edhe të paparashikueshme. Sipas profesorit Mazllum Baraliu:

«Ka dy variacione që do t’i bëjnë të mundshme koalicionet e panatyrshme paszgjedhore. E para është interesi politik dhe dashuria e madhe për pushtet, për arsye se pushteti këtu te ne fatkeqësisht nënkupton përfitime dhe pasuri të mëdha. Dhe variacioni i dytë janë koalicionet e lakmisë, të interesit e të përfitimeve që ndodhin edhe brenda disa minutave, pa marrë parasysh se çfarë orientime kanë subjektet politike dhe çfarë mjete mund të përdorin kundër njëra-tjetrës, ata mund të bashkohen siç i bashkon interesi dhe kjo është e mundur edhe pas këtyre zgjedhjeve».

Fushata zyrtarisht do të nisë më 25 shtator, ditën e mërkurë, ndërsa do të përfundojë më 4 tetor, për t’i lënë vend ditës së 5 tetorit, si ditë e heshtjes zgjedhore./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet